Blog Single

Përherë e blertë në muzikën shqiptare

Elmira Muja/

Mëngjesi i së martës përveç shiut të zakonshëm ishte i vrenjtur dhe i ftohtë, që të kujtonte një ditë dimri të ashpër. Në rutinën e ditës një telefonatë  ishte vërtetë tronditëse. Zëri përtej dridhej dhe kërkonte të dinte nëse ishte e vërtetë për atë që kishte dëgjuar.

– Ndrrojë jetë Anita Bitri së bashku me nënën dhe vajzën e saj. Nuk e besuam as ne. Por, ja që kishte ndodhur. E, ndërsa orët kalonin befas në zyrat tona u shfaqen një grup nga kanali televiz 11 i New Yorkut. Kërkonin të dinin diçka më shumë për Anita Bitrin. Nuk guxonim asnjëra të flisnim, se një lëmsh dhimbjeje na kishte mbërthyer. Dhimbje dhe trishtim.

Anita Bitri iku…ndodh që edhe e vërteta të mos besohet. Ky lajm i hidhur ishte realitet, edhe pse ne nuk donim ta besonim.

Ikja e saj e menjëherëshme të gjithave na ka goditur.

Si mund të ndodhë kjo tragjedi?

Jeta e Anitës ishte një reflektim i  jetës së mijra grave që u larguan nga Shqipëria të detyruara nga gjendja e vështirë ekonomike dhe politike.

Ajo erdhi këtu si shumë emigrant të tjerë për një jetë më të mirë dhe për një kohë të shkurtër me këngën dhe zërin e saj ajo “vodhi” zemrat e komunitetit.

Ajo këndoi në shumë aktivitete të rëndësishme të organizuara nga Organizata e Gruas shqiptaro amerikane “Motrat Qiriazi”, nga Këshilli shqiptaro-amerikan, por dhe nga organizata të tjera që veprojnë në SHBA.

Ajo ka prezantuar Vlorën e bukur tek unë – thotë Dr.Anna Kohen presidente e organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, duke shtuar se do ta mbajmë të gjallë në kujtimet tona. Unë nuk e kam njohur nga afër Anitën, por ky lajm në këtë mëngjes më ka goditur, veçanërisht që vajza e vogël nuk jeton më- thotë Valbona Thaqi. Ndërsa Dardanesha Andoni ec poshtë e lart duke qarë duke thënë _Nuk mund ta besoj këtë, nuk mund ta besoj. Ajo këndoi në dasmën time dhe e bëri atë magjike për mua dhe bashkëshortin tim, e gjithë dasma jonë ishte si një mrekulli, prej zërit të saj. As unë nuk e besoj, – thotë Dolore Bushati. Remi, këngëtari që ka patur partnere Anitën në shumë koncerte nuk don ta besojë atë çfarë ka dëgjuar. Ka ardhur tek ne dhe kërkon të dijë më shumë. Në këtë moment ai kujton këngën që ka kënduar me Anitën “Ti u largove”. Sa çudi, një këngë, një realitet….Ti u largove, më le në errësirë. Ti u largove, pa thënë lamtumirë…

Pas nëntë vjet emigrimi, Anita, pak kohë më parë vizitoi Shqipërinë me qëllimin që të promovonte CD e saj të re “Çdo gjë  është e mundur”.

Kur u kthye nga Shqipëria, ajo ishte mrekulluar nga ndryshimet që kishte parë atje. Ajo erdhi të ndante gëzimin me ne dhe të na tregonte se publiku atje nuk e kishte harruar, por që ishin kurioz të dinin se si Amerika e kishte ndryshuar atë. Tashmë sjellim ndër mend Anitën dhe kontributin e saj. E kujtojmë si anëtare të organizatës sonë. Ajo gjithmonë ka marrë pjesë në koncertet që organizonim ne në mbështetje të nënave dhe fëmijëve në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë luftës. Ajo ishte plot entusiazëm kur ne punonim për të ndihmuar refugjatët nga Kosova. Ajo gjithmonë donte të ishte atje që të inspironte popullin.

Ne gjithmonë e kujtojmë duke buzëqeshur dhe duke vallëzuar. Ajo dinte të sillte shpirtin e gëzimit në ambientet ku këndonte.

Kujtimi më i freskët për të rri akoma zgjuar, kur me talentin e saj ajo këndoi në Ditën e nënës, një aktivitet që organizata e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” organizon çdo vit .

