Një rrugë në qendër të Vlorës me emrin “Anita Bitri”
8 Janar 2008
Vlora ka tashmë një rrugë që mban emrin e artistes Anita Bitri. Kjo rrugë është në zemër të atij qyteti që ajo e deshi aq shumë dhe që e mbajti përjetësisht në zemrën e saj. Dikur, ajo vajzë e vogël që vazhdonte shkollën e muzikës “Naim Frashëri” e që shkonte me violinën për të cilën studionte, nuk do ta kishte menduar kurrë se kjo rrugë që në pranverë dhe në verë kundërmon nga era e luleve të blirit dhe që në zhargonin e përditshëm vlonjatët i thoshin “kapelja”, do të mbante në 40 vjetorin e lindjes së saj, pikërisht emrin e këngëtares. Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, zoti Çlirim Hoxha thotë se me vendimin Nr.39, datë 07.11.2005 “Për emërtimin e bulevardeve, rrugëve, shesheve dhe parqeve ekzistuese të paemërtuara”, Këshilli i Bashkisë Vlorë, në mbledhjen e tij, të po asaj date, pra 07.11.2005, pasi mori në shqyrtim materialin e paraqitur nga Drejtoria e Urbanistikës së Bashkisë, dhe Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, mbështetur në ligjin Nr.8652 datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, neni 32, pika II, si dhe Ligjin Nr. 9270 datë 29.07.2004 “Për sistemin e adresave” vendosi të emërojë me emrin “Anita Bitri”, rrugën nga kryqëzimi i kapeles e deri tek kryqëzimi i rrugës “Kristo Negovani”. U gjend pikërisht data 8 Janar 2008, dita kur këngëtarja e madhe vlonjate mbushte 40 vjeç që Bashkia Vlorë së bashku me fondacionin Kulturor mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” të organizonin vendosjen e pllakës së rrugës me emrin e saj. Të binte në sy pjesëmarrja e shumë titullarëve të Bashkisë, familjarëve të këngëtares Anita Bitri, si dhe e shumë intelektualëve, artistëve, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega vlorë e artistëve të kryesuar nga piktori Ilmi Bani dhe me sekretar Albert Abazaj. Nderuan me pjesmarrjen e tyre artist si: Edit Mihali-Mjeshtër i Madh, Edi Luarasi-Artiste e Merituar, Irini Qirjako-Mjeshtër i Madh, Marika Kallamata–Artiste e Merituar, Vitore Sallaku-Mjeshtër i Madh, Esma Agolli-Artiste e Merituar, gjuhëtarja dhe studiuesja Meri Lalaj, Afërdita Stefani-doktore e shkencave, Makbule Çeço-doktore e shkencave, Lavdie Nanaj-intelektuale, etj. Pllaka u zbulua nga nënkryetari i Bashkisë zoti Halim Dervishaj së bashku me një këngëtare tjetër vlonjate, Mjeshtrja e Madhe, Edit Mihali. “Emri i Anita Bitrit do t’i mbetet përjetësisht kësaj rruge ashtu si dhe zëri dhe kënga e saj që janë një nga emblemat e qytetit tonë dhe që mbajnë të paharruar kujtimin e saj”- thotë nënkryetari i Bashkisë Vlorë, zoti Halim Dervishaj. “Është hera e parë që emri i një artisteje të re të qëndroj në një rrugë kaq të rëndësishme. Është një nder që nëpërmjet saj u bëhet gjithë artistëve”. Artisja Edit Mihali-Mjeshtër i Madh thotë: “Ajo ka lënë nëpërmjet këngës së saj një emër të bukur”. Ndërsa këngëtarja Irini Qirjako-Mjeshtër i Madh, pasi tregoi se çfarë i kishin treguar bashkatdhetarët tanë në Amerikë, thotë se “jam emocionuar kur bashkatdhetarët tanë më flisnin për Anita Bitrin, e cila ishte një këngëtare dhe violiniste e talentuar dhe që kishte filluar dhe të kompozonte….”. Ndërsa Ilmi Bani, kryetar Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve-dega vlorë tha se “ky nder që i bëhet kujtimit të Anitës nga qyteti i vlorës, u bëhet gjithë artistëve, të cilët e ndjejnë Anitën të gjallë, midis tyre. Ajo na thotë neve dhe gjithë qytetarëve të Vlorës: Unë jam këtu midis jush. Ju respektova, më nderoni!”.
