Intervistat

Shtypi – Shkrime rreth Anita Bitrit

Nëse dikush ka shkrime ose kujtime rreth jetës sё Anitës dhe dëshiron ta publikoj në këtë faqe, ju lutemi kontaktoni: benitograziani@gmail.com

ANITA BITRI : ‘‘Kënga, refreni i jetës sime.’’

“Vajzëe valëve’’  Kushtuar  Anita Bitri
 Deti të mbajti në krahët e tij,
dhe ti u rrite nga ajo dorë.
Tani që dallgët shkumbojnë në përjetësi,
Melodia ty të mban kurorë.

Këngëtarja e muzikës së lehtë shqiptare, Anita Bitri vlerësohet midis atyre artistë, të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën e çdo spektatori. Dashuruar me skenën që herët në koncerte dhe festivale të shkollave në qytetin e saj, Vlorës dhe më pas si pjesëmarrëse në festivale në Radio-Televizion dhe anketa muzikore, duke arritur të prek çmime të parë dhe të dytë, ajo kuptoi se po aq suksesshëm mund të debutonte  dhe në skenat evropiane, kryesisht në Gjermani, ku punoi e jetoi për disa vite si emigrante e më pas si e tillë në Amerikë. Në ardhjen e saj të fundit, ku për afro një muaj dha koncerte recitale me këngë nga albumi i saj më i ri, në qytetet Tiranë, Fier, Vlorë, Korçë, më obliguan të zhvilloja me të një intervistë eksluzive për gazetën tonë “Intervista”. Kisha plot shtatë vjetë pa u takar me të, që nga zhvillimi i intervistës kur ajo do të niste shtegëtimin për në New York, si emigrante, po kështu edhe unë për në Athinë. Ajo tregoi episode përzier midis baticave e  zbaticave të jetës së saj, mallin për njerëzit dhe vajzën e saj 9 vjeçare Sibora, e cila   njihej si këngëtare dhe miss. e shkollave në Manhattan (New York).

 

F.Shehu:-Si u ndiet, kur shkelët pas shtatë vjetësh pragun e kësaj shtëpie?
A.Bitri:-Dihet se çdo shqiptar largohet nga vendi i tij për një jetë më të mirë, duke lënë pas krahëve familjen, të afërmit, padyshim dhe ëndrrën për t’u rikthyer përsëri. Gjithësesi kjo ndiesi tek unë ka qenë disi më e veçantë, pasi çdo moment më ka munguar publiku im, duartrokitjet e tij, mes të cilave unë u rrita dhe vazhdoj të rritem si këngëtare. Duke përjetuar gjithshka nga vitet e arta të skenës shqiptare në Amerikë, më është dashur të punoj ditë e natë me besimin për të mbajtur formën e zërit tim, duke i thënë publikut tim se unë jam përsëri mes jush.

– Ku banon aktualisht Anita Bitri?
– Mund të them se gjatë periudhës së shtegëtimit tim në Amerikë, unë vazhdoj të banoj në New York, në Manhattan së bashku me mamanë dhe vajzën time Sibora.

Cilat janë disa nga momentet më të veçanta të jetës suaj në Amerikë?
– Çdokush që shkon në emigracion, patjetër që i është dashur të përballet me mjaft probleme deri në racizëm ndaj tij. Do të thosha edhe pse Amerika ëndrra e mjaft shqiptarëve, integrimi me jetën amerikane, kurrësesi nuk mund të konsiderohet i lehtë. Falë Zotit dhe ndihmës së disa prej shqiptarëve më të hershëm se unë në këtë vend, kryesisht njerëz të artit, jo vetëm nga Shqipëria, por madje, edhe nga Kosova, Maqedonia, kam mundur të jap disa koncerte recitale deri tek ato të zhvilluara për bamirësi, duke marrë pjesë si këngëtare e muzikës së lehtë dhe popullore.

Pak më parë mësuam se ju vini pas një koncerti tuajin në New York.
– Është e vërtetë. Shtysë e koncertit të para pak ditëve mund të them se ishte dhe mirënjohja ime ndaj përkushtimit të regjisores së njohur Tereza Hefel, e cila dha një ndihmë në nxjerrjen e videoklipit tim të ri, njëkohësisht mbesë e Roberto De Niros. Ishte ky koncert, pra vetëm dy ditë më parë se unë të nisesha në Shqipëri, duke mos harruar këtu dhe ndihmën e këngëtarit Frederik Ndoci dhe regjisorit të këtij koncerti, të mirënjohurit Pëllumb Kulla. Në këtë koncert tepër të suksesshëm, krahas artistëve nga Shqipëria si Pavlina Mani, Timo Flloko, Merita Halili e të tjerë ishin të pranishëm aktori i madh Xhejms Belushi, aktorja e Hollivudit Elida Dushku e të tjerë.

Kujt i jeni më tepër mirënjohëse për ecurinë tuaj të suksesshme si këngëtare?
– Padiskutim në mënyrë të veçantë mamasë sime, e cila në çdo moment, ashtu si në Shqipëri edhe në Amerikë, më ka qëndruar në kokë si dhe vëllait tim, që edhe këto ditë në Shqipëri, më ndodhet pranë. Gjithësesi dua të falenderoj Zotin për zërin, që më ka dhuruar, ku me punë e kujdesje, kërkoj të arrij atje, ku unë dëshiroj.

Si do e vlerësonit bashkëpunimin tuaj me pjesëtarët e tjerë të familjes artistike shqiptare në Amerikë?
-Është vërtetë mjaft domethënës fakti që midis artistëve në Amerikë egziston i njëjti respekt e bashkëpunim, sikundër e kemi patur vite më parë, me Simakun, Ermira Babaliun, Merita Halilin, Aurela Gaçen, Roland Çarkën, Zhuljeta Kullën. Si veçanti e bukur e jona në jetën amerikane qëndron në faktin se janë po ata shokë e shoqe të mi, kritikët e mbështetësit e mi në koncerte në New York e më gjerë.

-Mund të na thoni diçka më tepër rreth albumit tuaj të ri “Çdo gjë është e mundur”
-Mendoj se ky album ndryshon nga të mëparëshmit, pasi në  jetë çdo gjë është ndryshe, e pranishme kjo në jetën e çdonjerit prej nesh. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për veten time, ku krahas emërtimit nënë edhe pse larg vendit tim, me mund e sakrificë kam arritur të bëhem përsëri e njohur. Albumi im i fundit krahas muzikës rep, ku unë këndoj në shqip dhe anglisht, duke mos munguar këtu kërcimi i një trupe baleti e në mes të tyre vajza ime Sibora dhe unë në video e titulluar “Nostalgjia” kushtuar Sarandës, vendlindjes sime, Vlora ku kam kaluar vitet më të bukura të jetës sime dhe qytete të tjera shqiptare.

Anitë, keni një vajzë të bukur si ju, Sibora, 9 vjeçe.   Çfarë synon të arrish me të?
– Faleminderit, Fadil. Së pari tek Sibora unë kërkoj që ajo të gëzojë shëndet të mirë dhe të rritet e lumtur. Edhe pse ndoshta aktualisht vazhdon kurset e baletit dhe të pianos. Mendoj se nesër mund të bëhet një aktore shumë e mirë, pasi si e tillë është shumë e talentuar. Sibora morri pjesë në konkursin që u zhvillua për Miss Amerika, madje është vlerësuar me çmim nga juritë përkatëse. Gjithësesi është ende herët të flasësh për të, pasi Sibora për të ardhmen e saj do e shikoj vetë se çfarë pozicionimi do të marrë në jetë.

 –Keni patur një axhendë të ngjeshur këto ditë në disa qytete të vendit tonë, e megjithatë keni pohuar se përsëri në një të ardhmëe të afërt, do të keni sërishnjë rikthim në Shqipëri, madje e përgatitur për të dhënë disa koncerte.
– Po është e vërtetë. U lumturova me ndryshimet që kanë pësuar kohët e fundit Tirana, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Pogëradeci, Durrësi e qytete të tjera. Është ky një obligim, i cili më shtyn për një rikthim sa më të shpejtë në Shqipëri, përball publikut që më ka dhuruar gjithëshka. Ndaj po lidhim negociata për të dhënë ndoshta nga fundi i vitit koncerte në këto qytete. Gjithësesi, Fadil, nesër më duhet të nisem përsëri në Amerikë, duke lënë këtë intervistë të hapur, finishi i së cilës do të jenë koncertet që unë do të jap në Shqipëri.

– Ju faleminderit!

Pas disa ditësh të botimit të intervistës , Anita së bashku me mamanë dhe vajzën e saj Sibora, vdesin në mënyrë tragjike nga gazi gjatë natës në shtëpi në New York. Të tre trupat pa jetë u varrosën në varrezat publike të qytetit të Vlorës, të përcjellë midis lotëve dhe dëshpërimit, nga mijëra qytetarë, artistë e artdashës nga Vlora dhe gjithë Shqipëria. Me rastin e 40 vjetorit të lindjes së këngëtares së njohur vlonjate Anita Bitri, Këshilli bashkiak i qytetit të Vlorës, emëroi një nga rrugët në qendër të qytetit me emrin e saj.    

VLORË,UJI I FTOHTË”. Fadil Shehu

*********************************

“Anita, artiste që e mposhti diktaturën”

E Enjte, 21 Tetor 2004. “Korrieri”.

VLORË – Në mjediset e artit në Vlorë, kolegë të saj tregojnë për “Korrieri”-n, se Anita ishte rritur me këngën dhe se kishte shumë dashuri për vendin e saj të lindjes. Regjizori i Teatrit “Petro Marko”, Luftar Veshi tregon se Anita ka punuar dhe ka dhënë një kontribut mjaft të çmuar në Estradën profesioniste të Vlorës. Madje thotë ai, “Anita ishte një këngëtare që e mposhti diktaturën duke dalluar mjaft nga këngëtarët e tjerë”. Ndërsa humoristi Afrim Agalliu shton se Anita u rrit në skenën e Vlorës. “Ajo nuk shkëputej asnjëherë prej saj, dhe nga aktivitetet që zhvilloheshin në estradën e qytetit të saj”. 

Drejtori i Ansamblit Popullor, Haxhi Dalipi, dikur udhëheqës artistik në vlorë, kujton hapat e parë të Anita Bitrit gjatë një interviste me gazetaren Alma Mile.

