Çdo gjë është e mundur

Albumi “Çdo gjë është e mundur” është frut i fantazisë së Anita Bitrit. Dëshira ka lindur fillimisht në vitin 2000. Në fakt, pas daljes së albumit të parë “Malli” edhe pse ky album ishte shumë i kompletuar, ajo nisi të kërkonte më shumë nga vetja në aspektin profesional. Si një natyrë plot jetë ajo kërkonte disa nota më të forta, një muzikë që të kishte më shumë gjallëri. Eksperienca e gjatë e krijuar në vite si dhe pjekuria artistike, të gërshetuara edhe me talentin e saj si krijuese, bëri që Anita të shkruaj e të kompozoj vetë tekstet dhe muzikën e albumit të saj të dytë shumë të suksesshëm “Çdo gjë është e mundur”. Në këtë album Anita shfaqet si një artiste e kompletuar e sigurtë dhe e vendosur për të shkelur në shtigje të reja të pashkelura më parë. Ajo me një stil të ridhe të larmishëm, i servir publikut materiale muzikore të stileve të reja dhe të ndryshme nga njëri-tjetri, duke e bërë këtë album sa të plotë aq edhe tërheqës dhe duke shfaqur kështu vlera të padiskutueshme krijuese dhe interpretuese. Ndërthurja e materialit muzikor me tekstet e ndjera dhe plot frymëzim, orkestracionet me shije bashkëkohore si dhe interpretimi dinjitoz i saj tregojnë fare qartë cilësitë e kësaj artisteje tashëm të kompletuar. Nëpërmjet këtij albumi, Anita arriti të krijoj figurën e saj të veçantë si kantautore, duke dhënë edhe ajo kontributin e saj të vlefshëm në fushën e krijimtarisë dhe të interpretimit artistik. Nuk do ta ekzagjeronim nëse do të thoshim se albumi “Çdo gjë është e mundur” është një pasqyrë reale e jetës së Anitës. Çdo gjë që e rrethonte çdo gjë që shikonte dëshirat, ndjenjat, bota e saj e brendshme shpirtërore janë përcjellë me anë të tingujve të mrekullueshëm dhe teksteve të këngëve. Në realizimin e albumit të ri do të gjeni bashkëpunimin e producentit amerikan, James Avatar dhe në tastierë Florent Boshnjaku, ndërsa fotografit janë realizuar nga fotografi i famshëm Fadil Berisha. Prodhimi i albumit “Çdo gjë është e mundur” është realizuar nga Shtëpia Diskografike “Audio Dynamix”, me famë në New Jersey, e cila është e një cilësie shumë të lartë teknike. Pёr albumin “Çdo gjë është e mundur”, u jepet e drejta të gjitha websaiteve dhe radiove Shqiptare dhe tё huja ta kopjojnë dhe ta transmetojnë pa asnjë limit. Nuk lejohen abuzimet.

*********************************

Artikull rreth albumit “Çdo gjë është e mundur”