*****************************************
19 tetori. Dita e Shënjtërimit të Nënë Terezës, për Vlorën ishte edhe një dhimbje më shumë. Familjarët, miqtë, artdashësit e këtij qyteti, në ditën e 2-vjetorit të vdekjes, kanë derdhur lule dhe lot tek varri i këngëtares vlonjate, Anita Bitri. Pranë varrit të mermertë të këngëtares legjendë të Vlorës, në këtë ditë të shenjtë, e cilësuar Nata e Kadrit, është spostuar grumbulli i madh i njerëzve që kanë shkuar për të përkujtuar të dashurit e tyre. Një lule dhe një lot për Anitën, nderim për këngën e saj, shprehen dhjetëra qytetarë që përulen dhe përkëdhelin foton e artistes, të vajzës së saj, Siborës. Mbi tre varret, ku prehen tre breza, nëna, vajza dhe mbesa, rrethuar me kangjella, është vendosur në këtë 2-vjetor të vdekjes një mal me lule të freskëta. Kuja vlonjate është përcjellë nga një korr cicërimash zogjsh, që ngjasonin me këngën e parë dhe të fundit të Siborës 8-vjeçare, "E shtrenjta nëna ime".
21-10-2006
*****************************************
Nju Jork: Përmovohet D.V.D-ja më e re me videoklipe të reja "Përherë Mes Jush" e këngëtares së mirënjohur shqiptare Anita Bitri.
nga-BEQIR SINA, Nju Jork
Anita Bitri ishte një zëdhënse e artit shqiptare, ajo ishte një nga këngëtaret më të spikatura shqiptare. Muzika shqiptare humbi një nga gjeneratorët më të fuqishëm të muzikës së lehtë.
Ridgewood - Qeens (NY): Një grup intelektualësh, këngëtarësh, muzikantësh, e gazetarësh në bashkëpunim me të vëllain e Anita Bitrit, miq dhe shokë, adhurues të këngëtares, organizuan mbrëmë në Nju Jork (Quins) promovimin e D.V.D–së më të re, me videoklipe me titull "Përherë mes Jush", të këngëtares së mirënjohur shqiptare Anita Bitri. Realizmi i kësaj D.V.D-je të re e përfundoj në Nju Jork, dhe e kaloi në prodhim shtëpia diskografike "AUDIO DYNAMIX". Ndërsa, prej dje, ajo do të jetë edhe në duart e adhuruesve të muzikës së lehtë.
Fjalën e hapjes në këtë promovim e mbajti Arben Bitri, vëllai i këngëtares, që përmes emocioneve të mëdha tha se: "Jemi mbledhur sot për të promovar D.V.D-in më të re me videoklipe të titulluar "Përherë Mes Jush". Nëpërmjet kësaj D.V.D–je jemi munduar të kthejmë përsëri Anitën mes nesh nëpërmjet artit të bukur që ajo krijoj”. Me këtë rast ai falenderoj nga zemra të gjithë të pranishmit.
Zoti Adriatik Sherko, folësi kryesor në këtë promovim ju drejtua të pranishëmve duke thënë se: “D.V.D-ja, më e re me videoklipe të reja "Përherë mes Jush" e këngëtares së mirënjohur shqiptare Anita Bitri, vjen pas një pune shumë të madhe të këngëtares në fushën e muzikës dhe të besimit që ajo kishte tek muzika e bukur shqiptare. Anita me zërin e saj të mrekullueshëm arriti të hedh gjurmë të arta në historinë e muzikës shqiptare. Arritjet dhe sukseset e Anitës, janë për t'u admiruar. Admiruesit e saj janë të shumtë, qysh në fillimet e saja në festivalet e para të këngës së muzikës së lehtë shqiptare. Më gjerë e kemi parë atë në veprimatrinë e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anita, ishte gjithmonë e dashur dhe e qeshur, e mençur, e tani vjen midis nesh me D.V.D më të re me videoklipe "Përherë mes Jush", tha Sherko.