Atëherë ajo ishte ende një vajzë e vogël, që mësonte violinë në shkollën artistike në vlorë. Kishte ëndërra pa fund. Dëshironte të bëhej si Vaçe Zela dhe të dridhte skenat e festivaleve. Në ato vite, drejtori aktual i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Haxhi Dalipi, punonte si udhëheqës artistik në qytetin e Vlorës dhe e kujton fare mirë vajzën e vogël, që shumë shpejt u bë e madhe. Dalipi kujton: “Anita spikaste për cilësitë e veçanta prej muzikanti dhe temperamentin artistik. Kuptova potencialin dhe nisa që ta stimuloj më tej për të kultivuar pasionin për muzikën, veçanërisht për këngën, edhe pse më shumë se një herë i këshilloja që të bëhej dirigjente. Por ajo duke qeshur më thoshte: “profesor kur refuzova violinën e Papavramit….”.Ky “refuzim”, nuk ishte gjë tjetër veçse konfirmimi i pasionit të madh që vogëlushja Bitri kishte për këngën. Që fëmij kishte një natyrë shumë të hapur, të çiltër dhe shumë të vendosur. Kishte disa cilësi, përmes të cilave ndjeheshin bulëzat e artistit”. Bulëza, që do shpërthenin bujshëm me një këngë, e cila u mendua enkas për të ishte “Hartimi dhe Dëbora”.Ky ishte shpërthimi i parë skenik. Një shpërthim, i cili do të përsëritej sa herë, që Anita Bitri do të ngjitej në skenë dhe do të shfaqte vokalin e saj të shkëlqyer.

– E keni njohur Anita Bitrin, që fare të vogël, ç’mund
të kujtoni prej fëmijërisë së saj?

– E kam njohur Anitën që të vogël, që në hapat e para të formimit të saj artistik dhe ende e ruaj imazhin e saj të dikurshëm. Ajo ka qënë një nxënëse shumë e talentuar në shkollën artistike “Naim Frashëri” të Vlorës. Ka studiuar për violinë dhe ka qenë nxënëse e mjeshtrit Robert Papavrami, të cilin ajo e kishte idhull dhe siç thoshte ajo shpesh: “Sa herë mësoj një këngë të re, më kujtohen këshillat e tij për llogjikën e formimit të frazës muzikore”.

– Ç’mund të na tregoni për karakterin e saj, çfarë e bënte të veçantë?

– Të gjithë mësuesit e shkollës artistike “Naim Frashëri” të vlorës e kujtojnë Anitën e shkathët, me një gjallëri të jashtëzakonshme. Kishte një dëgjim perfekt, vitalitet dhe një ndjeshmëri të thellë. Ishte një vajzë me ambicje. Nuk pranonte kompromise dhe asnjëherë nuk pranoi një këngë për të qenë e pranishme në skenën e festivaleve. Kjo bëri që ajo të dilte shumë shpejt prej radhës dhe të spikaste si një individualitet.

– Cili ishte hapi i parë i saj drejt botës së këngës?

– Kujtoj një moment që do të luante një rol vendimtar në të ardhmen si këngëtare të Anitës. Një shoqja e saj e klasës kompozoi një këngë, e cila është e njohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve: “Hartimi dhe Dëbora”. Në atë kohë ne bënim një festivalnë vlorë dhe i pari zë që më erdhi në mendje, që mund të këndonte këtë këngë ishte ai i Anitës. Ajo ishte një këngë e bukur, e brishtë, por e veçantë. Më kujtohen sytë e Anitës, kur e mori në duar këtë këngë, buzëqeshja e saj … Ishte maturante atëherë. Që në atë moment bashkë me kolegët besuam se do të përcillnim diçka të veçantë, jo thjesht për shkak të krijimit, por sepse atë do ta këndonte Anita. Një interpretim i parë, por edhe i suksesshëm… E vërteta është që Anita e ka interpretuar shumë bukur këtë këngë, ajo fitoi çmimin e parë në Festivalin e Vlorës, më tej e sollëm në Anketën Muzikore, ku gjithashtu ka fituar vendin e parë. Kjo këngë u ruajt gjatë në kujtimet e njerëzve, sepse të gjithë i kanë kaluar këto emocione, por mendimi im është që ka qenë pikërisht Anita Bitri që i përcolli këto emocione tek të gjitha brezat, madje edhe tek ata më të rinjë, të cilët nuk kanë jetuar në ato vite, kur është kënduar kjo këngë.

– Keni mbajtur më tej lidhje me këngëtaren?

Anita e vogël u bë e madhe. Më tej vijuan të tjera këngë të suksesshme … Megjithatë lidhjet i kemi ruajtur edhe më vonë, kur ajo u bë e njohur. 
Asnjëherë nuk i harroi mësuesit e saj, madje edhe në intervistat që ka dhënë në shtypin e përditshëm, e ka përmendur ndihmën që unë dhe kolegët e mi, i kemi dhënë, për të hedhur hapat e para drejt skenës. Edhe kur u largua në Amerikë, telefonatat dhe urimet e saj do të ishin të pranishme në çdo festë. Ishte një vajzë tepër e dashur.

**********************************************

Është diçka e rrallë që në një nga rrugët e bukura në Manhattan, zemrës së New Yorkut, nën hijen e rëndë të grataçelave të larta, të tërheqë vëmendjen reklamimi i bujshëm i këngëtares sonë të njohur Anita Bitri. Afrohesh pranë pikave më të mëdha të shitjes së kasetave dhe CD dhe teksa sheh klasifikimin e tirazheve në shitje të këtyre albumeve, vë re se albumi i rii Anitës, i titulluar “Malli”, ka më se dy muaj që zë vendin e parë në tirazhin e shitjes. Nëpërmjet mikpritjes së saj karakteristike, Anita flet ekskluzivisht për gazetën “Shekulli”, ardhjen e saj në Amerikë, debutimet e saj, mallin për skenën shqiptare, punimet dhe krijimtarinë e saj në albumin e ri si dhe për ndihmesën e saj të madhe në jetën kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan.

– Si keni ardhur fillimisht në Amerikë?

– Në radhë të parë, dua të falendëroj gazetën “Shekulli” për këtë intervistë. “Shekulli” është një gazetë shumë e dëshiruar në botën shqiptare. Çdo njeri në botë e ka ëndërr që të shohë Amerikën dhe pak si më të tepruar ne shqiptarët. Edhe për mua ishte kjo ëndërr. Por me mua ndodhi pak si më ndryshe. Ishte një telefonatë në familjen time, për një ofertë që më drejtohej personalisht, dhe lotët e mia nga gëzimi ishin vula e kësaj oferte. Kuptohet, Amerika është e bukur, por në prezantimin tim të parë me botën amerikane dukej se Amerika nuk më donte fare. Shumë gjëra për mua ishin të panjohura, njerëzit, mënyra e tyre e jetesës, shijet për këngët ishte e ndryshme, netët e mundimshme të punës si dhe malli i gjithçkaje që kisha lënë aq larg. Më dhimbte zemra kur kujtoja Anitën e djeshme. E ndieja që më mungonte diçka dhe pikërisht ishte ajo skenë, emocioni, buzëqeshjet, duartrokitjet dhe ngrohtësia e publikut të dashur shqiptar.

– A e kishit menduar ndonjëherë se do të debutonit kaq larg vendit tuaj, duke mos harruar se për një periudhë keni debutuar në skenat e Evropës?

– Të them të drejtën, kërkesa për të ardhur në Amerikë kam pasur që në vitet `90, por asnjëherë nuk kam dashur të jem kaq larg Shqipërisë dhe aq më tepër Vlorës sime të dashur. Por e detyruar nga kushtet e vështira që po kalonte vendi im dhe nga kriza e madhe që përfshiu botën muzikore shqiptare në atë periudhë u detyrova ta pranoj ofertën, por asnjëherë me mendimin se unë do të qëndroja këtu në Amerikë. Ndjenja e pritjes dhe e shpresës se së shpejti do të kthehesha pranë gjirit të atdheut tim të dashur luajti faktorin vendimtar për qëndrimin tim këtu. Por disa herë në jetë gjërat nuk venë ashtu siç i dëshiron dhe i pret …

– Ka kohë që nëpër skenat e festivaleve emri Anita Bitri mungon, kjo u sjell ndopak nostalgji apo dhimbje shpirtërore?

– Është një dhimbje që në shpirtin e kujtdo artisti është e madhe, por dhe më e ndjeshme tek mua, e lidhur kjo me natyrën sentimentale timen. Natyra e debutimit në festival është e një natyre krejtësisht e ndryshme nga kjo e debutimit këtu. Në festival paraqitesh me një këngë, dhe nëpërmjet interpretimit arrin dhe komunikon me shpirtin e publikut dhe reagimi i tij i menjëhershëm është edhe finalizimi i punës tënde dhe interpretimi në jetën e një këngëtari, aty merr përgjigjen e saktë të stadit në të cilin ti ndodhesh. Kam mall tepër të madh për këtë skenë dhe në momentin e parë kur të jepet mundësia debutimi im nuk ka për të munguar.

– Gjatë debutimit tuaj në Shqipëri keni bashkëpunuar me emra me zë si në atë të muzikës po ashtu dhe në atë të vargut, këtë bashkëpunim e keni pasur dhe këtu në diasporë?

– Kuptohet, bashkëpunime ka pasur, por kjo është një gjë tepër e vështirë këtu në Amerikë, sepse këtu në ambientet shqiptare dominon muzika popullore, duke mos harruar për asnjë çast se unë vija me debutime në fushën e muzikës së lehtë. Duke pasur të bëjmë me një publik shqiptar të ardhur në Amerikë përpara 30-vjetësh, më është dashur një punë tepër e tensionuar për të futur në natyrën e këtij publiku jo vetëm muzikën popullore të trashëguar, por dhe muzikën e lehtë shqiptare. Them se kam arritur që kjo muzikë të futet plotësisht në botën e tyre për të bërë të qartë se progresi në Shqipëri ka përfshirë dhe fushën e muzikës.

– Si e ka pritur publiku shqiptar i amerikës këngëtaren e njohur Anita Bitri?

– Jam tepër e lumtur që pas tre vjet pune intensive publiku më dëgjon tamam si një artiste dhe jo thjesht si një mjet argëtimi. Mënyra ime e interpretimit, gërshetimi i muzikës popullore me atë të lehtë, është një nga armët e miatë komunikimit me publikun shqiptar, por pjesën më të madhe të debutimit tim këtu e zënë koncertet e mia thjesht si Anita. Nëpërmjet interpretimit kam arritur të kuptoj se në komunitetin shqiptar këtu ka me të vërtetë njerëz që e kërkojnë, e adhurojnë dhe tregojnë një interes tepër të madh për muzikën e lehtë shqiptare.

– A mendoni se këngët tuaja, interpretimi juaj mbulon një pjesë të boshllëkut që kanë shqiptarët në mallin e tyre për atdheun?

