Albumi “Malli”-Tekstet

Anita Bitri “poezia, pasioni im i fshehtë”.

Anita Bitri ka një pasion të fshehtë, të cilin nuk nguron aspak ta tregoj sapo e pyet. I pëlqen, madje shumë, poezia tekstin e këngëve të saj e bën vetë, por herë pas here paraqitet edhe si kompozitore e këngëve të saj. Që para se të largohej nga Shqipëria për në Amerikë. Anita ka tentuar të shkruaj poezi. Por, largësia dhe malli e kanë bërë të ndjehet më tepër melankolike dhe atë çka ndjen, ta hedhë dhe në vargje. “Kur kam qënë këtu para dhjetë vjetësh, kam shkruar poezi në gazeta që dhe sot e kësaj dite i ruaj në shtëpinë time. Në atë kohë m`i kanë pëlqyer shumë poezitë edhe në Nju York ku unë jetoj shkruaj ende. Më pëlqen shumë poezia” shprehet Anita. Ka bërë një sërë tekstesh të këngëve të saj dhe një libër, përse jo!? Në të ardhmen mund të presim Anitën me ndonjë botim me poezi. Një këngëtare-poete.

Intervista me gazetaren Anila Çuli. Tiranё, 22 Koorik 2004.

**********************

MALLI

Nga syri, pikon një lot
Është i nxehtë përvëlon
Nga buza, një plagë rënkon
Puthjen tënde e kërkon

Ho- ho- ho sytë e mi vajtojnë
Rri e mbyllur o në kët’ botë
Ah, kjo jetë e shkretë o pa gëzim
Pa dashuri, pa dashuri

E di se ti ku je, e di se ti ku pret,
E di se ti më thërret
E ndjej se ti më do, e ndjej se më kërkon
Emigrim unë të mallkoj

Një ditë do të kërkoj, unë ty të takoj
Dhe me thinja do t’shijoj
Je mall në shpirtin tim, je këngë në zërin tim
Emigrim, unë të mallkoj

I them diellit- mos më ngroh
I them hënës- mos ndriço
I them detit- mos valëzo
I them shpirtit- ti këndo

MOS U NXITO, MOS U GABO

Në tren përballë u njoha me një djalë,
Shkëmbyem çiltër unë me të disa fjalë,
Po kur u ndamë të dy në stacion,
Ai dorën mua fort seç ma shtrëngon

S’kaluan shumë, vetëm disa ditë,
S’kujtoj as emrin, i harrova dhe sytë,
Në rrugë befas djali më takon,
Si për çudi, më thotë se më dashuron
Ç’është kjo dashuri!

Mos u nxito, mos u gabo
Ti zemrën time mos e kërko
Mos u zemro, unë ty s’të mbaj mëri
Por do të flas përherë me çiltërsi

Kur njeh një vajzë, që ngrohtë ty të flet
Të buzëqesh, të respekton,
Nuk është e thënë se ajo të dashuron

Të lutem djalë, mos më keqkupto
S’jam mëndjelehtë, këtë ti mos e harro
Mirësjelljen ruaj unë me çdo njeri
Si djalë a vajzë, të rritur dhe fëmijë

Nëse diku të shoh unë përsëri,
Çdo iluzion nga mendja hiqe ti,
Sepse mirësjellja s’është dashuri,
Le ta mësojë, ai që nuk e di
Ai që nuk e di

Mos u nxito, mos u gabo
Ti zemrën time, mos e kërko.

PËR TY ËNDËRROJ

Ti je shumë larg meje, të lash unë në vetmi
Mos mendo se zemra, pa ty më ka gëzim
Këtu jam pa ty, një trup unë e pashpirt
Dhimbja është e madhe, atë e di dhe ti

Deti është i kaltër, atë shumë mirë e di
Puthja është e ëmbël, atë ma fale ti
Ndarja është e hidhur, oh sa pa kuptim

Ditët po kalojnë, unë ty nuk po të shoh
Zemra po rënkon, zemrën tënde kërkon
Kujtimet vazhdojnë, për ty unë ëndërroj

Kur të shoh në ëndërr, ti shpirtin ma ngacmon
Kur të shoh kur ecën, unë një ëngjëll shoh
Kur të shoh kur flet, gjithë botën ma dhuron
Jam një skllave e jotja, unë nuk dua askënd

Kam një mall të madh atë kush nuk ma di
Vetëm ëndërroj, kur ishim bashkë të dy
Ecnim nëpër natë, unë edhe ti
Të ngacmoja unë, sa bukur qeshje ti

Rri mendoj e vetme, pse të na ndodhë kështu
Mijra kilometra na ndajnë ne të dy
Ty që shumë të desha, të lash unë në vetmi
Mërgim je mallkim, mallkim në shpirtin tim.