Do ta kujtojnë Anitën të gjithë admiruesit e muzikës, kur ajo hyri në zemrat e tyre për herë të parë me këngën “Mos u nxito, mos u gabo”, e më pas me   “Dashurinë e parë, kush nuk e provoi”, “Dashuria e parë”, “Zemra fal”, “Për ty ëndërroj”, “S’ka formulë në dashuri”

Në këtë rrugë pa kthim, Anita Bitri la pas një numër të madh këngësh, këngë malli dhe dashurie, këngë dhimbjeje dhe shprese.

Një degë u thye në këtë vjeshtë të hershme dhe të ftohtë…
Kënga dhe zëri i Anita Bitrit do të mbetet përherë e blertë në muzikën shqiptare.

***************************************

Legjenda e këngëtares Anita Bitri dhe e korit të saj të vogël!!!

Kjo që po ju tregoj nuk është një legjend metropolitane, por një ndodhi e vërtetë që ka ndodhur në New York më 19 tetor 2004.

 

Zoti, një mëngjez duke bërë rutinën e zakonshme, po vrojtonte me kujdes

New York-un dhe po shikonte një kortezh të heshtur mortor që po kalonte përgjatë rrugës Hylan Boulevard. Njerëzit qanin dhe në heshtje vajtuese po shoqëronin arkivolet e mbuluara me flamurin amerikan. Zoti u bë kurioz dhe u afrua, u shëndërrua në person normal dhe pyeti njerëzit e korteut:

Ç`farë ka ndodhur? Përse këta arkivole? Këtyre deleve të perëndisë ç`farë u ka ngjarë?

Dhe njëri nga kortezhi iu përgjigj me lot në sy anglisht:

–  Bënte shumë ftohtë dhe të zotët e shtëpisë ndezën boilerin e sistemit të ngrohjes dhe monoksidi i karbonit nuk i lejojë që të zgjoheshin më, qofshin të bekuar nga perëndia!

Zoti u prek shumë nga këto fjalë dhe i pikëlluar u nis drejt shtëpisё së tij mes reve. U fut në studion e tij dhe thërriti sekretaren dhe urdhëroi që ti sillte statistikat mbi monoksidin e karbonit dhe po thoshte me vete:

-Ky monoksidi i karbonit shumë shqetësime po më krijon, në fillim efektin “Serë”, po më merr njerëzit nëpër galerira dhe hapi statistikat e New York-ut, u habit me ato që lexoi dhe nuk u besonte syve. Si është e mundur që i kishte shpëtuar kjo çështje?

– Jo kjo s`është e drejtë, gjithë këto dele të perëndisë ikin nga New Yorku prej monoksidit të karbonit, urgjentisht duhet ndaluar një barbari e tillë. Ndaloi çdo punë dhe u nis për në New York.

Duhet të zgjedh një njeri të shenjtë, që flijimi i tij të ndalojë këtë tragjedi të rëndë. Filloi të kërkonte personazhin e duhur dhe duke fluturuar mbi New York dëgjoi një zë të bukur që e bëri për vete dhe disa tinguj të ëmbël dhe gazmor, ndaloi dhe u mahanit nga zëri i magjishëm dhe u afrua tek dritarja e shtëpisë. Bëhej ditëlindja e një çuni të vogël dhe ai zë i mrekullueshëm vinte nga një këngëtare që me energjinë e saj elektrizonte gjithë shtëpinë.

Zoti shtangu, u mahanit dhe po dëgjonte i lumtur këtë zë të magjishëm.

Sa zë i bukur, po mendonte: – Sa i këndshëm, jam krenar që e kam krijuar, kjo është perfektshmëria.

Krijesë e bukur, zë i mrekullueshëm dhe shumë simpatike, qëndroi që ta dëgjonte. Kënga pushoi dhe njerëzit filluan ta duartrokisnin këngëtaren duke brohoritur:

Bravo Anita, të lumtë! Të lutem dhe një këngë tjetër.

Zoti u habit me dashurinё dhe respektin që këta njerëz tregonin për këtë këngëtare, u shëndrua në një person normal dhe hyri brenda.

Dëgjonte një gjuhë tjetër.

  • Ah, po këta janë Albanian, popull i mrekullueshëm me tradita dhe histori të lavdishme, i vetmi popull në Europë që nuk ka sulmuar ndonjëherë popujt e tjerë. Dhe po i shikonte me vëmëndje dhe buzëqeshi:
  • Paskam bërë racë të bukur, shiko ç`farë tiparesh, shiko ç`farë karakteri dhe për një moment u ndje krenar për fantazinë e tij.

