Picture
Picture
Picture
Picture
   

Çfarë përmban në vetvete kjo D.V.D?

D.V.D-ja e re “Përherë mes jush” është një ndërthurje origjinale e sukseseve të këngëve të Anitës në vite në vidioklipe. Duke i shkrirë natyrshëm njëra pas tjetrës, kohën, motivin dhe gjeografinë, kalohet nga triumfet e para skenike e deri në përsosmërinë artistike të viteve të fundit. Autorët kanë dalë jashtë çdo skeme dhe shablloni në këtë vepër arti, ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja gjenden vetëm në një detaj: Anita. Gjithçka është në funksion të saj, sepse ajo e meriton. DVD-ja e re përmban në vetvete 11 vidioklipe të Anitës duke interpretuar këngë të ndryshme të muzikës së lehtë shqiptare, ku autorët janë përpjekur të mahnisin publikun me disa nga perlat e repertorit të Anitës, edhe pse seleksionimi i këngëve më të bukura të saj, ka qenë me të vërtetë shumë i vështirë. Të zgjedhësh mes të zgjedhurave, është një privilegj të cilin autorët nuk kanë dashur që ta kenë, megjithatë kufijtë artistikë për një vepër të caktuar i kanë imponuar për një gjë të tillë.

 
Picture
Picture
   
Është për t’u theksuar se të gjitha këngët, të pranishme ose jo në këtë videoklip, kanë të veçantën dhe bukurinë e tyre. Tematika e kësaj D.V.D –je është sa e larmishme aq e dhe paradoksale, jeta në të gjithë këndvështrimet dhe aspektet, ashtu siç ishte vetë arti dhe muzika që Anita krijoi. Vlejnë për t`u përmendur vidioklipet “Na jep bekimin”, “Era përcjell fjalën të dua”, “Malli”, “Mos u nxito, mos u gabo”, etj. Regjisori i kësaj DVD Xhevat Limani do të shprehej rreth kësaj vepre arti: “Gjithçka e bëra për artin shqiptar dhe për bijën e këtij arti, Anitën. Këngën dhe zërin e saj e kam adhuruar që kur e kam dëgjuar për herë të parë, ndaj le të jetë ky një kontributi im sado i vogël në përjetësimin e veprës së kësaj artisteje të madhe shqiptare”.
   
Picture
Picture
   
NEW – YORK - Përjetësimi i Anita Bitrit së fundi në vidioclipe. Shtëpia Diskografike “Audio Dynamix” në New York, ka marrë përsipër që të organizoj një takim mes këngëtares së madhe dhe fansave të saj. Nëpërmjet një DVD-je të re, të gjithë njerëzit që me të vërtetë kanë shije për muzikë, mund të plotësojnë boshllëqet artistike, duke ndjekur për një orë rresht atë ç`farë është e plotë dhe perfekte: Anita Bitrin. Ndërkohë që dikush mund të numëroj muajt që nga koha kur ajo u largua së bashku me nënën dhe vajzën, Sibora, kjo DVD është prova e parë që tregon një fakt të pakundërshtueshëm; Anita Bitri gjithmonë do të rikthehet dhe mënyra se si, nuk ka rëndësi. Për më tepër, këtë e përforcon edhe titulli i kësaj vepre artistike “Përherë mes jush”, ku në rast se admiruesit do të kenë shansin që ta kenë në duar, do të harrojnë se çfarë do të thotë fjala tragjedi. Zëri hyjnor, shikimi i thellë dhe plot mistere, tingujt e gjetur, sfondi tërheqës dhe plot elementë të tjerë të papërsëritshëm, mund të çojnë deri aty, sa fansat të japin një parrullë për gjithë publikun: “WANTED, Anita Bitri”.
   
Picture
Picture
   
Sigurisht, duke qenë se nuk do të ketë shpjegim tjetër për gjithë këto surpriza në DVD, gjithkush do të mendoj se kjo është një “vepër e Zotit”. Megjithatë, ky mendim nuk është krejt i pabazë. Anita Bitrit talentin ia fali Perëndia, ndërsa akti i parë i përjetësimit të saj vjen nëpërmjet një rrjeti të gjerë bashkëpunëtorësh dhe njëkohësisht adhuruesish të muzikës hyjnore. Kësaj kategorie i përkasin dy artistët me famë dhe seriozitet të diasporës, regjisori Xhevat Limani dhe operatori Ilir Kasneci. Prej disa muajsh ata kanë dhënë maksimumin nga vetja për ta fiksuar të pavdekshme Anita Bitrin, qëllim ky, i cili u arrit me një sukses të plotë. Mënyra se si janë bërë xhirimet, radha e montimit të tyre dhe koordinimi me tekstin e këngës, nuk tregojnë thjesht një punë profesionale, por një mjeshtëri.. Firma e Fadil Berishës mbi fotografitë e Anita Bitrit i kanë dhënë “ok”-in triumfit të DVD-së së re. UPS! Këtu mungojnë ende shumë emra... Do të dyshohej për një vepër të plotë artistike, nëse publiku nuk do të merrte vesh bashkëpunimin më të madh të “kokave” të muzikës shqiptare. Kompozitorët Flamur Shehu, Vladimir Kotani, Jorgo Papingji, Artur Dhamo, poeti Jorgo Papingji, si edhe notat e veçanta të Edi Xhanit apo Florent Boshnjakut, kanë bërë që pop-stari Shqiptar të dalë ashtu siç është, madhështore në të gjitha kuptimet! Ata që e duan Anita Bitrin dhe muzikën e saj janë të shumët. Kjo është edhe arsyeja pse poetit Ylli Molla nuk u lodh kurrë së ndihmuari në mbledhjen e materialeve për këngëtaren unike. Është po e njëjta arsye që gazetarja dhe shkrimtarja Elisabeta Ilnica sa më shumë flet për Anita Bitrin, aq më tepër i shtohet dëshira për të zbuluar misteret e saj. Dhe, kur vjen fjala për mistere, disa prej tyre kanë dalë në dritë falë arkivit të Radio-Televizionit Shqiptar, i cili nuk ngurroi për asnjë moment që të vërë gjithçka duhej në dispozicion për kompletimin e figurës artistike të Anitës. Ndërsa Tefta Radi nëpërmjet zërit të saj të veçantë ka bërë të mundur që publiku të fiksoj jetën dhe veprimtarinë e këngëtares nga bregdeti magjik. Sigurisht, “ëmbëlsira për në fund”. Kjo shprehje vlen për ndihmën ekskluzive të Adem Belliut dhe Luan Nanaj fjalët e tjera për ta, do të ishin të tepërta.
   