ABRA – KADABRA

Abra – Kadabra
Abra – Kadabra
Abra – Kadabra uah…

Më thuaj letrat vallë kush ti lexon
Kush të tregon i dashur fatin se ç’thotë
Në yje, qiellin cili vallë ta shikon
E cili ty të mbush, me shpresa aq kot

Se kur më mbyllesh në ndonjë kafene
Dhe nuk e di i dashur se unë të pres
Ti dashurinë para syve e ke
Dhe pret ta thotë, ty filxhani i kafesë

Pse kërkon, sonte pse kërkon ta dish
Ç’do të ndodh nesër, fati nuk ta thotë
Nëse ti pret, që nesër të më vish
Eja, eja, ti sot
Eja, eja, ti sot.
DASHURIA E PARË

Dashurinë e parë, kush nuk e provoj
Dhimbjen që la pas, kush nuk e këndoj,
e këndoj
Ku shkuan fjalët, që m’i thoshe me aq zjarr
Ku shkuan lulet, që m’i sillje plot me vesë
plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë
Ku shkoi motivi, që më zgjonte çdo mëngjes,
Vallë ku shkoi

Një këngë e vetme, jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam dhe do ta them
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe kënga ka një strof, por ka dhe një refren

Jo nuk e besoj, ta kem të lehtë që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos më thuaj s’më kujton, asnjeri s’do ta besoj
Diku në ëndërr do të vij dhe të takoj

Dashurinë e parë, kush nuk e provoj
Dhimbjen që la pas, kush nuk e këndoj
E këndoj, e këndoj, e këndoj.

ZEMRA FAL

Nga kjo skenë, me sy të kërkoj
A do të vish, jo jo s’e di
Më lëndove pa të drejtë,
Por unë me ty, jo s’mbaj mëri

Ti mos dëgjo, kur të thonë nuk të do
Kur të thonë është artiste, e adhurojnë
me mijëra sy
Ti më beso, zemra ty veç të do
Ajo rreh veç për ty dhe largon çdo xhelozi

Ja, ja ti vjen- ti vjen, ti vjen

Tek unë vështrojnë, vështrojnë plot sy
Të dua vetëm ty
Ja ja ti vjen- ti vjen, ti vjen
Unë këngën po filloj
Dhe zemra flet me këngë, se po të fal

Fal zemra, çdo rrahje ti dëgjoje
Kënga e saj, po po, dëgjoje
Ti dëgjoje, ajo për ty thurr vargje
Pra ti dëgjoje këngën e saj

Ja ja ti vjen- ti vjen ti vjen…

LULET E MAJIT

Një ditë të bukur maji, unë të takova
Dhe po rrije e fshehur në një lule
Lulet e majit për ty i ëndërrova
O lumturin në shpirt, veç ti ma prure

Por tani je vyshkur më s’ke erë
Lulet e tua për mua, s’kanë më vlerë
Nuk je ti lulja e bukur e ditës majit
Por je ti lulja ime e këngës së vajit

Më kujtohen vitet o kur rinia
Sa herë rrëmbehet ajo nga dashuria
Ishe e vogël atëhere vajza ime
S’mendoje tjetër veçse për ëndërrime

Por tani je vyshkur më s’ke erë
Lulet e tua për mua, s’kanë më vlerë
Po t’kujtoj me mall, moj lulja ime
O ndonëse je kaq larg kësaj zemrës sime.

S’KA FORMULË NË DASHURI

Sonte jam me ty
Dhe vallzojmë bashkë të dy
Sytë e mi diçka lexojnë
Oh, jo jo s’e besoj
Sonte ritmi kënga jonë
Dashurinë nuk po e zgjon
Dikë tjetër ti mendon, më harron

Ajo që di të dashurojë s’e ka të lehtë
Jo të harrojë
Se ka të lehtë këngën ta kthejë
Vështirë që të urrejë

Jo jo s’e di, as unë as ti
A të dyshoj a të besoj tek dashuria
A do të jem pranë teje nesër përsëri
Apo do ikësh, do më lësh pa dashuri

Se ka në jetë, me mijëra vetë
Që e kanë humbur dashurinë, që kanë fituar
Dhe lumturinë e kanë takuar përsëri
Por ja që s’ka asnjë formulë në dashuri.