Asnjëri nuk po e përzinte, përkundrazi po e ftonin të merrte pjesë në banket dhe i afruan të hante dhe të pinte. I buzëqeshnin me dashamirësi këtij të panjohuri, që Zoti ishte shëndruar. Anita i buzëqeshi dhe Zoti i kërkoi një këngë. Anita e papërtuar ja kushtoi këngën dhe nëpër dhomë filluan të fluturonin tingujt magjik të zërit të saj. Pasi mbaroi kënga Zoti e duartrokiti me entuziazëm, e falenderoi dhe e puthi në ballë Anitën, u përshëndet me të gjithë dhe u nis drejt shtëpisë së tij, mes reve madhështore.

Të nesërmen thërriti sekretaren e vet dhe i tha:

  • Të lutem më sill statistikat e shqiptarëve në amerikë.
  • Sekretarja u përgjigj:- Si urdhëron Zot, dhe vajti në arkivat dhe ja solli.

Zoti hapi statistikat dhe mbeti i shtangur.

Të shkretët këta shqiptarë – tha ai, dhe një rrudhë e thellë iu shfaq në ballin e pastër dhe fisnik.

Paskan gjithë këto probleme: Probleme dokumentash po e po, shtëpit më të vjetra të Amerikës po se po, haj…haj…haj si është e mundur?! Unë i pashë vetë dje ishin shumë bujar dhe inteligjent, përse janë kaq të përçarë? Përse kaq probleme etnike? – Jo delet e mia të bekuara, nuk është mirë kështu, këtu duhet vënë dorë patjetër, dhe u zhyt në mendime të thella. Dhe në këto momente i erdhi para syve fytyra hyjnore e Anitës, zëri i saj i magjishëm, buzëqeshi dhe thirri:         –  EUREKA !

Po atë mbrëmje la çdo punë dhe u nis në New York. Ishte data 15 korrik 2004. Gjeti shtëpinë e Anitës dhe u fut pa zhurmë në shtëpinë e përgjumur dhe po vrojtonte. Pa Hazbijen dhe tha: Grua e mirë dhe bujare.

Iu afrua një krevati të vogël dhe u mahanit nga bukuria hyjnore e Siborës dhe e puthi në ballë.

Iu afrua krevatit të Anitës, nga fytyra e përgjumur rrezatonte një buzëqeshje lumturie. Duket që është e lumtur dhe beson shumë tek mua – po mendonte Zoti. Më mirë po e lë të mahnis popullin e vetë me zërin e saj të mrekullueshëm dhe e puthi në ballë, këtë krijesë perëndie. Tek po largohej, Anita hapi sytë dhe i buzëqeshi e lumtur.

Zoti i tha: – Nuk ke frikë nga unë, nuk gërthet?

Anita buzëqeshi dhe iu përgjigj: – Përse duhet të gërthas, unë ty të njohë, je gjëja më e bukur që unë kam takuar në këtë botë. Ty ndoshta nuk të kujtohet, por ti më dhurove zërin e mrekullueshëm kur unë linda dhe të falenderojë nga zemra.

Zoti vazhdoi: – E do jetën?

Anita: – E dua shumë jetën, jam e lumtur kam një mama të mrekullueshme, një vajzë që quhet Sibora e që është e bukur si dielli. Po Zot, jam shumë e dashuruar me jetën, po pse ma bën këtë pyetje ?

Zoti u trishtua dhe tha: – Lëre, lëre është mëkat bija ime të të kërkojë një sakrificë të tillë.

–  Fol Zot tha Anita,- Unë besoj në ty dhe lutem çdo ditë, dëshirat e tua për mua janë detyrime.

Zotit i dolën dy pika loti nga sytë nga fjalët që dëgjoi dhe me dhimbje në zemër i tha:

–  Unë kam menduar të të bëj fli ty e bekuar Anitë, për të shpëtuar mijëra jetë të pafajshme nga monoksidi i karbonit dhe sidomos jetën e bashkatdhetarëve të tu, të cilët janë të parët që mund të vdesin, sepse jetojnë në shtëpira tmerrësisht të vjetra të shkretët. Por meqë ti e do kaq shumë jetën unë mendojë…..

Anita e ndërpreu me buzë në gaz: – Jo Zot, dëshirat e tua për mua janë ligj, dhe kur bëhet fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish unë jam gati për  çdo lloj sakrifice dhe sidomos kur flitet për popullin tim që e dua aq shumë. Çdo flijim për të është një detyrim dhe nder.

Zoti u mahanit nga ato që dëgjoi, buzëqeshi dhe i tha: – Dakort.

