New-York
Ndodh dhe kështu. Një pakujdesi merr jetën e një familjeje. I tillë ishte fati dhe për Anita Bitrin. Por i njëjti fat nuk kurseu as nënën e as vajzën e saj. Ikën në gjumë. Megjithatë, më në fund e vërteta e shuarjes së familjes Bitri nuk vjen më nëpërmjet kronikave televizive apo mediave. Si ndërroj jetë Anita Bitri, tashmë ka një variant zyrtar. Ditët e fundit të saj, përbëjnë faqet e një raporti të posaçëm të policisë së New Yorkut.
Sipas konkluzioneve të drejtësisë amerikane, në këtë tragjedi nuk ka asnjë element kriminal dhe vdekja ka ardhur nga bllokimi i paqëllimshëm i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit, të bojlerit gjatë ndërtimit të ballkonit në krahun anësor të shtëpisë. Në këto rrethana, institucionet shtetëror kanë vendosur që të mos ndalohet dhe të mos ndiqet penalisht asnjë person.
- Ishte thjesht një tragjedi.
Tragjedia, ka ardhur si pasoj e neglizhencës dhe e injorancës teknike nga ana e punëtorëve gjatë kryerjes së punimeve ndërtuese tek shtëpia e Anita Bitrit. Ky nuk është një aludim, por përgjigjja ka ardhur nga tre ekspertiza të një pas njëshme dhe një pune shumë të gjatë për zbardhjen e tragjedisë së familjes Bitri nga ana e FBI dhe e policisë New-Yorkese. Por që të treja këto ekspertiza nxorrën një konkluzion të vetëm: - Bllokimi i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni në pjesën anësore të shtëpisë, bëri të mundur që në brendësi të saj të futej, nga djegia e gazit të kaldajës së sistemit të ngrohjes(boljerit), një sasi monoksidi karboni e barabartë me 762 mijë për centimetër/cub, kur mjaftonte vetëm një sasi prej 6 për qind për vdekjen e çdo qënieje të gjallë. Pra sasia e lart e monoksidit të karboni brenda sipërfaqes së shtëpisë bëri që të shuhen njëkohësisht tre jetë të pafajshme. Konkluzioni është i qartë dhe i pakundërshtueshëm bazuar në teknologjinë më moderne amerikane. Tragjedia ishte aksidentale.
- Dinamika e kësaj tragjedie
Shtator 2004, një muaj para tragjedisë. Ishte ky muaj, kur Anita së bashku me nënë Hazbijen, vendosën të bënin disa punime ndërtuese rreth shtëpisë. Për këtë qëllim kontaktojnë një person, i cili pretendon se ka një kompani të madhe ndërtimi. Duke bërë shumë publicitetet si ndërtues, ky person (Petrit Salillari) hiqet sikur ka dhe një eksperiencë të madhe në këtë fushë, por në realitet ishte vetëm një murator i thjesht dhe pa eksperincë projektimi. Me mashtrime ai arriti që ta bindte Anitën dhe nënë Hazbijen që të zbatoj ai punime ndërtuese rreth shtëpisë. Në fillim ky "specialist bën projektin”, duke rënë dakord dhe për shumën përkatëse. Ai do të ndërtonte murin rrethues të saj, si dhe portën e jashtme dhe do të bënte shtrimin me beton të oborrit. Punimet filluan. Bashkë me të punonin dhe dy punëtorë të tjerë(një italian dhe një spanjoll).
Më 4 Tetor, Anita dëshironte dhe disa punime shtesë para shtëpisë, pasi ishin të nevojshme. Pra do të lartësohej trualli para hyrjes kryesore dhe njëkosishtë do të ndërtohej dhe ballkoni anësor.
- Punimet tek ballkoni. Punime të cilat shkaktuan dhe fatkeqësinë.
Fillimisht u ndërtua armatura për lartësimin e truallit para shtëpisë dhe njëkosisht dhe armatura e ballkonit anësor. Më datën 13 Tetor, e mërkurë, në orët e para të mëngjesit, në shtëpinë e Anitës, me urdhër të“specialistit”(Petrit Salillarit) makina betoniere filloi hedhjen e betonit në truallin para shtëpisë dhe njëkosisht në armaturën e ballkonit anësor, pa marrë parasysh se punëtorët ishin të pakualifikuar dhe pa eksperiencën e duhur në punimet ndërtuese. Kur filloi hedhja e betonit nga makina betoniere në ballkonin anësor, u vu re se armatura ishte më e lart se një tub që dilte nga faqja anësore e shtëpisë. Në momentin kur makina betoniere hedh betonin në armaturë, betoni është i lëngshëm(si ujë) dhe futet në të gjitha hapsirat boshe të armaturës. Meqënëse ky tub ishte gati 10 cm nën nivelin e armaturës, u kërkua me urgjencë një qese plasmasi, e cila u bë si shtup për bllokimin e këtij tubi, me qëllim shmangien e hyrjes së betonit në të. Pra, një gabim fatal. Ky tub ishte i shkarkimit të kaldajës(boljerit) dhe që absolutisht nuk mund të betonohej ose të bllokohej. Konstruksioni i shtëpisë ishte i vjetër dhe tubin e shkarkimit të kaldajës nuk e kishte në çati, por në pjesën anësore të shtëpisë, pikërisht ku po ndërtohej ballkoni. Makina betoniere ishte e paguar dhe ata nxitonin që brenda ditës të shtrohej me beton i gjithë trualli para shtëpisë dhe ballkoni anësor njëkosishtë. Një punë shumë e madhe për një kohë shumë të shkurtër. Kështu, betoni u hodh dhe dita e punës përfundoi në orën 19:00 të asaj pasditeje, por duke mos përfunduar punimet dhe duke lën dhe qeskën e plasmasit tek tubi i shkarkimit të kaldajës pa ditur rëndësinë e këtij tubi. Por lind pyetja: "Pse tragjedia nuk ndodhi menjëherë por pas një jave? Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ishte ende ngrohtë dhe nuk ishte e nevojshme të vihej në funksionim bojleri për ngrohje.
Më 14 Tetor, në New York binte shi dhe punëtorët nuk u paraqitën në punë për shkak të kohës.
Të nesërmen, e premte 15 Tetor, e njëjta situat. Punimet kishin mbetur në mes. Anita detyrohet të bëjë një seri telefonatash dhe pas këmbënguljes së saj, në punimet e pambaruara mbërrin "specialisti"(Petrit Salillari) dhe punëtori italian. Ata i hodhën një sy punimeve të së mërkurës. Pas ankesave të Anitës edhe vetë "specialisti" u bind që punimet ishin kryer pa asnjë lloj cilësie teknike. Por duke qenë se nuk ndihej mirë fizikisht, u largua me premtimin që do të vinte sërish të nesërmen për të rregulluar ballkonin dhe për të sistemuar punimet.
Ishte e shtunë 16 Tetor. Që në orët e para të mëngjesit Anita merr një telefonatë nga ana e "specialistit"(Petrit Salillari), që ndodhej në spital dhe duhej të operonte urgjentisht apendisitin. Kjo gjë ishte e vërtetë, kështu që Anitës nuk i mbeti gjë tjetër veçse ti uronte një shërim të shpejtë. Punimet mbetën sërish të pa mbaruara.
E Diel 17 Tetor. Në New York koha u ftohë shumë dhe njerëzit u detyruan të ndezin bojlerët për ngrohjen e shtëpive. Atë të dielë, në orën 12:00, Anita niset në një koncert jashtë New Yorkut, ndërsa nënë Hazbija dhe Sibora shkojnë për vizitë tek mikesha e tyre, vogëlushja luante me shoqen e shkollës. Aty kanë qëndruar deri në orën 16:00. Më pas u kthyen në shtëpinë e tyre. Në orën 21:15 të asaj nate, nënë Hazbija telefonon teze Ëngjëllushen për ta përshëndetur. Nënë Hazbija ankohet se është shumë ftohët dhe se kishte merak se mos i ftohej Sibora e vogël, por ajo nuk dinte ta vinte në funksionim boljerin. Ka qenë ora 22:30, kur në shtëpinë e ftohtë mbërrin Anita. Menjëherë ajo bën ndezjen në maksimum të bojlerit pasi ambjenti brënda shtëpisë ishte shumë i ftohët. Familja Bitri bie në gjumë. Kaq u desh që Anita, Hazbija dhe Sibora e vogël të flenë përjetësisht, duke ëndërruar për një botë më të bukur dhe më të mirë. Ndonjëherë duket ironi e fatit, por në fakt ishte neglizhencë totale.
I gjithë opinioni shqiptar dhe amerikan është prekur nga tragjedia "Bitri" e 19 Tetorit 2004. Ishte pikërisht këngëtarja që për famë kishte kaluar kufijtë shqiptarë, Anita Bitri, që ka ndërruar jetë së bashku me nënën Hazbijen dhe vajzën e saj, Siborën. Kjo tragjedi preku thellësisht gjithë zemrat e shqiptarëve dhe bëri të mundur që Diaspora Shqiptare në Amerikë të rimblidhej si kurrë ndonjëherë dhe me një koncert humanitar të shpaloste bukurinë shpirtërore dhe virtytet fisnike të popullit tonë të mrekullueshëm.
Duke marr shkak nga kjo tragjedi, Qeveria e New Yorkut miratoj ligjin për vendosjen e detyrueshëm të dedektorit kundër monoksidit të karbonit duke shpëtuar nga ky gaz fatal me qindra familje të pafajshme. Në këtë linjë mbetet për tu vlerësuar qëndrimi i Qeverisë së New York-ut, të cilët me respektin dhe humanizmin që treguan ndaj kësaj tragjedie, si dhe me vënien e ligjit mbi vendosjen e detyrueshëm të dedektorit kundër monoksidit të karbonit, emrin "Ligji Anita", lehtësuan zemrat e plagosura të familjarëve dhe fansave të këngëtares së famëshme shqiptare Anita Bitri.

Shtëpia ku ndodhi tragjedia

Ballkoni që bllokoi tubin e shkarkimit të monoksidit të karbonit

Armatura e ballkonit, më e lartë se sa tubi i shkarkimit të monoksidit të karbonit

Tubat : 1) shkarkimit 2) ventilimit


Tubi i shkarkimit të monoksid karbonit , 10 cm nën nivelin e ballkonit

Tubi i shkarkimit të monoksidit të karbonit


|