DASHURIA S’NJEH SEKRET

Kishe vënë prapë tek adresa, veç gërmën e parë
Pas një gërme plot kuptim, pse fshihesh djalë
Më shohin mua shoqet, me dyshim
Ato s’të njohin, emrin nuk ta dinë

Dua që ta mbaj sekret, por mundohem kot
Lulet ngjyrën, yllit dritën, nuk ia fshehin dot
Lëndinë e pashkelur, dashuria e parë
Lulet e majit i çel në janarDashuria e parë

Sa njerëz dashurojnë, s’e ruajnë dot sekretin
Se s’mund ta fshehin detin
Ndaj dhe shoqet më ngacmojnë, ato s’të njohin
Emrin nuk ta dinë
Përse të jesh ti akoma anonim

Vjen si agim i ndritur, ma zbukuron rininë
Si lulet në lëndinë
Sa me mall ty të kam pritur, ngjyra të reja
T’i shtojmë dashurisë
Me mijëra drita t’i ndezim lumturisë.

***************************************

Anita Bitri në intervista të ndryshme do të shprehet për albumin “Malli”

Kohët e fundit ajo nxorri një album të ri të titulluar “Malli”. Nga titulli kuptohet se kujt i këndon Anita në këtë album të saj të ri. E pyetur lidhur me këtë album, Anita, thotë: “Ky album përmban këngën time më të preferuar “Malli” dhe këngën “Për ty ëndërroj”. Teksti i këngëve është shkruar prej saj. Përveç se këndon, Anita shkruan edhe poezi. “Në këtë album kam gërshtetuar këngët e mia më të mira të hershme me këngë të reja. Këngët e festivaleve që kam kënduar në Tiranë mbeten perlat e repertorit të muzikës sime. Për këtë arsye, dëshiroja që edhe publiku i këtushëm të dëgjoj këngët e mia të hershme”, thotë Anita për këtë disk të saj të fundit. Albumit i kam vënë titullin “Mall” sipas titullit të njërës prej këngëve të mia. Në këtë këngë ka dhimbje, ka lot, ka nostalgji për Shqipërinë dhe jetën time në atdheun tim. Atë ua kam kushtuar të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë vend tjetër të botës. Albumi është regjistruar nga profestionistë të dëgjuar në fushën e regjistrimit, pikërisht “Electric Planet Sound Studio” në Brooklyn. Vetë teksti i saj “Nga syri pikon lot, është i nxehtë përvëlon, nga buza një plagë që puthjen tënde e kërkon”, i këndon më së bukur mallit që ka këngëtarja për jetën e saj në Shqipëri, për vlorën qytetin e saj, për skenat e festivalit, për gjithçka që ajo la pas nga jeta e saj përpara se të emigronte në Shtetet e Bashkuara. “Malli është kaq i madh sa që shpesh herë mallkoj edhe Amerikën”, të bukurën Amerikë, pikërisht për shkak të mallit. Kënga thotë se këngëtarja ndodhet këtu fizikisht, por shpirti i saj ndodhet atje larg. Vërtetë këtu në SHBA ka plot gëzim, por ka edhe një mall të madh të pashuar. Amerika është ëndërra e çdo shqiptari, por Anita herë pas here e mallkon Amerikën, sepse e largoi prej vendit të saj të dashur Shqipërisë.

***************************************

Është diçka e rrallë që në një nga rrugët e bukura në Manhattan, zemrës së New Yorkut, nën hijen e rëndë të grataçelave të larta, të tërheqë vëmendjen reklamimi i bujshëm i këngëtares sonë të njohur Anita Bitri. Afrohesh pranë pikave më të mëdha të shitjes së kasetave dhe CD dhe teksa sheh klasifikimin e tirazheve në shitje të këtyre albumeve, vë re se albumi i ri i Anitës, i titulluar “Malli”, ka më se dy muaj që zë vendin e parë në tirazhin e shitjes. Nëpërmjet mikpritjes së saj karakteristike, Anita flet ekskluzivisht për gazetën “Shekulli”, ardhjen e saj në Amerikë, debutimet e saj, mallin për skenën shqiptare, punimet dhe krijimtarinë e saj në albumin e ri si dhe për ndihmesën e saj të madhe në jetën kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan.