Anita e ndërpreu:

–  Të lutem Zot i madhërishëm mund të më jepësh dhe katër muaj kohë që të mbarojë disa punë muzikore që kam lënë përgjysëm, të mbarojë të paktën një CD me titullin “Çdo gjë është e mundur”, që dua t`ja dhurojë të përfunduar popullit tim. Dhe një kërkesë do të doja të më plotësoje, të lutem më lejo që të shikoj qoftë dhe pёr pak ditë popullin tim, tokën amtare, publikun tim të dashur që më mungon aq shumë, të përgjërohem dhe u ul në gjunjë para zotit me lotë në sy.

Zoti buzëqeshi dhe i tha:

–  Dakort, mund të shkoni bija ime.

Hem, tha Anita e trishtuar, kam problem dokumentat, kam nëntë vjet në amerikë dhe akoma nuk mi kanë dhënë.

Zoti u prek shumë dhe tha:

– Ah ju të mjerët shqipëtar, sa po vuani për këto dokumenta që nuk ju lejojnë të shikoni tokën e bekuar shqipëri, në të ardhmen Anita, të jap fjalën e nderit që këtë problem do ta zgjidh, tani për tani po të bëj vetëm ty dokumentat për në Shqipëri, me një kusht, kur të vesh në Shqipëri mos të këndosh, vetëm të ç`mallesh dhe të përshëndesësh popullin tënd. Anita u habit nga kjo kërkesë dhe e pyeti e shqetësuar:

–  Pse nuk duhet të jap koncert?

Zoti me buzë në gaz e qetësoi:

–  Anita, po të them një sekret, unë jam i dashuruar me zërin tënd hyjnor i cili më pëlqen jashtëzakonisht dhe nëqoftëse ti këndon në Shqipëri, mua më kthehet mendja dhe nuk të flijoj.

–   Okej – tha Anita e qeshur. Nëqoftëse ti ke vendosur, do të bëhet dëshira jote.

Atëhere – i tha Zoti:- Takohemi në nëtëmbëdhjetë tetor pasi në këtë datë kam lënë takim me Nënë Terezën, të cilën e respektoj shumë dhe do t`i them të të rrijë afër gjatë gjithë kohës. Ndërsa për mamin dhe për goxën tënde do të mendoj unë. Zoti pa në fytyrën e Anitës një ndjenjë tmerri dhe aty kuptoi rëndësinë e këtyre dy personave në jetën e Anitës dhe i tha:

–  Ç`farë dëshëron?

Anita me dhimbje në zemër i tha:

– Engjëllin e vogël Sibora e dua me vete që të më jap forcë në këtë mision hyjnor edhe mamin dëshiroj të vijë me ne sepse vetëm ajo kupton kërkesat tona dhe na do fort.

–  Okej – i thotë Zoti i mallëngjyer, vetëm se kam një kërkesë:

–  Urdhëro –   përgjigjet Anita

–   Dua që ti dhe Sibora të merrni pjesë në korrin hyjnor të ёngjëjve, se jam i impresionuar shumë nga zëri i saj fëmijnorё dhe melodioz.

Anita buzëqeshi dhe e falenderoi për këtë vlerёsim kaq të lartë dhe tha:

–  Të lutem jo për mua, po për goxën dhe për mamin mendo për një flijim të qetë dhe të ëmbël mes ëndërrimeve.

Zoti me një trishtim të thellë në sy i tha:

– Do të bëj ç`është e mundur që ardhja juaj në parajsë të jetë sa më e lehtë. Do të përdor monoksidin e karbonit në këtë mënyrë ju do të jeni në gjumë gjatë fluturimit. Mos u mërzit e dashur Anitë, në fillim do të dëgjosh shumë thashetheme se për fatin e keq djalli do të bëjë punën e vet, ndoshta do të gjesh edhe shumë pengesa, forcat e këqija do të mundohen të ta errësojnë rrugën, ta shuajnë dritën hyjnore të hënës, por ju kapuni fort të tria dhe krijoni një trekëndësh sepse unë shumë shpejtë do të ndërhyjë dhe do të ulë qiellin e parajsës mbi New York dhe do t`ju ndriçojë rrugën.

Dhe Zoti me një zë të vajtueshëm vazhdoi:

–  Për koncertin tënd do të mendojë unë. Do të thërras gjithë artistët e diasporёs shqiptare në amerikë të cilët të duan dhe të respektojnë në mënyrë të veçantë dhe zëri i tyre i bukur, ndjenjat e tyre atdhetare, dashuria e tyre për ty, të të shoqërojnë gjatë gjithë kohës dhe ti tu shërbesh atyre si pikë bashkimi kombëtar.