– Unë i adhuroj dhe i dua të gjithë shqiptarët, por të them të drejtën kam një nostalgji të veçantë për shqiptarët e ardhur nga Shqipëria, sepse vuajtjet e tyre shpirtërore, ekonomike dhe malli që kanë ata për vendlindjen është një pjesë dhee jetës sime. Janë me të vërtetë disa momente të veçanta, kur shikoj plakun të lotoj e familjen të qajë nga gëzimi, janë momente të veçanta aq larg jetës së zhurmëshme amerikane dhe asaj të dollarit, dhe shpirti prehet atje larg në tokën tënde të dashur që ashtu si malli, e ndajnë mijëra kilometra.

– Mund të na flisni diçka konkrete rreth albumit tuaj të titulluar “Malli”?

– Ky album i ri ka kohë që ka dalë në qarkullim, dhe është një album në të cilin janë gërshetuar këngët e mia fituese si dhe këngë të reja. Duke ditur se këngët e mia fituese dhe ato me çmime ngelen për mua perla të interpretimit tim, kam dashur t’i komunikoj drejt për drejt te publiku këtu, por kjo e shoqëruar me këngën time të re “Malli”, të kompozuar nga kitaristi i njohur Edi Xhani dhe me tekstin të shkruajtuar nga ana ime, si dhe këngën tjetër të kompozuar dhe tekstin tim të titulluar “Për ty ëndërroja”. Janë dy këngë në të cilat ka lot, dhimbje, nostalgji dhe ua kam kushtuar të gjithë shqiptarëve kudo në botë që ndodhen e që janë larg vendit. Jam munduar të përshkruaj në mes këtyre këngëve antitezën e madhe që ka luksi i botës së jashtme me mallin për gjithçka që ke lënë në atdheun tënd. Është një album profesional, në të cilin ka punuar një staf i dëgjuar në fushën e regjistrimit, dhe profesionist të njohur këtu në ilustrimin e kopertinës, për të paraqitur akoma dhe më të gjallë titullin e këtij albumi. Regjistrimet janë bërë në “ELEKTRIC PLANET SOUND STUDIOS”, në Brooklyn.

– Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

– Do të doja të sqaroja se albumi im “Malli” ka qënë i projektuar për qarkullim që në vitin 1997, por për arsyet e mia personale doli në qarkullim në `98. Por puna ime nuk ka ngelur me kaq. Gjatë kësaj kohe kam punuar për nxjerrjen e një albumi të dytë, ku do të jenë midis tyre dhe pesë ose gjashtë punime mbi ato çka kaloi vendi im në pranverën e `97. Këtë album ua dedikoj të gjitha nënave shqiptare, por sidomos atyre vlonjate, pasi dhe sot unë jam nënë vetë dhe tashti mund ta kuptoj akoma më mirë dashurinë dhe dhembjen që ka një nënë për fëmijën e vet. Në këto këngë kam dashur të gërshetoj dhimbjen e shamizezave për fëmijët e tyre, por dhe dhimbjen që kam për rrugët e qytetit tim, për detin tim të dashur dhe për gjithçka që më lidh dhe e dua në qytetin tim të lindjes. Do të ketë kompozime të ndryshme, por pjesa më e madhe janë të kompozuara nga mua.

– Do të donim të dinim cili është kontributi juaj këtu në diasporë, duke ditur që larmiteti këtu ka qenë i madh?

– Në të gjitha aktivitetet e komunitetit këtu në Amerikë emri im nuk ka munguar. Kam marrë pjesë jo vetëm në aktivitetet e organizuara në përkujtim të festave nacionale të organizuara nga misioni shqiptar pranë 0KB, si Festa e Flamurit, ajo e çlirimit, por dhe në ato të organizuara nga shoqatat e organizatat joqeveritare. Kam dhënë një kontribut në koncertet e zhvilluara, në të cilat janë mbledhur ndihma për Kosovën, në ndihmë të Universitetit të Shkupit, në ato të UNICEF-it. Kam kontribuar me gjithë zemër për të ndihmuar shqiptarët kudo që janë në botë.

– Mund të na flisni diçka në lidhje me emrin Sibora, pse ky emër?

– Është nga gjërat më të çmuara që kam në jetë, vajza ime e quajtur Sibora. Të them të drejtën, kam vuajtur shumë për t’i gjetur këtë emër dhe dhe kjo nga fakti se dikur kërkoja t’u vija nipërve e mbesave të mia emra të huaj, por kur erdhi radha e vajzës sime këtu ishte diçka komplet e kundërt. Ndoshta është Amerika ajo që të edukon të duash me të vërtetë nacionalitetin tënd, por më tepër jam e bindur që këtu e ndjen tamam veten shqiptar. Jam tepër e lumtur për këtë emër për krijesën time të dashur.

– Nëpërmjet gazetës sonë, cilët do të ishin njerëzit që do të donit të përshëndesnit nga larg?

– Shqipëria është një vend i vogël, por në botën e saj të brendshme njerëzit janë aq të mëdhenj dhe aq të ngritur në aspektin e muzikës. Në rradhë të parë do të doja të shprehja ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së poetit Alqi Boshnjaku, i cili ka qenë një nga poetët e mi të parë në këngët e mia. Respekt ruaj për Jorgo Papingjin, Flamur Shehun, Vladimir Kotanin, Ferdinand Deda, etj, të cilët kanë qenë ata që me punën e tyre bënë që unë të arrij sot këtu ku jam.

– Më së fundi cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që janë?

– Dua të përshëndes të gjithë popullin shqiptar kudo që ndodhet me urimet e mia më të përzemërta; Gëzuar Vitin e Ri 1999! Le të jetë për ne një vit i realizimit të të gjitha ëndërrave dhe i të gjitha dëshirave tona. Ky vit që vjen nuk dua që të na gjej të ndarë në ngjyra të ndryshme, por të bashkuar në idealin e shenjtë të shqiptarizmit. Njerëzit ti ulin armët, se prej tyre vetëm dhembje e lot mund të përfitosh. Mjaft me gjak. Kujtimi i atyre që lanë me gjakun e tyre të ri tokën shqiptare nuk duhet të na trubulloj, por të na mbaj lart dëshirën dhe ndjenjën për një Shqipëri të qetë e të bukur. Ju premtoj nga larg se së shpejti zëri im do të jetë afër jush për të ndarë si dikur dhimbjen dhe gëzimin. Nga New Yorku, përshëndetjet e mia të zjarrta dhe lutjet e mia për Zotin do të jenë dhe lutjet tuaja për gjithçka të mirë e të mbarë.

27 Dhjetor 1998. Aristotel Zoto. Gazeta “Shekulli”.

*********************************

“Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë”

RRËFIMI I KËNGËTARES: KJO ËSHTË HISTORIA IME AMERIKANE 

Anita Bitri: Tani nuk nxitohem më

Anita Bitri shkeli sërish Tiranën, pas nëntë vjetësh. Gjeti pallate të pikturuara, rrugë të bukura dhe të ndriçuara, një lumë të pastër në mes të qytetit, dhe asnjë kioskë. Iu duk një qytet i bukur. Dhe njerëzit nuk e kishin harruar. Që në aeroport e ndalonin, e përshëndesnin dhe e pyesnin: “Ku ke qenë? Ka kohë që nuk të shohim!” Ka ardhur të prezantoj albumin e saj të ri “Çdo gjë është e mundur”; ka ardhur të shohë gjërat që kanë ecur me një vrap të çmendur; të takoj miqtë e hershëm e të tregoj historinë e ikjes së saj. Tashmë ajo mendon se është pikërisht një ndërthurje: Anita e viteve ´90, të lëna në mes, dhe ajo e viteve 2000. Dikur i këndonte nxitimit, tani mendon se është ndryshe. E takojmë në hotel “Mondial” dhe i marrim një intervistë.

– Anita, ju sjell në Shqipëri albumi juaj i ri“Çdo gjë është e mundur”. Veçoni diçka prej tij?

– Në këtë album unë shfaqem si kantautore, këndoj me vajzën time, Siborën, e cila tani në gusht bëhet 8 vjeçe. Këto janë për tu veçuar, apo jo? Po ashtu, për këtë album bashkëpunoj me një kompani amerikane dhe këndoj me këngëtarë amerikanë. Stafi amerikan i këtij albumi ka nisur tanimë të punojë remikset e këngëve të mia, për stilin dans, për në klubet e Shqipërisë. Këngët janë shumëtë veçnata, pasi përfshihen të gjitha sferat e jetës: janë gëzimet, dhimbjet, emigracioni, nostalgjia, dashuria, mbase një dashuri e humbur, por e fortë, një dëshirë për t´ia mbathuar me korvetë… 

– Ju thoni se gjithçka është e mundur. Çfarë është e pamundur për Anita Bitrin?

– Asgjë nuk është e pamundur. Nëse dikush i vë një synim vetes së tij, çdo gjë është e mundur. Me pak besim, kurajo, dhe shumë, shumë punë, gjithçka është e mundur.

– Çfarë është Amerika për ty?

– Amerika është një shtet shumë, shumë i civilizuar, me një hapësirë shumë të madhe krijuese, ku çfarëdo që mund ti kërkosh vetes, atje mund ta gjesh.

– Pas kaq kohësh, mendoni se ekziston vërtet ajo historia e famshme e “ëndërrës amerikane”?

– Historia e “ëndërrës amerikane” nuk ekzisiton. Ajo shfaqet veç në ekranet e kinemasë, në filmat ku çdo gjë duket si ëndërr. Sepse “ëndërrën amerikane” nuk e kanë jetuar as amerikanët e vërtetë. As ata nuk janë të kënaqur me Amerikën e tyre. Pa punë nuk mund të prekësh asgjë, asnjë ëndërr.

– Dikur ju këndonit “Mos u nxito, mos u gabo”. A është nxituar Anita Bitri?

– Unë nuk e di në ka vallë ndonjë njeri që nuk nxitohet. Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë. Pra, e shoh; e di që është e kaluara ime, por nuk është rruga ku do të doja të ecja sërish. Nëse do të kisha rast për një rinisje, nuk do të ecja nga ajo rrugë.

– Jeni shprehur se do të merrni pjesë edhe në festivalin e dhjetorit.

– Kam, në fakt, shumë dëshirë, por pres që të më bëjnë një ftesë për pjesëmarrje. Kënga, besoj, nuk do të jetë nga CD-ja, pasi ajo ka ato emocione që unë kam pasur dikur. Tani unë jam në Tiranë dhe kam emocione të tjera. Unë jetoj me momentin. Madje, dhe suksesin tim e shoh në raport me momentin e jetës. Por jam e sigurt që do të kthehem në atë skenë, me po atë zë, me po atë ritëm dhe potencial, por shumë, shumë herë më fuqishëm.