“Çdo gjë është e mundur”: të prekësh suksesin, të bëhesh nënë e të “rilindësh” sërish artistikisht, edhe pse në një tokë e cila nuk është e jotja. Historit e bukura shpesh dalin nga librat dhe kapen fort pas protagonistëve të jetës reale, të cilët luftojnë për të patur çdo gjë që është e mundur. Këtë herë historia është reale dhe ka emrin e Anita Bitrit, këngëtares shqiptare e cila prej 9 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara. Në kopertinën e albumit të ri shkruhet “Çdo gjë është e mundur”, nuk është vetëm titulli i albumit të saj por dhe një fakt të cilin këngëtarja ka dashur ta theksoj në të gjithë etapat e jetës së saj. Një zë i veçantë, i karakterizuar nga jehona folk dhe nga një tendencë e vendosur virtuozizmi, i përshtatet një repertori këngësh me shije qytetare, të cilat i pëlqejnë çdo gjenerate. Edhe 14 këngët e albumit të saj të fundit shkojnë tërësisht në kёtë linjë; këngë që të godasin që në dëgjimin e parë, të tjera që të kthejnë prapa në kohë, që të ngjallin emocion për nga forca interpretuese. Kështu është gatuar këngëtarja vlonjate: një vokaliste që këndon me pasion melodin më lineare, një artiste që pëlqen perfekshmërinë. Një album, të cilin i’a ka dedikuar publikut, që i ka munguar për gati një dekad. “Ky album ka larmi, pasi përfshin të gjitha sferat e jetës sime, duke përfshirë vajzën time, nostalgjinë, dashurinë, pasionin e jetës, dhimbjen e mërgimit”, thotë këngëtarja e cila në albumin e ri shfaqet edhe si kantautore. Në album nuk do të mungojnë dhe ritmet hip-hop, të cilat do të vijnë përmes këngës “Comon, Comon”, ku Bitri do të shoqërohet prej pjestarëve të grupit amerikan “CEO Electronic”. Këngët janë të gjitha të bukura, pasi gjithsecila përfaqëson një pjesë të jetës së saj. Por, do të veçonim duetin me të bijën Siborën ku për këtë përzgjedhje Anita shprehet: “Frymëzimi i kësaj kënge është dashuria, lidhja midis fëmijës dhe prindit. Ndjenjës sime si nënë, dhe në përgjithësi ndjenjave të gjithë nënave pë fëmijët e tyre. Një shkëmbim dhe ndërthurje e tillë është diçka e mrekullueshme, që merret nga kjo botë”, thotë këngëtarja. “Na jep bekimin”, është një tjetër këngë e dashur për këngëtaren.”I kushtohet dhimbjes së gjithë atyre nënave, që prisnin lajme për fëmijët e larguar. I kushtohet të gjitha atyre që të larguar nga vendi i tyre edhe pse kanë kushte më të mira, janë gjithnjë me mendjen e zemrën tek familjet, tek vendi i tyre”. Gjallëria shtohet tek “Korveta”, ku optimizmi dhe dëshira për të lënë pas, të paktën për një çast të gjithë hallet dhe problemet e jetës në një xhiro me korvetë………

*********************************

Shtypi  rreth albumit “Çdo gjë është e mundur”

“Çdo gjë është e mundur”, ky ishte titulli i albumit që e riktheu edhe një herë në Shqipëri, këngëtaren Anita Bitri. Këngëtarja vlonjate u largua nga Shqipëria 9 vjet më parë dhe për të parën herë u kthye në Shqipëri, në korrikun e këtij viti. Përveçse për të vizituar vendlindjen e saj, Bitri u kthye në Shqipëri, për të promovuar albumin e saj të ri “Çdo gjë është e mundur”, ku përfshiheshin 14 këngët e saj më të reja. Pasi kishte plotësuar gjithë dokumentacionin e duhur të qëndrimit të saj në Amerikë dhe ishte e lirë të udhëtonte në të gjithë botën, dëshira e saj e madhe ishte të vinte sa më shpesh në Shqipëri dhe pse jo, t`u rikthehej edhe një herë festivaleve dhe çmimeve. Ardhja e saj në muajin korrik, nuk mund të qëndronte larg vëmendjes së mediave, të cilat për ditë të tëra folën për Anitën, jetën e saj amerikane dhe kthimin e saj në tregun e muzikës shqiptare. E larguar nga Shqipëria me një ëndërr të madhe, këngëtarja dëshironte të rigjente edhe një herë veten, atje ku e kishte lënë në skenën shqiptare, në vitin 1996.
Rrallë ndodh në jetën e një artisti që të ketë një jetë kaq të shkurtër dhe një karrierë kaq të gjatë, sikurse ka ndodhur me Anita Bitrin. 37 vite jetë dhe 32 vjet karierë si këngëtare. Këngëtarja legjendë Anita Bitri, hyri në rrugën e artit qysh në moshën 5 vjeçare, duke i rënë violinës. Profesori Robert Papavrami, teksa shihte mjeshtërinë e lëvizjes së gishtërinjve të vegjël të Anitës ishte shprehur se “Kjo vajzë do të ketë një të ardhme të madhe prej artisteje”.