Agu i mëngjezit po binte mbi horizontin e New York-ut. Zoti ndërpre fjalën e puthi Anitën në ballë, të njëjtën gjë bëri me nënë Hazbijen dhe vogëlushen Sibora, u dha bekimin dhe u nis të zgjidh hallet e shumta të botës. I qetë që kishte gjetur solucionin e problemit të monoksidit të karbonit dhe kishte shpëtuar mijëra jetë të pafajshme njerëzish.

19 Nëntor, New York

 ***************************************

Frederik Ndoci – Kёngёtar

Po udhёtoja nё Brooklyn me familjen e njё shoku nga Detroidi, kur dikush mё thёrret nё telefon, me numrin 100000000 i çuditur nga ky numёr iu pergjigja: “Hello”? Zёri mё pyeti nёse isha Frederik Ndoci? -“Po” i thashё. – Jam zyra e FBI-sё mё tha, u trondita tё them tё drejtёn pёr njё moment, por si aktor e pyeta: – “Me çfarё mund t`ju ndihmoj?
Mё pyeti drejt pёrdrejt, – “A njifni mirё ANITA BITRIN?
– “Nuk po ju kuptoj,” ju pёrgjigja i habitur nga kjo pyetje. Por meqё ishte i FB-ait ju pёrgjigja se e e njohё.
– “E njihni mirё”? mё pyet zёri nё telefon. Nuk po kuptoja kёto pyetje, por i thashё se ёshtё artiste e madhe dhe njёkohёsisht grua e nderuar, dhe se kemi shoqёri familjare dhe nё shumё koncerte tё komunitetit kёndojmё sё bashku”.
-“A mund tё na ndihmoni me njё foto tё sajёn? mё pyeti pёrsёri zёri nё telefon.
– “Sigurisht” i thashё, pёrsёri i habitur nga kjo kёrkesё.
-“Por a mund ta di nёse mё lejohet, arsyeja pёrse e kёrkoni foton”?
– “Po” mё tha ftohtё personi nё telefon. Sot ёshtё gjetur e vdekur sё bashku me nёnё dhe bijёn e saj”.
–“Noooooow”. I hutuar, i tmerruar, i shastisur, i shkujdesur Frenova. Zёri prapё mё pyeti
–“Je duke i dhёnё makinёs”?
–“Po”, i thashё,
-“Ok I’m sorry”- mё tha. I thashё se kur mund ta sjell foton dhe ku? Ai mё tha tek shtёpia e saj nё Staten Island.
–“Patjetёr, mё ke aty pёr 30 minuta”, i thashё. Nxitova si i ngrirё me sytё e pёrlotur si unё dhe familja qё ishte nё atё moment nё makinёn time… Kur arrita tek rrugica e Anitёs, njё turmё e madhe njerёzish, kureshtarё, tё afёrm, artistё dhe shumё tё tjerё qё nuk i njifja. Gjithё qёndronin si tё ngrirё dhe kur mё panё mu vёrsulёn pёr tё ndarё hidhёrimin qё po na bluante shpirtin.
Aty ishin tё gjithё shqiptarё dhe amerikanё qё jetonin nё Staten Island. Thirra nё telefon personin me numёr 100000000 dhe menjёherё mu pёrgjegj dhe mё pyeti se ku ndodhesha.
Jam pёrballё shtёpisё sё saj i thashё. Pas disa sekondash
njё djalosh rreth 35 vjeç iu u drejtua turmёs dhe pyeti:
– “Kush ёshtё Frederiku”?
– “Unё”, i thashё, mё ndiq mё tha. Ashtu bёra, pas disa sekondash u ndodha pёrballё trupave pa jetё tё mbulura me copё tё zezё. Ngurova pёr njё çast por e mblodha veten. Pasi hapi copёn e zezё qё mbulonte trupat, ma bёri me shenjё qё tё afrohesha dhe mё pyeti nёqoftёse mund ti identifikoja kufomat.
O Zot çfarё tё shikoje!!? Mu rrotullua bota dhe mё ra tensioni,
nuk e di sa mbeta ashtu i ngrirё dhe pa lёvizur, por njё dorё qё