“Publiku nuk më ka harruar”

Atë ditë që preku tokën, kur sapo zbriti në aeroportin e Rinasit, Anita Bitri e kuptoi se askush nuk e kishte harruar. Shihte ngado njerëz që e thërrisnin ose e pyesnin për mungesën. Dhe, ndërsa harrohet pas detajeve, tregon befasinë, përplasjen e saj me ndryshimet në Tiranë. “Tirana ka ndryshuar e gjitha. Nuk e kisha pritur një Tiranë me rrugë të bukura, me fasada të larta dhe ku ishin zhdukur kioskat. Kur ika prej këtej, lashë kioska gjithandej. Tani e gjeta Lanën të pastër dhe piktura në pallate. Më kanë pëlqyer shumë të gjitha këto ndryshime”. Por arsyeja e këtij kthimi është, në fakt, muzika. Ajo e ka ndjekur që andej, përtej Atlantikut dhe e shqetëson kjo rrëmuj në muzikën shqiptare, tendenca e vulgut dhe kopjimet. “E shoh se në Shqipëri janë futur, më tepër seç duhet, rrymat e muzikës popullore. Por unë besoj se ky publik nuk meriton vetëm muzikën popullore. Po të sjellim ndërmend muzikën e bukur të festivaleve të viteve ´70, ´80, ´90 të Vaçe Zelës, Anita Takes etj…, mendoj se duhet të punojmë pak më shumë me muzikën tonë, muzikën moderne shqiptare dhe të shmangim sa më shumë tendencat e këngëve të huaja”, – thotë ajo.

Admirina Peçi (Gazetare)

*********************************

Këngëtarja e mirënjohur e muzikës së lehtë shqiptare Anita Bitri fituese e shumë çmimeve në festivalet e këngëve në Radio Television, në Koncertet e Pranverës, etj, pas një turneu dy vjeçar nëpër Evropë, sapo u kthye nga Gjermania dha për artdashësit e saj të Vlorës një koncert recital dhe pati shumë sukses. Për dy netë me rradhë ky koncert u ndoq nga 4 mijë spektator. E kërkova ato ditë, por nuk e gjeta gjëkundi madje artisti i popullit Albert Vërrija, kur mori vesh se doja ta intervistoja më tha: “Lëreni vajzën të çmallet me të jëmën dhe të ngopet me gjumë se pa u shlodhur mirë nga udhëtimi ka dy netë me radhë që jep koncerte… “. E takoj dhe e marr në intervistë.

Fadil Shehu: – Ku keni qënë gjatë kësaj periudhe që i keni munguar spektatorit dhe telespektatorit tonë?

Anita Bitri: – Edhe pse kam dhënë shumë koncerte në Turqi, Itali, Francë, kohës më të madhe kam qëndruar dhe punuar në Gjermani. Për dy arsye: E para, sepse atje janë mijëra shqiptarë dhe, e dyta, sepse standarti i jetesës dhe vlerësimi që më bëhet është me i lartë se në vendet e tjera.

Fadil Shehu: – Çfarë kanë pëlqyer europianët tek Anita këngëtare?

Anita Bitri: – Interpretimin tim. Nivelin tim artistik.

Fadil Shehu: – Anita, si këngëtare ke fituar simpatinë e artdashësve në të gjithë vendin. Për të shuar kureshtjen e lexuesit, a mund të nathuash diçka nga vitet e para të jetës dhe veprimtarisë tënde artistike? Ja, për shembull, cila ka qënë Anita fëmijë?

Anita Bitri: – Kam qënë kryesisht një vajzë me temperament. Kam ndjekur liceun artistik në vlorë dhe në moshën 6 vjeç e gjysëm, kam qënë nxënësja e të talentuarit Robert Papavrami, babait të violinistit tonë të madh Tedi Papavramit. Që në atë moshë, me ndihmën e tij të pakursyer arrita të jap koncertin e parë me violinë para një auditori të gjerë…

Fadil Shehu: – Domethënë afirmimi juaj si këngëtare nuk ka ardhur rastësisht?

Anita Bitri: – Jo. Këngëtare jam bërë fare rastësisht, sepse, unë në liceun artistik studioja për violinë.

Fadil Shehu: – Dhe si ndodhi që kaluat në kanto?

Anita Bitri: – Kur isha maturante, në një koncert, do të ekzekutoja një pjesë si instrumentiste me violinë, por ndodhi që atë pasdite një këngëtare u sëmurë. Atëhere unë e zvëndësova dhe u paraqita për herë të parë si këngëtare. Në atë koncert hodha hapin e parë në rrugën e këngës.

Fadil Shehu: – Po pastaj?

Anita Bitri: – Më vonë, pasi përfundova liceun artistik, fillova punë si këngëtare profesioniste në estradën e vlorës, ku njëkohësisht ndiqja institutin e lartë pedagogjik të elbasanit për kanto….

Fadil Shehu: – Në qoftë se do t’u pyesim se cila është kënga juaj më e mirë, cilën prej tyre do të nxirrnit nga arshiva?

Anita Bitri: – Është një pyetje pak e vështirë, pasi mua me këngët më ndodh si puna e prindit me fëmijët… Unë të gjitha këngët i vlerësoj njësoj, edhe në të ardhmen do të punoj me përkushtim që këngët e reja të jenë në nivel sa më të lart, e pse jo dhe më të arrira artistikisht se këngët e mëparshme. Megjithatë këtu do të veçoja këngën “Dashuria ka emrin tënd”, të cilën e kam kënduar në festivalin e vitit 1993, ku dhe u vlersova me çmim nderi.

Fadil Shehu: – Çfarë motive mbartin zakonisht këngët e tua?

Anita Bitri: – Të gjitha i kushtohen dashurisë. Lum kush i këndon kësaj ndjenje kaq të bukur.

Fadil Shehu: – Natyra të ka dhënë shumë, Anita. Mendon se të mungon diçka?

Anita Bitri: – Të them të drejtën, deri tani asgjë nuk më mungon. Tani për tani jam dashuruar vetëm me këngën, me muzikën.Kënga ime pëlqehet për këtë jam e kënaqur dhe ndjehem krenare. Talentin ma ka falur natyra. Fakt për këtë janë edhe koncertet e këtyre ditëve në Vlorë. Pata një sukses të jashtëzakonshëm.

Fadil Shehu: – Besoni tek Zoti?

Anita Bitri: – Po. Unë besoj shumë. Besoj për gjithçka tek Zoti dhe e falenderoj për të gjithë dhuntit që më ka dhuruar.

Fadil Shehu: – Do të të pëlqente të kishe dhe ti albumin tënd muzikor?

Anita Bitri: – Patjetër. Kjo është ëndërr e çdo këngëtari. Për këtë po punoj dhe në janar do të kem këngët e mia në video…

Fadil Shehu: – Çfarë u uron simpatizantëve të tu kudo që ndodhen?

Anita Bitri: – Ju uroj artdashësve dhe gjithë shqiptarëve begati. Të jetojnë mirë e më mirë dhe kudo të kenë paqe e lumturi. Të besojnë gjithmonë tek Zoti!

Fadil Shehu. Intervista 111. 03/12/1995

*********************************

Në intervistë me këngëtaren Anita Bitri, ajo shprehet “Vetëm në skenën shqiptare do të këndoja gjithë jetën”.

Pas një koncerti të suksesshëm në Vlorë së bashku me prezantuesen Silvana Braçe ajo filloi turneun e saj në Tropojë, Tiranë, Shkodër, Korçë, Fier, Berat. Anita Bitri është ndër këngëtarët e pakët që koncertet e saj i interpreton dal vivo.

Kush e përcaktoi rrugën drejt këngës?

– Unë kam mbaruar liceun artistik, kam studiuar 12 vjet për violinë. Violina hyn në fushën e artit. Unë iu përkushtova këngës pasi zëri im është evidentuar që në moshën 6 vjeçare. Kur studioja për violinë njëkohësisht merrja pjesë dhe në festivalet e këngës për fëmijë. Ndryshimi ndërmjet violinës dhe këngës është, se në violinë do të shpalosja vlerat e artit me veprat e klasikëve, kurse kalimi në rrugën e këngës më bën që të shpalos vlerat e mia artistike, dhe më duket se jam më afër me spektatorët. Mendoj se i përkushtohem tërësisht artit dhe arrij atë ç’ka dua.

Ekspresiviteti juaj në skenë ka të bëjë me interpretimin e këngës?

– Në përgjithësi jam një artiste që i ndiej shumë gjërat dhe gjithashtu kuptimi im është i ndarë në butësi dhe në ekspresivitet. Në disa momente jam e butë dhe e ndjerë, dhe në disa momente të tjera jam ekspersive. Në këto moment hyn dhe interpretimi i këngës. Më vjen mirë që spektatori që në fillimet e mia më ka quajtur ekspresive dhe me temperament.

Në turneun që keni zhvilluar në Europë keni interpretuar këngën popullore, arsyeja?

– Edhe unë për aq kohë sa kam kënduar jashtë kufijve të vendit tim e kam transformuar stilin e të kënduarit dhe të them të drejtën më pëlqeu pasi ndjeva që kënga popullore shqiptare është shumë e bukur dhe shumë e ndjerë. Kuptohet që asnjëherë nuk do ta harroj natyrën time si këngëtare e muzikës së lehtë. Mendoj që vetëm tek ky zhanër mund të gjej vetveten. Pra padyshim zgjedhja ime është muzika moderne, por nuk i këndoj keq dhe këngët popullore të Veriut, apo të Shqipërisë së mesme, dhe kush më ka dëgjuar, nuk beson se unë mund të këndoj ndryshe.

Para disa kohësh dhatë një koncert recital të suksesshëm në Vlorë, Tropojë dhe do të zhvilloni një turne në Shqipëri. Si ju mirëpriti publiku?

– Ideja ime kryesore me rikthimin në Shqipëri ishte të ballafaqoja veten time me publikun dhe të ndjeja po ato emocione që më kanë munguar gjatë kësaj periudhe. Është e vërtetë se kudo që kam qënë nëpër botë spektatori ka qënë shumë xhentil, por kam ndjerë se diçka më ka munguar. Kjo ka qënë buzëqeshja, duartrokitjet, dhe shpirti artistik i pazvëndësushëm shqiptar. Për mua spektatori më i mrekullushëm është spektatori vlonjat pa mohuar spektatorin kryeqtytetas. Duke qënë një vajzë vlonjate koncertin tim të parë ia kushtova qytetit tim. U mrekullova, katër mijë spektatorë dy netë me rradhë mbushën sallën dhe akoma duan një koncert tjetër timin. Spektatori e kuptoi që unë e doja atë dhe që u përpoqa me të gjitha mundësitë për t’ia treguar këtë. Është gjithmonë mirë të të dojë vendi yt, por dhe unë Vlorën s`do e ndërroja me asnjë qytet tjetër.