– Mund të na flisni diçka konkrete rreth albumit tuaj të titulluar “Malli”?

– Ky album ka kohë që ka dalë në qarkullim, dhe është një album në të cilin janë gërshetuar këngët e mia fituese si dhe këngë të reja. Duke ditur se këngët e mia fituese dhe ato me çmime ngelen për mua perla të interpretimit tim, kam dashur t’i komunikoj drejt për drejt te publiku këtu, por kjo e shoqëruar me këngën time të re “Malli”, të kompozuar nga kitaristi i njohur Edi Xhani dhe me tekstin të shkruajtuar nga ana ime, si dhe këngën tjetër të kompozuar dhe tekstin tim të titulluar “Për ty ëndërroja”. Janë dy këngë në të cilat ka lot, dhimbje, nostalgji dhe ua kam kushtuar të gjithë shqiptarëve kudo në botë që ndodhen e që janë larg vendit. Jam munduar të përshkruaj në mes këtyre këngëve antitezën e madhe që ka luksi i botës së jashtme me mallin për gjithçka që ke lënë në atdheun tënd. Është një album profesional, në të cilin ka punuar një staf i dëgjuar në fushën e regjistrimit, dhe profesionist të njohur këtu në ilustrimin e kopertinës, për të paraqitur akoma dhe më të gjallë titullin e këtij albumi. Regjistrimet janë bërë në “ELEKTRIC PLANET SOUND STUDIOS”, në Brooklyn.

– Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

– Do të doja të sqaroja se albumi im “Malli” ka qënë i projektuar për qarkullim që në vitin 1997, por për arsyet e mia personale doli në qarkullim në `98. Por puna ime nuk ka ngelur me kaq. Gjatë kësaj kohe kam punuar për nxjerrjen e një albumi të dytë, ku do të jenë midis tyre dhe pesë ose gjashtë punime mbi ato çka kaloi vendi im në pranverën e `97. Këtë album ua dedikoj të gjitha nënave shqiptare, por sidomos atyre vlonjate, pasi dhe sot unë jam nënë vetë dhe tashti mund ta kuptoj akoma më mirë dashurinë dhe dhembjen që ka një nënë për fëmijën e vet. Në këto këngë kam dashur të gërshetoj dhimbjen e shamizezave për fëmijët e tyre, por dhe dhimbjen që kam për rrugët e qytetit tim, për detin tim të dashur dhe për gjithçka që më lidh dhe e dua në qytetin tim të lindjes. Do të ketë kompozime të ndryshme, por pjesa më e madhe janë të kompozuara nga mua.

 

– Më së fundi cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që janë?

– Dua të përshëndes të gjithë popullin shqiptar kudo që ndodhet me urimet e mia më të përzemërta; Gëzuar Vitin e Ri 1999! Le të jetë për ne një vit i realizimit të të gjitha ëndërrave dhe i të gjitha dëshirave tona. Ky vit që vjen nuk dua që të na gjej të ndarë në ngjyra të ndryshme, por të bashkuar në idealin e shenjtë të shqiptarizmit. Njerëzit ti ulin armët, se prej tyre vetëm dhembje e lot mund të përfitosh. Mjaft me gjak. Kujtimi i atyre që lanë me gjakun e tyre të ri tokën shqiptare nuk duhet të na trubulloj, por të na mbaj lart dëshirën dhe ndjenjën për një Shqipëri të qetë e të bukur. Ju premtoj nga larg se së shpejti zëri im do të jetë afër jush për të ndarë si dikur dhimbjen dhe gëzimin. Nga New Yorku, përshëndetjet e mia të zjarrta dhe lutjet e mia për Zotin do të jenë dhe lutjet tuaja për gjithçka të mirë e të mbarë.

27 Dhjetor 1998. Aristotel Zoto. Gazeta “Shekulli”.

  • 2
    Kjo do te vendoset pas shkrimeve e para
    4
  • 3
    1-2
    1-1
  • 1