*********************************

 Ky është një projekt rreth këngës“Na Jep Bekimin”i gjetur në kompjuterin e këngëtares.

Strofa e parë

Ikim ne një nga një lamë tokën mëmë,
Ky mallkim pse na zuri ne të gjithëve,
Me sy nga larg shikoj turma që as vet s’dinë ku shkojnë,
veç zemra e tyre është bërë copë-copë.

Vazhdon

Pse po ikim nënë, pse nuk na ndal,
Toka jonë ti je pse nuk na mban,
Vallë kush po ka faj, na u përgjigj,
Nënë mos na lejo të shkojmë kaq larg.

Strofa e dytë.

Nëna lë fëmijën, baba nuk sheh me bijën,
Motra nuk sheh me vëllan, Qyqet fillojnë vajin,
Gjithë kjo jetë e lënë pas kush na e kthen prapë,
Ikim veç ne ikim, ikim veç ne ikim. Na jep bekimin.

Refreni

Dhimbje, hajde mu afro,
Skllave më ke, ti u gëzo,
Falje ne po të kërkojmë,
Toka nënë mos qaj me lot.

Strofa e tretë.

Ne mësuam shumë i madh na ishte mbarë globi,
Nuk menduam se një ditë dhe vet do ta provonim,
Male dete pa fund kaluam u coptuam,
Të shpërndarë si trupi pa kokë në dhe të huaj.

Strofa e katërt.

Shumë të plakur do të vijmë një ditë te ty moj nënë,
Lodhjen djersën e lamë ne në tjetër vend,
Hapi krahët dhe zemrën ti ne na prano,
Me lotin tënd të nxeht, ne na beko, ne na beko.

Qëllimi i fjalëve kur them “vallë kush po ka faj, na u përgjigj” është për qeveritarët. Është mirë të gjej dhe ndonjë foto nga parlamentarët që grinden me njëri-tjetrin, mbasi kjo është një pikë kyçe. Dikush më tha se mund të gjej foto të 2-Korrikut të eksodit të shqiptarëve nëpër detet e Italisë në biblotekën qëndrore në Manhattan në revistat italiane “Epoka”. Do vete të kërkoj. Qëllimi im është që të nxjerr në pah karakterin e vërtet të këngës që unë kam krijuar. Jam shumë optimiste që do të krijoj diçka të bukur.

*********************************

Në intervista të ndryshme Anita Bitri do të shprehet në lidhje me albumin “Çdo gjë është e mundur”.

Anita: -Në këtë album unë shfaqem si kantautore, këndoj me vajzën time, Siborën, e cila tani në gusht bëhet 8 vjeçe. Po ashtu, për këtë album bashkëpunoj me një kompani amerikane dhe këndoj me këngëtarë amerikanë. Stafi amerikan i këtij albumi ka nisur tanimë të punojë remikset e këngëve të mia, për stilin dans, për në klubet e Shqipërisë. Këngët janë shumë të veçnata, pasi përfshihen të gjitha sferat e jetës: janë gëzimet, dhimbjet, emigracioni, nostalgjia, dashuria, mbase një dashuri e humbur, por e fortë, një dëshirë për t´ia mbathuar me korvetë…

Gazetarja:-Mund të na thoni diçka më tepër rreth albumit tuaj të ri “Çdo gjë është e mundur”

Anita: -Mendoj se ky album ndryshon nga të mëparëshmit, pasi në  jetë çdo gjë është ndryshe, e pranishme kjo në jetën e çdonjerit prej nesh. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për veten time, ku krahas emërtimit nënë edhe pse larg vendit tim, me mund e sakrificë kam arritur të bëhem përsëri e njohur. Albumi im i fundit krahas muzikës rep, ku unë këndoj në shqip dhe anglisht, duke mos munguar këtu kërcimi i një trupe baleti e në mes të tyre vajza ime Sibora dhe unë në video e titulluar “Nostalgjia” kushtuar Sarandës, vendlindjes sime, Vlora ku kam kaluar vitet më të bukura të jetës sime dhe qytete të tjera shqiptare.

*********************************

  • 0
    1
    2
  • 3
    4
    5
  • 6
    7
    8
  • 9