Si interpretuese me përvojë e këngës çfarë mund të thoni për interpretuesit e sotëm?

– Më vjen mirë që më jepet rasti që të diskutoj për nivelet e këngës sot. Është me të vërtetë gjë e bukur kur shikon që nga dita në ditë në skenë ngjiten zëra të rinj dhe talente të rinj dhe me të vërtetë shumica e tyre përfaqësojnë me dinjitet muzikën shqiptare. Duke kujtuar veten në hapat e para të miat drejtë botës së bukur të artit e di çdo të thotë të jesh e re në skenë. Uroj me shpirt gjithë intepretuesve dhe talenteve të reja që të përfaqësojnë denjësisht rrugën e këngës shqiptare dhe të bëhet ndër qëllimet më të larta të tyre.

Në festival do të merrni pjesë si konkuruese apo si pretendente e çmimit?

– Asnjëherë në të gjitha festivalet nuk kam patur pikësynim çmimin. E rëndësishme është, që kënga që interpretoj ta dua, ta dashuroj dhe kjo më bën që niveli i interpretimit të jetë sa më i lartë. Këto janë të, lidhura me tekstin, mesazhin që do të përcjellë kënga, muzikën. Mendoj se të hysh në një garë, në një maraton kënge siç është festivali është vlerësimi më i madh. Për mua vlerësimi me çmim është vetëm duartrokitja e spektatorit dhe jetëgjatësia e këngës. Falenderoj spektatorin i cili nuk mi ka kursyer asnjëherë duartrokitjet. Gjithë jetën do ta doja këtë çmim që për mua është shumë i shtrenjtë.

Skenës shqiptare iu rikthyet përfundimisht?

– Asnjëherë s’jam larguar shpirtërisht nga Shqipëria veçse është larguar vetëm një pjesë e Anitës. Gjithçka të bukur e kam këtu sepse artistët gjithmonë kanë patur nevoj për një mbështetje. Nëqoftëse më krijohet mundësia e them me bindje të plotë që unë do ta zhvilloja aktivitetin tim në Shqipëri, se vetëm në skenën shqiptare do të këndoja gjithë jetën time.

Nëntor 1995

*********************************

Pak ditë para nisjes. Nëntë muaj amerikanë të Anita Bitrit.

Këngëtarja vlonjate bashkë me disa kolegë të këngës popullore do të japë koncerte në shtetet amerikanë. Këtë rradhë udhëtimi i gjatë e çon në New York, ku i duhet të këndojë këngë shqiptare për nëntë muaj të gjatë. Para largimit të saj dha një intervistë eskiuzive për Gazetën Shqiptare.

– Si ndjeheni para largimit nga Shqipëria?

– Jam tepër e emocionuar për këtë udhëtim të largët. E di se mendja do të më rri vetëm këtu, këtë gjë e kam provuar gjatë qëndrimit në vende të tjera evropiane. Do ta ndjej vështirësinë e këtij largimi.

– Ç’përbën për ju ky udhëtim?

– Nuk mund ta imagjinoja një të ardhme të tillë. Edhe kur isha këngëtare me disa çmime kombëtare në fillimet e karrierës sime dhe punoja si mësuese muzike normat që kishte vendosur sistemi dhe paragjykimet nuk më lejonin as ta ndjeja këngën kur e këndoja, kështu që isha jo e lirshme në skenë. Ndërsa tani komunikimi me publikun është krejt i lirshëm dhe mundësitë tona si këngëtare janë shumë më të mëdha. Mund të arrijmë dhe… Amerikën.

– Publiku, veçanërisht ai vlonjat, do ta ndjej mungesën tuaj. Po ju do ta ndjeni mungesën e tij?

– Kam shumë mall për vlorën. Kur u ktheva pas qëndrimit në Gjermani, mezi prisja të shëtisja në qytetin tim të lindjes. I dua shumë vlonjatët dhe përherë më kanë respektuar si vajzën e tyre. Vlora më dha hapësira të mëdha dhe unë përpiqem t’ia shpërblej me këngët e mija për dashurinë, detin, rininë. Kërkesën për të dhënë koncert në Vlorën time e pranova menjëherë, duke dhënë tre të tillë..

– Mund të na zbuloj Anita diçka nga jeta e saj private, për shembull nëse keni ndonjë tjetër pasion veç këngës?

– Patjetër. Hobi im është çiklizmi dhe zhytjet. Në verë bëj kilometra të tëra me biçikletë, njëkohësisht si bregdetase nuk mund të ri pa notuar dhe pa u zhytur në thellësi të detit. Jam e shenjës së Bricjapit dhe jam fanatike në kërkesat e kësaj shenje.

– Cilat janë ndjenjat e Anitës në jetën private?

– I jam kushtuar tërësisht profesionit të këngës dhe jam komplet e dashuruar me të. Në jetën time private kam qënë gjithnjë e qetë dhe e rrethuar me miq të sinqertë.

Stavri Marko (Gazetar) 23/03/1996

*********************************

Anita Bitri “Kam nostalgji për skenën shqiptare”

Nga mesi i viteve 80-të në skenën muzikore shqiptare doli një këngëtare e re, plot temperament e energji dhe me një zë të ëmbël. Kjo ishte këngëtarja 18 vjeçare nga Vlora, Anita Bitri. Për shumë vjet ajo zotëroi skenën e festivaleve të këngës në radio e televizion, të festivaleve të pranverës, të estradës e të shumë koncerteve kombëtare. Aktualisht Anita jeton në New York, Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit ajo nxorri një album të ri të titulluar “Malli”. Nga titulli kuptohet se kujt i këndon Anita në këtë album të saj të ri. E pyetur lidhur me këtë album, Anita, thotë: “Ky album përmban këngën time më të preferuar “Malli” dhe këngën “Për ty ëndërroj”. Teksti i këngëve është shkruar prej saj. Përveç se këndon, Anita shkruan edhe poezi. “Në këtë album kam gërshtetuar këngët e mia më të mira të hershme me këngë të reja. Këngët e festivaleve që kam kënduar në Tiranë mbeten perlat e repertorit të muzikës sime. Për këtë arsye, dëshiroja që edhe publiku i këtushëm të dëgjoj këngët e mia të hershme”, thotë Anita për këtë disk të saj të fundit. Albumit i kam vënë titullin “Mall” sipas titullit të njërës prej këngëve të mia. Në këtë këngë ka dhimbje, ka lot, ka nostalgji për Shqipërinë dhe jetën time në atdheun tim. Atë ua kam kushtuar të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë vend tjetër të botës. Albumi është regjistruar nga profestionistë të dëgjuar në fushën e regjistrimit, pikërisht “Electric Planet Sound Studio” në Brooklyn. Vetë teksti i saj “Nga syri pikon lot, është i nxehtë përvëlon, nga buza një plagë që puthjen tënde e kërkon”, i këndon më së bukur mallit që ka këngëtarja për jetën e saj në Shqipëri, për vlorën qytetin e saj, për skenat e festivalit, për gjithçka që ajo la pas nga jeta e saj përpara se të emigronte në Shtetet e Bashkuara. “Malli është kaq i madh sa që shpesh herë mallkoj edhe Amerikën”, të bukurën Amerikë, pikërisht për shkak të mallit. Kënga thotë se këngëtarja ndodhet këtu fizikisht, por shpirti i saj ndodhet atje larg. Vërtetë këtu në SHBA ka plot gëzim, por ka edhe një mall të madh të pashuar. Amerika është ëndërra e çdo shqiptari, por Anita herë pas here e mallkon Amerikën, sepse e largoi prej vendit të saj të dashur Shqipërisë. Këtu në Shtetet e Bashkuara, Anita këndon muzikë shqiptare, kryesisht këngët e festivaleve shqiptare të këngës në Radio Televizion por edhe këngë popullore. “Repertorin e kam zgjedhur sipas shijes së shqiptarëve këtu, të cilët preferojnë më shumë muzikën popullore, por jam e lumtur që pas 3 vjetësh kam një auditor dhe publik që më dëgjon dhe më respekton si artiste, por që nuk e di se talenti im është muzika e lehtë. Por Anita mundohet të gërshetoj muzikën popullore me muzikën e lehtë. Muzika popullore që preferon Anita i përket të gjitha trojeve shqiptare, duke filluar nga jugu i Shqipërisë, këngët korçare dhe vlonjate, disa këngë të Shqipërisë së mesme dhe potpuri shkodrane, të cilat ajo është e gatshme t’i interpretoj në çdo moment. E pyetur se cilat janë këngët që i kanë lënë më shumë mbresë gjatë karrierës së saj artistike, Anita thotë se i pëlqen të gjitha këngët. “Të bësh veçime midis këngëve, është si të bësh dallime midis fëmijëve. Të gjithë janë njësoj të dashur. Megjithatë, Anita veçon këngët “Mos u nxito”, “Unë nuk të dua”, “Për ty ëndërroj”. Kjo e fundit është kënga e saj e re. Ajo është një këngë malli e dashurie midis dy njerëzve që megjithëse janë larg, kontinente të tëra larg, përsëri mendojnë për njëri -tjetrin, e kanë njëri tjetrin tek mendimet dhe dëshirat e tyre. Kritika shqiptare dalloi menjëherë tek Anita që në interpretimet e saj të para një vajzë të re të talentuar, me një karrierë të shkëlqyer artistike. Në vitin 1987 artistja e pa arritshme shqiptare, këngëtarja Vaçe Zela do të thoshtë për Anitën: “Një zë i pastër në arenën shqiptare”. Ndërsa Anita thotë se është shumë e kënaqur me fillimin e saj, të menjëhershëm, të bujshëm. Megjithatë, Anita zbulon një aspekt të padëgjuar për të. Ajo ka qënë violiniste dhe ka marrë pjesë për herë të parë në një koncert në moshën 6 vjeçare. Mësuesi i saj ka qënë profesori i shquar i violinës Robert Papavrami, i ati i violinistit të famshëm Tedi Papavramit. Anita ka dëshirë ta rifilloj prapë violinën dhe t’i japë mësime violine vajzës së saj të vogël. “Violina është mbreti i veglave muzikore”, thotë Anita. E tillë ishte karriera e Anitës në Shqipëri. 10 vjetët e veprimtarisë artistike të Anitës në Shqipëri kanë qënë vite që ajo nuk ka për t’i harruar kurrë. Në çdo moment kujtoj se megjithëse kemi patur probleme ekonomike, bile problem ekonomike të mëdha në Shqipëri, kemi patur një organizim shumë të mirë të jetës kulturoro-artistike, të cilin nuk e kemi gjetur dot më”. Mbas ndryshimeve dramatike në Shqipëri, karriera e saj ndahet në dy pjesë. Pjesa e dytë është karriera e saj larg atdheut. Mbasi interpreton në Itali dhe Greqi, ku kishte një kontratë njëvjeçare me Radio Athinën më 1991 dhe disa koncerteve me grupe muzikore në Itali, ajo vjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu në New York, thotë me krenari Anita, kam dhënë falas koncerte humanitare për Kosovën. “Tani kam një ftesë për të marrë pjesë tek Miss Albania e Diasporës dhe jam e gatshme të marr pjesë në këtë koncert. “Gjithashtu kam ndjekur me keqardhje zhvillimet e ngjarjeve në Shqipëri dhe jam informuar se gjithçka është shkatërruar. Kam marrë vesh se ngjarjet dramatike kanë ndikuar shumë në veprimtarinë artistike të vendit. Shumë këngëtarë të mirë janë larguar nga Shqipëria. Kjo është një gjë shumë e vajtueshme për artin shqiptar. Kam marrë vesh përshembull se këngët e fundit janë bërë me superpozime. Arti më parë, si të thuash, ishte më shumë art. Në Shqipëri ka një frenim të pashmangshëm. Artistët më të mirë shqiptarë ndodhen jashtë Shqipёrisë”. Kur mendoj se Vlora, qyteti im i bukur dhe deti i saj ai det aq i kaltër, aq i gjerë, aq i pastër, ka brenda aq shumë jetë njerëzish, kam shumë dhimbje. Këto gjëra nuk duhej t’i ndodhnin qytetit tim. Kam nostalgji për duartrokitjet, kam njohur vetëm fjalë të mira dhe suksese gjatë karrierës sime artistike në Estradën e Vlorës, në festivalet e këngës, në festivalet e pranverës apo dhe në koncertet recitale, thotë Anita e cila megjithëse mjaft e re, vetëm 30 vjeç, ka lënë pas, në Shqipëri, një karrierë kaq të shkëlqyer artistike në vendin e saj. Në se Shqipëria do të ishte një Amerikë e vogël, askush nuk do të qëndronte këtu, por do të shkonte në Shqipëri. Edhe unë nuk do të isha kjo që jam, por do të ishte më shumë ajo që më takon mua të jem si Anita Bitri, thotë ajo. Më kanë thënë që falë talentit tim, mund të integrohem në fushën e këngës në Shtetet e Bashkuara, por atëherë unë nuk do të jem më Anita, por do të jem dikush tjetër dhe kjo do të më dukej artificiale. Shpirti im është shqiptar, është produkt i mjedisit ku unë jam rritur dhe muzika ime është e tillë. Anita shpreson që këtu në Shtetet e Bashkuara të bëhet një organizim më i mirë artistik, i të gjithë elementëve që e ndjejnë veten që janë artist dhe kjo do të kishte vlera kombëtare. Këtu ka mjaft artistë shqiptarë si Merita Halili, Frederik Ndoci, Edi Xhani, Arenc Leka e shumë e shumë të tjerë. Në se do të organizoheshim, kjo do t’u shërbente si artistëve por edhe komunitetit.