Picture
Picture
   

Shqiptarët e Amerikës kujtojnë këngëtaren e mirënjohur shqiptare Anita Bitri me një "Mbrëmje Përkujtimore"
Në përkujtim u shfaq dhe dokumentari "Gjithmonë mes jush"

Nga-BEQIR SINA, New York.

Broadway-New York: Ditën e martë në 29 mars 2005, u organizua një "Mbrëmje Përkujtimore"-"Memorial Evening", për këngëtaren e njohur shqiptare Anita Bitri. Bashkësia shqiptare, pas gjashtë muajve të hikjes së këngëtares së mirënjohur vlonjate, së ëmës së saj dhe së bijës, e përkujtoj atë me një mbrëmje të quajtur "Memorial Evening".
Mbrëmje Përkujtimore-"Memorial Evening" e zhvilluar në mjediset e lokalit "Djerdan", New York-Manhattan, është e thirrur nga Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave "Motrat Qiriazi" të ndihmuara për organizimin artistik nga artisti Vait Hajdari. Burime nga mbrëmja, na informojnë se është shfaqur edhe dokumentari "Gjithmonë mes jush". Dokumentar i prezantuar për herë të parë në New York, dedikuar këngëtares Anita Bitri. Një realizim ky, që merr titullin e albumit të fundit, që artistja nuk mundi ta promovoj. Krahas organizatorëve kanë marr pjesë në përkujtim edhe shumë nga artistët dhe kolegët e saj në Amerikë ndër ta mund të përmendim Fadil Berisha, Xhevat Limani, Ilir Kasneci, Edi Xhani, Remi, Kino, Adem Belliu e shumë të tjerë... Gazetarja Elisabeta Ilnica, ka hedhur skenarin e këtij dokumetari. Dokumentari “Gjithmonë mes jush", i kushtohet jetës së këngëtares së famshme, mësimet e para me violinë, dashuria për këngën, hapat e para të karrierës, shfaqjet e para në Vlorë, deri tek sukseset në Festivalet e Këngës në RTSH etj…" Dashuria për muzikën dhe suksesi që Anita i'ua dhuroj të gjithë bashkëkombësve të saj për aq sa jetoj e punoj; këngët për kurbetin, dashurin për jetën, dashurin e një nëne për të bijën, këngë që dëshmojnë potencialin dhe forcën e madhe të artit që Anita Bitri krijoj.

   
Picture Picture
   

Një dokumentar për Anita Bitrin

E Premte, 25 Shkurt 2005 shkruar nga A. NIKA

"Gjithmonë mes jush" është dokumentari i prezantuar dje në Galerinë e Arteve, dedikuar këngëtares Anita Bitri. Sytë kureshtarë i janë bindur imazhit të projektuar në një nga muret e Galerisë së Arteve. Për gati gjysëm ore, asnjë lëvizje qepallash, diku një buzëqeshje, kameramanët që ndezin dritat e kuqe dhe aparatet fotografike që nisin shkrepjet. Një dokomentar për Anita Bitrin. Dashuria për violinën, ngjizja e pandashme me muzikën dhe suksesi, i cili vazhdoi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një histori jete e një artisteje të madhe, e një ylli të skenës shqipare. “Gjithmonë pranë jush", me këtë titull Elisabeta Ilnica ka hedhur skenarin e saj, për ti bërë akoma më të prekshme tek publiku hapat e karrierës së Anitës. Mësimet e saj të violinës dhe dashuria për këngën, nga shfaqjet në Vlorë, vendlindja e saj e deri tek sukseset në Festivalet e Këngës në RTSH. "Vetëm një refren i këngëtares së madhe Vaçe Zela, e bëri të mos ndalonte kurrë më së kënduari", shkruan skenaristja në dokumentarin dedikuar Bitrit. Përmes dy kompozitorëve Flamur Shehu e Jorgo Papingji rrëfehet bota e brendshme artistike e këngëtares së madhe, si dhe bashkëpunimi i suksesshëm që patën me të. Imazhet e dokumentarit ndërthuren bukur me skenat e Festivaleve, si dhe me ato te videoklipeve të fundit të saj të realizuara në Amerikë. Për kolonë zanore kanë shërbyer këngët e albumit të saj më të fundit "Gjithmonë mes jush", të cilin këngëtarja nuk mundi ta promovoj dot. Album, të cilin në mënyrë simbolike vëllai i Anitës, Arben Bitri ua dhuroi të gjithë të pranishmëve.