mё rrihte shpatullat mё pёrmendi. Ishte pёrsёri djaloshi.
–“Foton mё tha, se media po pret, hapa zarfin ku kisha foton dhe ia dhashё. Ta kthej nё moment mё tha. Megjithё dhimbjen e madhe qё ndjeja morra kurajo dhe e pyeta.
– “Çfarё do tё bёhet me trupat”? Mё tha se ato do ti nёnshtrohen disa hetimeve specifike pёr tё gjetur shkakun e vdekjes dhe mё pas do i dёrgojnё nё morg, derisa njё njeri i afёrm ti kёrkojё.
– “Çdo ditё nё morg pёr njё trup pa jetё ёshtё 35 $ + taks, d.m.th rreth 120 $ nё ditё dhe pas 100 ditёsh, nёse askush nuk i kёrkon atёhere morgu ia shet trupat insituteve mjeksore pёr studime organesh etj… Trupi dhe shpirti mu drodh dhe qё nё atё moment mora vendim qё trupat e tyre tё mos shkonin kurrё nё jetё tё jetёve pёr studime laboratori.
Dola jashtё dhe iu drejtova artistёve qё ishin aty.
– “Tё shikosh trupat e tyre nuk ёshtё asgjё para asaj qё do ju them se çfarё do tё ndodhi me trupat e tyre pajetё nёqoftё se ne nuk bёjmё diçka”. Tё gjithё po mё vёshtronin me sy tё hutuar dhe pa asnjё shenjё jete. – “Unё jam gati tё bёj njё koncert lamtumire”, vazhdova duke i vёshtruar njё nga njё ato fytyra tё tkurrura dhe tё tendosura nga dhimbja dhe nga lotёt.
– “Tё bёjmё njё koncert lamtumire me tё gjithё artistat dhe komunitetin, si “fond raise” qё tё grumbullohen dollarё pёr tё çuar trupat nё shqipёri, pra tё bashkohemi tё tёrё dhe tё thёrrasim komunitetin pёr tё na ndihmuar nё kёtё tragjedi kaq tё madhe”. Vazhdova: -“Qёndrёn e zёrit, orkestrёn dhe Frederik Ndocin e keni falas. Kush do tё jetё pro meje pёr koncertin nё mёnyrё vullnetare tё mё thotё”. Nuk arrita tё mbarroj fjalёn se tё gjithё me njё zё mu pёrgjigjёn se ishin tё gatshёm tё kontribonin me aq sa mundeshin. Dikush doli vullnetar pёr tё lajmёruar tё gjithё artistat e komunitetit pёr kёtё koncert lamtumire pёr mbledhjen e tё hollave qё hyjnesha e kёngёs shqiptare dhe familja tё varroseshin me nderime dhe respekte siç e meritonin…..Dёgjoj njё zё nga turma dhe pashё Kozetё dhe Qemal Zylo i cili tha:
– “Ne ofrojmё sallёn e kishёs sonё qё ka kapacitet prej 1000 vetash”….. Dhe qё nga ai moment filloi organizimi nga tё gjithё artistat dhe artdashёsitё tё New Yorkut dhe nga shumё shtete tё tjera tё Amerikёs pёr koncertin e lamtumirёs.
Ishin tё shumtё ata qё ishin aty atё ditё kur u morrё vendimi pёr “Koncertin e Lamtumirёs”, por nё kujtesёn time ka mbetur puna e palodhur dhe organizimi i Kozeta dhe Qemal Zylos, Merita dhe
Raif Hysenit, Edi Xhanit etj… tё cilёt kanё qёnё prezent qё nё momentin e parё qё kemi vendosur pёr koncertin e lamtumirёs dhe ishte puna e tyre dhe shumё e shumё artistave tё tjerё tё komunitetit qё ky koncert “Nuk ka Bijё pёr tё qarё nёnat dhe nuk ka nёna pёr tё qarё bijёt”, titull qё shpirti im i ndrydhur nga pesha e madhe e dhimbjes krijoi, doli aq madhёshtor dhe gjigand, ashtu siç ishte dhe arti dhe muzika qё Anita Bitri krijoi.