Luljeta Andoni (Gazetare)

*********************************

Intervist me Anita Bitrin. “Amerikan stori nuk ekziston”

– Ndoshta të gjithë pyesin përse tani……

– Ardhja në Shqipëri më dukej si një ëndërr shekullore, por tani që jam këtu, më duket se nuk jam larguar asnjëherë. Arsyeja pse rikthehem pas kaq kohësh, është sepse vetëm tani kam fituar të drejtën që të udhëtoj jashtë Amerikës. Kisha të drejtën të jetoja atje, por jo të udhëtoja. Tashmë jam rikthyer me dy pikësynime: së pari për të kontaktuar me publikun e dashur shqiptar që më ka munguar aq shumë dhe së dyti të promovoj albumin tim.

– Ç’përfaqëson ky album në karrierën tuaj muzikore?

– Albumi “Çdo gjë është e mundur” ka një frymë shumë moderne.Këtu mund të gjesh Anitën e lënë në mes në vitet `90 me “Mos u nxito,mos u gabo” dhe atë të viteve 2000. Por këto këngë kanë ritme më modern dhe Anita rikthehet me një potencial më të fuqishëm nga ana artistike e vokale. Ata që më kanë dashur do ta duan edhe këtë album, por mendoj se edhe të rinjtë do ta pëlqejnë.

– Çfarë e bën të veçantë albumin?

– Të veçantat e këtij albumi qëndrojnë në faktin që unë paraqitem si kantautore, pra me krijimet e mia. Këndoj edhe me vajzën time 8-vjeçare, Siborën. Ndërkohë që një tjetër veçanti është bashkëpunimi im me një kompani amerikane dhe këngëtarë amerikanë që këndojnë rap. Përveç dy orkestracioneve të realizuara nga ish-kompozitori i grupit “Djemtë e detit”, të gjitha të tjerat janë realizuar prej muzikantëve amerikanë, ndërsa të gjitha regjistrimet janë bërë në studion e Florenc Boshnjakut, që për mendimin tim është një nga artistët më të mirë shqiptarë. Por një vend të veçantë në realizimin e këtij albumi ka edhe producenti James Avatar. Tashmë ekipi amerikan po bën remiksimin e këngëve të mia në stilin dancë, për pub-et e diskotekat.

– Cilin do të konsideronit “hitin” e këtij albumi?

– Këngët janë të gjitha të veçanta, pasi prekin shumë sfera të jetës, si emigracioni, malli, dashuria, nostalgjia, etj. Por ndër to unë do të veçoja këngën “Korveta”. Në të vërtetë unë nuk kam një makinë të tillë, por më pëlqen që të marr makinën e të iki larg, për të harruar problemet, apo streset e ditës. Një tjetër këngë është “Com’on, com’on”, e cila mendoj që do të jetë hit dhe do të pëlqet nga të rinjtë. Ajo është një këngë diskoje dhe i kushtohet të gjitha vajzave shqiptare. Më kujtohet rinia ime, kur isha një vajzë e mbyllur dhe mendova të bëj një këngë për to.

– “Çdo gjë është e mundur”. Përse ky titull!?

– Sepse asgjë nuk është e pamundur. Jam e bindur që në jetë gjithçka është e mundur, mjafton pak kurajo, besim dhe shumë, shumë punë.

– Ç`është amerika për ju?

– Amerika është një shtet i civilizuar dhe me hapësira të tilla që të jep mundësinë për të realizuar gjithçka që unë kërkoj nga vetja dhe nga jeta. Përsa i përket “american story”, apo historisë amerikane, unë nuk di ku e kemi parë, ndoshta në filma, por të siguroj që ajo nuk ekziston. As vetë amerikanët nuk janë të kënaqur me Amerikën e tyre. Vetëm ata që kanë shkuar atje, e dinë se ç’është historia amerikane. Pa punë nuk mund të bësh asgjë.

– Po Tiranën, si e gjetët?

– Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Sapo kam mbërritur kam marrë emocione pa fund. Njerëz që më takonin, më uronin… por mbi të gjitha nuk e prisja që Tirana të kishte ndryshuar kaq shumë. Gjeta një Tiranë të bukur me qarkullim, me fasada të larta me ngjyra, me drita. Lana e gjelbëruar…

– Por ndoshta e dini se ç’ndodh në tregun muzikor?

– Kam vënë re që në tregun muzikor mbizotëron muzika popullore. Nuk mendoj se publiku ka nevoj vetëm për këtë lloj muzike. Muzika popullore i përket një populli, del prej shpirtit të tij dhe është diçka që nuk mund ta shkëpusësh prej andej, por duhet të ruajmë dhe të konservojmë dhe muzikën e lehtë. Mbaj mend që në vitet 70 dhe 90 në Shqipëri ka pasur këngëtarë shumë të mirë, mbaj mend këngët e Vaçe Zelës, Anita Takes, serenatat korçare, këngët e festivaleve… Ndoshta një fenomen i tillë, vjen si rrjedhim i problemeve financiare. Këngëtarët nisen për të bërë një album me këngë popullore, pasi kjo është muzika që shitet më tepër dhe vetëm nëpërmjet saj mund të fitojnë të ardhura, pra thjesht për arsye komerciale. Duhet të përpiqemi për të modernizuar muzikën dhe jo të kthehemi mbrapa.

– Është e vërtetë se do t`iu ktheheni festivaleve të këngës?

– Do të doja shumë të kthehesha sërish në festival, por më parë duhet të më bëjnë ftesën. Nëse do të marr pjesë, nuk do të jetë një këngë e shkëputur nga albumi, pasi në të janë hedhur emocione, që unë kam përjetuar në Amerikë dhe që tashmë ndodhem në Tiranë, jam e përshkuar prej të tjera emocionesh. Do të doja që të kisha një ofertë, sa me të shpejtë, që edhe përgatitja ime të ishte shumë më e mirë. Megjithatë në skenë do të jem sërish unë, me atë ritëm, me atë potencial, me atë zë, por më e fuqishme.

– Cili është programi i qëndrimit tuaj në Shqipëri?

– Nesër do të shkoj në qytetin tim të lindjes në Vlorë. Kam mendimin për të bërë një koncert, por ende nuk është vendosur gjithçka përfundimisht. Të dielën do të nisem sërish drejt Amerikës, ku më presin të tjera impenjime. Jam duke realizuar një tjetër album, i cili do të sjellë të tjera ritme disa këngë janë në gjuhën angleze, kështu që do të futem në studiot e regjistrimit për producione të reja…..

Alma Mile (Gazetare)

*********************************

Albumi është një gërshetim i këngës shqiptare
Këngëtarja Anita Bitri që prej 9 vjetësh jeton në Amerikë. Menjëherë pas mbërritjes në atdhe, këngëtarja ka bërë publik lajmin se ka realizuar një album që së shpejti, do të dalë në treg. Në këtë album, Anita Bitri shfaqet si muzikante dhe gjithashtu, edhe si kantautore.

– Si titullohet albumi juaj?

– Albumi është titulluar “Çdo gjë është e mundur” dhe është gërshetimi i muzikës shqiptare dhe muzikësamerikane. Në këtë album, unë shfaqem si kantautore dhe gjithashtu dhe si muzikante. E kam titulluarkështu, sepse aty përmblidhen të gjitha pasionet dhe dëshirat e jetës.

– Sa kohë keni që punoni për këtë album?