Muzikanti dhe këngëtari i shquar z.Gjokë Vata, shprehu në promovim përshtypjet e tija më të mira për këngëtaren Anita Bitri. “Kam një respekt të veçantë për të pasi ishte njeri dhe këngëtare shumë e mirë”, tha Vata. Do të dëshiroja që edhe Shqipëria, të kishte sa më shumë këngëtare të tilla. Ky promovim të jetë edhe një sinjal i fortë për Shqipërinë, që t'u jap artistëve përparësinë që u takon atyre, dhe me të vërtet ata e meritojnë. Duke portretizuar Anitën, Vata foli edhe për rolin e artisit shqiptarë në mërgim. Pikërishtë, për atë rol, për të cilin me të vërtet ka nevojë një komb.
Pedagogia Kozeta Zylo, recitoj një poezi kushtuar Anita Bitrit.
Edmond Xhani - Kitarist dhe drejtues i grupit muzikor "Alba" në SHBA, thotë se "Jemi mbledhur për të përkujtuar, sot në këtë mbrëmje mikeshën tonë, motrën tonë, artisten tonë, këngëtaren e madhe shqiptare Anita Bitri. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt këtë këngëtare të madhe sepse ajo i dha shpirtin e saj muzikës i dha shpritin e saj artit shqiptarë. I dha pikërishte atë shpirt artit shqiptarë, për të cilin ky art edhe kishte nevojë. Anita Bitri ishte një zëdhënse e artit shqiptarë, ajo ishte një nga këngëtaret më të spikatura shqiptare, ku pa të cilën muzika shqiptare humbi një nga gjeneratorët më të fuqishëm të muzikës së lehtë. Kjo dhimbje medeomos që do të vazhdojë gjatë, dhe do të mbetet në zemërat tona, ndërkaq duke kujtuar Anitën, ne i bëjmë një nder të madh jo vetëm këngëtares, por edhe vetvetes duke pasë parasyshë atë moton tonë që është: "Të kthejmë gjithmonë kokën andej nga kemi ardhur se i përkasim atij kombi dhe asaj culture”, tha Xhani.
Xhevat Limani, regjizor i artit skenik, artistë e dramaturgë i njohur, u shpreh se: "Gjithmonë duhet të dëgjojmë artistët!?! Se duke dëgjuar ata, e mbështetur ata, duke vazhduar të jetojmë me ata, ne vazhdojmë indentitetin tonë në pavdekshmëri, dhe në pafundësi. Kjo, është një detyrë, e çdo kujt që të mbështesim të veçantën. Në se ne jemi të zgjedhurit, kemi si detyrë të mbështesim të zgjedhurit. Dhe e zgjedhura në këtë rast, është Anita Bitri, e cila tani për ne është si një emblemë si një udhërrëfyes për të gjithë artistët. Duke nderuar këtë këngëtare kemi edhe një të drejtë morale para pasardhësve tanë, që edhe ata të shkojnë në vazhdimësi. Dhe ky mision, është misioni i pavdekëshmërisë sonë, misioni i artit shqiptarë kudo dhe në çdo vend. Artisti ka detyrën e altarit, tempullor e misionar, që t'a shpien atë ku është më e bukura dhe në emër të së bukurës le të dëgjomë muzikën e kënduar nga këngëtarja Anita Bitri, e bukura është vetëm muzika”, përfundojë ai duke ja lënë vendin ekranit të projektorit ku u shfaqë D.V.D-ja më e re, me videoklipe të reja me titull: "Përherë mes Jush", e këngëtares së mirënjohur shqiptare Anita Bitri.
|