 ***************************************

-Një situatë mbresëlënëse?

Kam një kujtim tejet të bukur dhe tejet mbresëlënës, kur Anita ishte në Itali për vizitë tek unë. Si çdo emigrant që përpiqej të punonte për mirëqenjen e tij, edhe unë punoja në një diskotekë të madhe verore në L`Aquila të Italisë. Një fundjave, e mora Anitën me vete në këtë disko, ishte njё diskotekё e madhe me një publik rreth, 4000-5000 veta. Atë ditë ishin ftuar edhe një grup muzikantësh për të argëtuar publikun, një nga grupet më të njohura të atij qyteti. Nga mezi i mbrёmjes Anita më vjen dhe më thote: – Ben, të lutet motra, thuaj atyre të orkestrës që të këndoj një këngë. Në fillim u druajta nga kjo kërkesë, për vetë faktin që ishim në Itali dhe orkestra si njihte, këngët e Anitës, por edhe publiku nuk e njihte dhe i druhesha mirëpritjes së tyre. Por, megjithatë për mos t’ja prishur qejfin e pyes; – “Ç`farë këngë dëshiron të këndosh”? Anita më përgjigjet:- Unë mund të këndoj “Lambada”. Dhe ma do mendja se ata e njohin atë këngë që është edhe shumë e thjeshtë për t’u mësuar nga orkestra. Pranova duke pasur besim tek zëri dhe talenti i Anitës vajta te orkestra dhe bisedova me ta. Ata si artistë të vërtetë pranuan pa problem. Në mes të koncertit ata anuncuan që një këngëtare e shquar shqiptare do të këndoj një këngë. Publiku u bë kureshtar, unë isha pak në ankth, pasi njihja në palcë racizmin e tyre rreth shqiptarëve. Por, ju nuk mund ta imagjinoni habinë e tyre, kur Anita pasi u shpjegoi orkestrës notat dhe vijën muzikore të këngës
“Lambada” filloi të këndojë. Të gjithë u çuan të vallëzonin dhe të këndonin me të dhe kërkuan dhe një këngë tjetër. Anita nuk ua prishi, kësaj here ajo këndoi njё këngë italiane diçka që thoshte:- Ridi, Ridi e mi guardi e Ridi. Kënga u brohorit me aq enthusiazëm sa që pronarët e diskos më thërritën në radiolinën që mbanim dhe me pyetën se çfarë po ndodh. Mbas mbarimit të këngës, zbritjes nga skena nuk mundeni ta imagjinoni sa e lumtur ishte Anita, sytë i xixëllonin dhe shumë e kënaqur me fytyrёn që vetëm i qeshte.

 ***************************************

Anita dhe “Sirena” e detit…..