– Kam punar rreth 2 vjet për të realizuar albumin “Çdo gjë është e mundur”, ku një pjesë e këngëve janë të kënduara në shqip dhe disa prej tyre edhe në anglisht. Një ndër këngët me mjaft ritëm dhe që kushtohet rinisë është kënga “Camon Camon”. Këtë këngë ia kam kushtuar rinisë shqiptare, jeta e së cilës, ka ndryshuar kaq shumë brenda 10 vjetëve.

– Po këngët e tjera të albumit! Përse bëjnë fjalë?

– Unë kam kënduar edhe një këngë për emigrimin. Kënga kushtuar emigrimit është titulluar, “Na jep bekimin” dhe flet për mallin tonë dhe thirrjen që i bëjmë Shqipërisë, tregon arsyet pse jemi larguar nga vendi ynë dhe vështirësitë që kalojmë ne, në vend të huaj për të arritur deri këtu. Unë mbeta në Amerikë pas lindjes së vajzës sime dhe kënga përmban gjithë mallin e akumuluar brenda 9 vjetëve. Kam bashkëpunuar me producentin Florent Boshnjaku, për të realizuar orkestracionet e mia.

– U kthyet në Shqipëri për realizimin e albumit?

– Rikthimi im nuk është realizimi dhe publikimi i albumit, por marrja edokumentave. Erdha në Shqipëri pas 9 vjetësh, menjëherë pasi mora dokumentat. Këtu pastaj u bashkuan të dyja arsyet. Ky album është bërë me financimet e mia dhe ka kushtuar mijëra dollarë.

– Në këtë album ju prezantoheni si kantautore?

– Është e vërtetë, në këtë album unë prezantohem si kantautore që është gjithashtu diçka e re, megjithëse unë kam studiuar për violinë në shkollë dhe solfexhin e njohë me himtësi. Albumi do të jetë një gërshetim i këngës shqiptare me atë amerikane.

– Çfarë keni bërë gjatë këtyre viteve në Amerikë?

– Jeta ime në Amerikë ka qënë e mbushur me aktivitete kombëtare, kam bërë koncerte humanitare, jamangazhuar gjithashtu, në koncerte ndërkombëtare, ku dhe kam takuar mjaft njerëz të njohur të muzikës amerikane.

– Cila është ëndërra apo dëshira që ende nuk ju është realizuar?

– Të këndoj në festivalin e Radio Televizionit, për të krahasuar forcat e mia me këngëtarët e tjerë dhe për të parë se si kam ecur këto vite. Festivali bëhet në dhjetor dhe deri atëherë, do të jenë bërë 10 vjet larg skenës së Festivalit shqiptar.

– Do të qëndroni gjatë në Shqipëri?

– Qëndrimi im në Shqipëri do të jetë shumë i shkurtër vetëm disa ditë. Në Amerikë kam lënë vajzën që e quajnë Sibora, e cila ka shumë dëshirë të njohë Shqipërinë. Ajo e njeh atë vetëm nëpërmjet komedive që ne i shohim atje. Unë i kam premtuar se do ta sjell për të parë vendin ku jam rritur unë.

*********************************

Këngëtarja Anita Bitri flet për vajzën e saj 8-vjeçare, Sibora, jetën në Amerikë dhe ëndrrën në sirtar.

Ajo rikthehet pas 9 vitesh mungese nga skena e festivaleve me një imazh krejt ndryshe, por gjithmonë duke mbetur plotësisht shqiptare. Prezantohet me një album të ri dhe premton se do të kompensoj këto vite, që i ka munguar publikut të saj. Po cila ka qënë jeta e Anita Bitrit në Amerikë, vështirësitë që ka ndeshur dhe projektet e saj për të ardhmen?

– A do të të ktheheshit, nëse nuk do të kishit nxjerrë albumin?

– Kthimi im nuk lidhet vetëm me albumin tim të ri. Nëse kam munguar për kaq vjet, kjo ka qënë për shkak të mungesës së dokumenteve, të cilat i mora vetëm para një jave. Ishte vetëm një konçidencë. Sigurisht që, edhe nëse nuk do të kisha gati albumin, do të vija, sepse shkëputja është shumë e gjatë dhe malli shumë i madh.

– Në këtë album ju paraqiteni si kantautore. A ishte i vështirë për ju ky rol i ri?

– Nuk kam hasur shumë vështirësi, sepse, përveç se këngëtare, unë jam violiniste, jam studentja e të madhit Bert Papavrami dhe kam një piano në shtëpinë time ku dhe kompozoj notat dhe muzikë, prandaj mendoj se nuk është shumë e vështirë për një artist të kompletuar të kompozoj dhe të këndoj.

– Çfarë të rejash sjell albumi juaj?

– Gjithçka është e re. Jam përpjekur të sjell një Anitë, ndryshe nga ajo që jeni mësuar të shihni në Festivalet e Radiotelevizioneve të viteve 90. Albumi është një gërshetim i muzikës shqiptarë me atë të rrymës amerikane. Për këtë album kam bashkëpunuar me shoqërinë Audio Dinamix, e cila më ka mbështetur shumë.

– Albumi do të jetë në shqip?

– Të gjitha këngët do të jenë në shqip, por disa këngë janë kombinacion i fjalëve në anglisht dhe në shqip, ndërsa pjesa më e madhe në shqip.

– Cila është ëndrra në sirtar e Anitës?

– Të vij të prezantohem në Festivalin e Radiotelevizionit në dhjetor, për të krahasuar veten time, aftësitë e mia me ato të kolegëve të tjerë. E konsideroj ëndërr në sirtar, sepse festivali është në dhjetor.

– Do të prezantoheni me një këngë të re apo me ndonjë pjesë nga ky album?

– Do të prezantohem me një këngë nga ky album, sepse besoj se publiku shqiptar do ta pëlqej muzikën që unë kam krijuar në këtë album.

– E keni ndjekur muzikën shqiptare dhe çfarë mendoni për të?

– E karm ndjekur dhe më bëhet qejfi kur shoh se kanë ecur goxha para. Çdo gjë është e mundur nëse do te kenë pak durim dhe të punojnë më tepër. Më vjen shumë mirë që të rinjtë kanë ecur përpara, dhe më bën të ndihem mirë, sepse kështu do të kem më shumë konkurrencë (qesh).

– Kur do ta vizitoni qytetin e lindjes, Vlorën dhe a keni ruajtur ndonjë surprizë për publikun vlonjat?

– Do të shkoj nesër, por nuk do të qëndroj, sepse më duhet të kthehem brenda ditës në Tiranë. Do të dëshiroja të këndoja për ta, por fatkeqësisht janë mbyllur të gjitha aktivitetet, por u premtoj të gjithë vlonjatëve se do të kthehem shumë shpejt dhe do të këndoj për ta.

– Çfarë këngësh do të kujtonit nga repertori juaj i dikurshëm?

– Të gjitha janë të bukura, por ndër më të preferuarat e mia, janë: “Mos u nxito, mos u gabo”, “Sa njerëz dashurojnë” dhe sigurisht “Abrakadabra”.

– Sa e vështirë ka qënë përballja me jetën amerikane?

– Sigurisht që ka qënë shume e vështirë dhe ne artistët e ndjejmë më shumë se kushdo. Ka qënë një fillim i vështirë, por me kalimin e kohës unë u mundova të gjej vetveten. Unë në Amerikë nuk gjeta atë që mban gjallë një artist, publikun e dashur shqiptar. Vërtet unë u ingranova shumë shpejt në aktivitetet që organizonte komuniteti shqiptaro-amerikan, por pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe nuk e njihnin shumë muzikën tonë.

Alda Malaj (Gazetare)

*********************************

Anita Bitri “poezia, pasioni im i fshehtë”.

Anita Bitri ka një pasion të fshehtë, të cilin nuk nguron aspak ta tregoj sapo e pyet. I pëlqen, madje shumë, poezia tekstin e këngëve të saj e bën vetë, por herë pas here paraqitet edhe si kompozitore e këngëve të saj. Që para se të largohej nga Shqipëria për në Amerikë. Anita ka tentuar të shkruaj poezi. Por, largësia dhe malli e kanë bërë të ndjehet më tepër melankolike dhe atë çka ndjen, ta hedhë dhe në vargje. “Kur kam qënë këtu para dhjetë vjetësh, kam shkruar poezi në gazeta që dhe sot e kësaj dite i ruaj në shtëpinë time. Në atë kohë m`i kanë pëlqyer shumë poezitë edhe në Nju York ku unë jetoj shkruaj ende. Më pëlqen shumë poezia” shprehet Anita. Ka bërë një sërë tekstesh të këngëve të saj dhe një libër, përse jo!? Në të ardhmen mund të presim Anitën me ndonjë botim me poezi. Një këngëtare-poete.

TIRANË – Me një nur të ri, dhe me një dëshirë shumë të madhe për të riparë Shqipërinë, Anita Bitri vjen pas 9 vjetësh në vendin e saj. Një emigrim i gjatë në Shtetet e Bashkuara, i cili duket se nuk ia ka fashitur pasionin për muzikën. Përkundrazi, ajo vjen në Tiranë për të sjell një album tërësisht të sajin. Ka një surprizë të këndshme, një duet të plotë me vajzën e saj 8-vjeçare, Siborën, por edhe të tjera që pritet të zbulohen në prezantimin e albumit të saj para publikut shqiptar. Anita ka plot nëntë vjet që është vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këndon për bashkatdhetarët e saj në Amerikë. Por, nuk i mungon as publiku amerikan, për të cilin këngëtarja vlonjate thotë se e pёlqejnë shumë. E veshur me të errta që e tregojnë dhe më elegante, këngëtarja e mirënjohur Bitri, me një luk të ri, brune, me flokë të gjatë paraqitet para nesh më e bukur se kurrë. E marrim në intervistë për të zbulur jetën e saj në amerikë. Bitri paraqitet në këtë album të ri si autore e teksteve të saj dhe si kompozitore.

-“Çfarë është e mundur” në albumin tuaj?

– Çdo gjë është e mundur, ashtu siç titullohet edhe albumi i ri. Në të përfshihet jeta ime në të gjitha aspektet. Lidhja me publikun shqiptar, nostalgjia, dashuria, pasionet e jetës, rinia shqiptare; e veçanta është se unë vij në këtë album dhe prezantohem dhe si kantautore e vetë teksteve. Pjesa më e madhe e këngëve të mia janë orkestracionet e një producenti amerikan. Në albumin tim, të cilin do ta prezantoj në Tiranë së shpejti këndojnë këngëtar amerikanë.

– Në amerikë keni vazhduar profesionin e këngëtares, mund të na thoni diçka?

– Gjithmonë kam ndjekur profesionin tim si këngëtare. Kam këndur dhe vazhdoj të këndoj në të gjitha aktivitetet e komunitetit shqiptar dhe në gëzimet e tyre familjare. Shpesh paraqitem jo vetëm si këngëtare por edhe si violiniste. Me kolegët e tjerë të komunitetit organizojmë koncerte dhe aktivitete të ndryshme artistike, jeta kulturore e komunitetit në amerikë është shumë e larmishme.

– Jeni përballuar me publikun amerikan e atë shqiptar. Cili është ndryshimi?

– Publiku i vendit tënd mbetet i pazvendësueshëm, por edhe publiku amerikan është i veçantë, pasi në ato koncerte që unë jam paraqitur, jam paraqitur me muzikë shqiptare. Ata që më kanë dëgjuar në ato dalje të mia publike, kanë mbetur të kënaqur dhe e them pa modesti se jam duartrokitur shumë. Edhe në intervista, që më kanë bërë, jam vlersuar së tepërmi. Mbaj mend një intervistë, që më ka bërë një gazetare amerikane megjithëse nuk kuptonte shqip, ajo u shpreh se kishte ndjerë një potencial për këngën time ku unë këndoja midis dy këngëtareve të tjera amerikane. Ajo shkruante se edhe pse nuk kuptonte se për çfarë flisnin këngët e mia ajo më vlerësoi njëlloj me këngëtaret e tjera të botës. Muzika shqiptare është shumë e veçantë për publikun amerikan dhe, natyrisht, është tepër e pëlqyer.

– Keni qenë e suksesshme në festivalet shqiptare. A mendoni t’u riktheheni?

– Patjetër që e kam menduar. Dëshira është mjaft e madhe. Deri në atë kohë do të pres ofertat për të bashkëpunuar. Ende nuk e kam vendosur se cila do të jetë kënga pjesëmarrëse. Mbase dhe njëra nga ato të albumit, ose do të punoj për një këngë tjetër. Do të përpiqem të krijoj diçka të re e të bukur, kjo më e lehtë tani që e preka me dorë Shqipërinë.

Anila Çuli. Tiranё, 22 Koorik 2004.

*********************************

Me këngë në buzë

Anita është një Yll muzike në qiellin e Diasporës dhe të Mëmëdheut

Anita Bitri që nga fëmijëria e saj sjellë pranë nesh dallgë drite në shpirtin e muzikës shqiptare. Me violinën në krah që e mbante ngjitur në trup si një brinjё të kraharorit interpretonte dhe këndonte mjeshtërisht në skenat shqiptare duke e filluar me Vlorën artdashëse që e duartrokiti pafundësisht.

Ajo udhëtoi me këngë në buzë deri në festivalet e Këngës së RTSH-s, ku në ballin e saj të bukur qëndrojnë një grusht xixëllonjash si kurorë çmimesh nga festivalet e ndryshme…

Zëri i saj është drithërimë shpirti i një këngëtareje me kokë të bukur gruaje në harmoni antike dhe moderne me tekstet e saj si ujëvara malesh që derdhen si argjend mbi ishullin e muzikës shqiptare.

Mes shkëlqimit të syve të saj kanë qëndruar mbi qepalla tetë notat e pentagramit që hapen e mbyllen si një harpë. Zëri i saj ndihet kudo dhe me artikulacionin gati hyjnor rrëmben si një uragan zemrat e dëgjuesëve. Ajo dashuron marrëzisht këngën ndaj dhe shpirti i saj mbeti si me magji vetëm në këngë, aty endet, e prekim, këndojmë dhe shuajme etjen në ngjallje… 

Vibrimet e zërit të saj duket sikur vallëzojnë dhe bëjnë balet si roli i saj në fëmijëri në Bletën punëtore e cila fitoi çmimin e jurisë në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës si kërcimtarja dhe këngëtarja më e mirë e Festivalit.

Ajo trokiti në dritaren e një Kombi si me sqepin e zogut me pendë të mëndafshta që lajmëroi rënien e dëborës së parë kur zilja i ftoi për të shkruajtur hartimin në klasë. Ishte kënga e parë në rang kombëtar: “Hartimi dhe Dëbora”, këngë që u mësua përmendsh nga shumë dëgjues të rregullt të saj.

Zëri i saj brilant tërhoqi vëmendjen e shumë kompozitorëve dhe autorëve të njohur si të Alqi Boshnjakut, Flamur Shehut, prof.Papavramit etj…. të cilët e shikonin si një lule e bukur që çel edhe në ngricë stinash.

Artistët gjithmonë kanë nga një idhull që i frymëzon qysh herët e për Anitën ishte bërë legjenda Vaçe Zela që i dhuronte klorofil degëve të saj të gjelbra në këngë.

Anita rritej, zbukurohej kishte filluar të këndonte në shumë skena, Osman Mula bashkëpunoi me të për këngën “Eja”, këngë që u interpretua në Festivalin e klasës punëtore në Elbasan, dhe duartë e tyre me kallo e duartrokitën gjatë, ajo shëronte, zbuste lodhjet dhe dhembjet e njerëzve, se kënga është ilaçi më i mirë, medicina e shpirtit.

Kompozitorët më me emër dëshironin ta kishin Anitën pjesë të ekzekutimeve të krijimtarisë së tyre ku njёri prej tyre ishte David Tukiqi, Anita do tё intepretonte këngën e kompozuar prej tij,”E vogla mes shoqesh” që u vlerësua me çmim të tretë. Anita Bitri kishte sensin e bashkëpunimit, me një disiplinë të hekurt artistike arriti të ishte ndër më të njohurat dhe të korrte suksese të njëspasnjëshme,     kështu dueti me Frederik Ndocin me këngën “Shikomë në sy” me tekst të Irma Kurtit ishte një sukses tjetёr i këngëtares. Ishin tinguj që po pushtonin hapësirat pafund mbushur me melodi. Hapësirat nuk kishin kufij për Anitën, ishin pa roje ndaj zërin e saj e çuan në Turqi në Festivalin Ballkanik në pranverën e erërave të reja në vitin 1990.

Me këngët e bukura lirike që më së shumti i këndoi dashurisë kësaj ndjenje që mban ndezur zemrat e njerëzimit, Anita bashkёpunoi ngushtë me Flamur Shehun, Jorgo Papingjin, Artur Dhamon, Gjergj Lekën e shumë të tjerë, këngë që po dëgjoheshin dhe në skenat europiane. 

Fama e saj mori dhenë në Shqipëri, Tropoja vendi që të vështron me sy të kaltër dhe që zbukurohet nga perla e mrekullueshme Valbona. Një grup muzikor popullor i të cilës e ftoi për ta çuar në Amerikë.

Ushqimi i saj shpirtëror ishin arti, muzika, pentagrami ku me gishtat e saj luante dhe ngjitej për të arritur qiellgervishtëset e Nju Jorkut, ëndërr e kahershme e saj, ëndërr që dukej se ishte dhuratë e Zotit thirrur në Valbonë, si një pulёbardhё mbi valet e saj herë blu të thellё, e herë në ngjyra marramendëse që vetem një shtojzovalle e tillë mund të zhytej dhe të dilte aq e kaltër si ngjyrë qielli në Verë.

Ajo e hodhi hapin e sigurtë në tokën e premtuar, vinte me një pasuri të rrallë, i sillte Diasporës shqiptaro-amerikane një ornament të çmuar me një dritëz hyjnore si bekim në Pemën e gjelbër të saj. Albumi i parë që do ta titullonte “Malli”, kishte brenda peshën e lotit të një artisteje të madhe që mblidhte lotin e gjithë emigrantëve. 

Albumi ishte “Monumenti i Lotit” që Anita e kishte skalitur me daltën e skulptorit duke e gatuar në magjen e mallit të pashuar.

Anita ishte prezente me zërin dhe kёngёn e saj në shumë koncerte tё zhvilluara nga organizata dhe shoqata të Diasporës, si dhe nga institucione të rëndësishme botërore dhe amerikane si në Kombet e Bashkuara etj…

Këndoi në koncert me Inva Mulën, Pirro Çakon ku një mbështetje të madhe i ka dhënë dhe fotografi i famshëm Fadil Berisha. U takua me yje të ndritur të muzikës amerikane të cilët e ftuan nё botёn amerkane pёr tё projektuar ëndrrat e saj, ëndrra që donte t’i realizonte si një artiste shqiptare me identitet Arbёresh.

Anita si çdo emigrant shqiptar në botë mezi priste për të shkuar në Shqipëri,   më në fund i vjen dita e shumëpritur ku përulet dhe puth tokën shqiptare pas 9 vjetësh si në legjenda, 9 male kaptuar. Ajo prezantohet para publikut që e priti me aq mall e dashuri me albumin e ri “Çdo gjë është e mundur”. Në këtë album ajo këndon mahnitshëm dhe me vajzën e saj, Ëngjëlloren, Sibora.  Pasi u ngarkua me një mall të pashuar kurrë, për motrat dhe vëllezërit që la në Mëmëdhe, ajo kthehet në tokën e premtuar, ku kishte ndërtuar një folezë tjetër të argjendtë në të cilën jetonte një zogëz e bukur Sibora që e priste, e cila vetëm cicërinte dhe përplaste krahët e lirë për mamin e saj muzikante dhe këngëtare.

Ajo u kthye në Amerikё me ëndrra tё reja, projekte ambicioze, tё cilat i la përgjysmë ngase ëngjëjt e rrëmbyen vetëtimthi në qiell në moshën më të bukur të saj, me nënën dhe vajzën ëngjëllore një tjetër këngëtare e vogël që premtonte shumë.  

Zemra ime u thye, do të thoshte për gazetën e mirënjohur amerikane “Daily News” producenti James Avatar, në ceremoninë mortore që u organizua në First Evangelical Free Church në Brooklyn ku morën pjesë qindra shqiptarë dhe artistë nga Diaspora në nderim të saj, pasioni i saj për muzikën në këtë tragjedi duket sikur u zbeh nga dashuria e saj e madhe për vajzën dhe nënën.

Qyteti i Vlorës e ka nderuar bijën e saj duke i vendosur një rruge me emrin: Anita Bitri, në ditëlindjen e saj të dyzetë. Anita është përherë në zemrat e publikut me këngën e saj në buzë, që nga kaltërsitë ajo sjellë me krah magjie meloditë e shenjta qiellore, melodi që i posedon vetëm kjo racë artistësh. Shpirti i saj i lirë endet kudo, fryma e saj këngëzohet në fluturim si rrahjet e krahëve të një pulëbardhe mbi valët me shkumë të bardhë të detit Jonё, ajo është aq pranë nesh si kënga mjaltë mbi buzët e saj.

Nga Keze Kozeta Zylo
Janar, 2015,Staten Island, New York.

**********************************************

  • 1
    2
    3
  • 4
    5
    6
  • 7
    8
    9
  • 10