Kjo ka ndodhur në një ditë të nxehtë korriku shumë kohë më parë, ndoshta Anita ishte 6 ose 7 vjeçe. Unë kam diferencë moshe me Anitën vetëm 4 vite. Si tani e kam parasysh këtë ngjarje të ndodhur në plazhin e vjetër të Vlorës. Ishte mbasdite dhe koha ishte shumë e bukur, pothuaj rreth orës 6 të mbrëmjes. Me Anitën dhe me shokët tanë po loznim anës detit. Në një moment shikoj Anitën në distancë që më thërriste. U afrova dhe Anita më thotë: – “Ben shiko sa bukur po skulpturon ky xhaxhi”. Hedh shikimin në drejtimin që Anita po më tregonte dhe shikoj një burrë që po bënte një skulptur me rërën e detit, ishte vërtete një skulptur e bukur dhe Anita mu lut që ta shikonim. Qëndruam dhe po shikonim lëvizjet dhe atë shkathtësi të atij artisti, ishte duke bërë skulpturën e një sirene. Anita u mahanit nga bukuria e kësaj skulpture dhe përsëri mu lut që rë qëndronim dhe të shikonim skulpturën e përfunduar. Nuk ja prisha motrës sime të dashur edhe pse ishim pak vonë për të shkuar në shtëpinë që e kishim afër plazhit. Anita e vështronte skulpturën gati të përfunduar dhe ishte aq e mahnitur nga kjo skulptur sa që nuk ka fjalë që ta shprehin. Artisti që po skulpturonte e pa interesimin e Anitës dhe filloj të qeshte dhe ti shpjegonte që po skulpturonte një siren deti dhe na buzëqeshte me mirëdashje, por njëkosishtë i habitur që ne po pëlqenim aq shumë atë skulptur me rërën e detit. Kur skulptori mbaroj dhe i dha dorën e fundit, u drejtua nga Anita dhe i thotë; – Okej vogëlueshe e bukur, këtë skulptur ta dedikoj ty, është sirena jote”, dhe duke buzëqeshur me dashamirësi dhe shume i kënaqur nga admiruesit e vegjël, mblodhi veglat e punës dhe u largua. Ju nuk mund ta imagjinoni sa u lumturua Anita. Filloj ta përkëdhelte atë skulptur, të pastronte rërën anash dhe ti fliste sikur ishte njeri. Unë po qeshja me admirimin e motrës sime të vogël. Në këtë kohë disa fëmijë më të rritur në moshë u afruan dhe deshën të loznin me rërën e skulturës, por zëri i Anitës i ndaloj. Anita me pamje shumë seroze u thotë: – “Lozni por mos e prishni se është sirena ime, ai xhaxhi skulptori e bëri për mua”. Fëmijët filluan të qeshnin dhe u afruan dhe filluan ta prishnin. Anita filloj të qaj dhe shikonte nga mua sikur kërkonte ndihmën time, por ata fëmijë ishin shumë më të rritur se mua dhe banonin në atë lagje. Në atë moment një fotograf i plazhit që po kalonte me aparatin në dorë, dëgjoj të qarat dhe lutjet e Anitës dhe u afrua dhe me një zë të ashpër ju drejtua atij grupi fëmijësh. Ata të friksuar ja dhanë vrapit. Anita mes lotësh filloj ti shpjegonte fotografit që ishte “Sirena” e saj. Fotografi u afrua tek Anita që po qante, sado që unë mundohesha ta qetësoja dhe i thotë: – “Vogëlueshe dëshiron të të bëj një fotografi tek “Sirena” jote, në këtë mënyrë asnjë smund ta prish më dhe do të jetë vetëm e jotja”. Anitës i shkëlqyen sytë, dhe pa nga mua unë i thashë okej. Fotografi e mori për dore dhe e afroj tek skulptura dhe i bëri 2 foto, pastaj i thotë me të qeshur: – “Dëshiron të bësh një xhiro me “Sirenën” tënde”. Anita u mrekullua. Fotografi e mori për dore dhe e vendosi me shumë kujdes mbi skulpturën prej rëre të “Sirenës” dhe i bëri disa foto. Me shumë përzemërsi mu drejtua dhe më pyet se ku banonim i tregoj se ku banonim dhe ai na dha fjalën se nesër do të na sillte fotot e “Sirenës”. Anita ishte shumë e gëzuar dhe i dukej vetja aq e madhe dhe triumfuese. Pasi fotografi u largua me shumë të lutura dhe këmbëngulje e largova motrën time të vogël nga “Sirena” e saj, duke i premtuar që do të ktheheshim përsëri në mëngjez. Atë natë në shtëpi Anita s`pushonte të treguari prindërve dhe vëllait të madh Lulit për “Sirenën” e saj të dhuruar nga skulptori. E nesërmja erdhi së bashku me zhgënjimin në sytë e Anitës së vogël, kur pa që “Sirena” nuk ishte më. Zbatica e detit gjatë natës e kishin marrë sirenën me vete. Duke qeshur i shpjegova Anitës që “Sirena” kishte notuar në det dhe ndoshta një ditë do të kthehej. Po atë mbasdite kur u kthyem në shtëpi pas plazhit në xhamat e bufes së shtëpisë ishin vendosur fotot e dy “Sirenave”, një prej rëre dhe një tjetër që me pozat e saj mundohej të bëhej më e madhe se mosha e saj. Më kujtohet që Anita atë natë flejti me foton e sirenës dhe unë dhe vëllai i madh Luli, qeshnim me motrën tonë të vogël. Nuk e di se ku janë fotot e tjera me “Sirenën” skulptur, që ai fotograf aq zemër mirë I solli në shtëpi, por vetëm kjo foto dhe kujtimi i ëmbël i motrës sime të vogël mbeten në kujtesën dhe memorjen time.

New York 2015

 ***************************************

 Anita nuk ishte vetem nje Artiste e veçante, por edhe nje vajze, grua e nene e per me teper nje Njeri me vlera te medha njerezore. Shume nga shqiptaret e njohin Aniten nepermjet artit, kengeve qe ajo kendonte, por une e njihja pak me afer, jo vetem si nga Vlora, por edhe pse banonim ne te njejten lagje. Anita ishte mosha e kusherinjve te mi te pare(me te medhenj) dhe behej shume me ta, dhe une e im vella qe ishim me te vegjel e takonim gjithmone. Anita nuk e ndryshoi kurre personalitetin e saj modest edhe kur u be artiste e njohur, te fliste e te pyeste me dashuri e dhembshuri njesoj. Nene Hazbijen(nenen e Anites, zonje e mrekullueshme) kisha pasur fatin e rastin ta njihja qekur isha e vogel. Hazbija punonte si infermiere ne ate kohe ne Ambulancen e Vlores, dhe shpesh kur me conte mami per te bere ndonje analize, Hazbija, tregonte kaq perkujdesi dhe mundohej te bente te pamunduren. Keto kujtime ngelen edhe me te rrenjosura kur je femije i vogel dhe njerez te tille te tregojne dashuri dhe perkujdesi sikur te jesh femija i tyre. Shpesh e theksoj se nena eshte mesuesi i pare ne jeten e femijeve per t’i bere ata njerez me te gjitha vlerat njerezore, e ndaj edhe Anita edhe mbasi arriti nje karriere shume te suksesshme kurre nuk u shkeput nga ajo qe e kishte mesuar nena e saj. Aty nga fundi i viteve 90-te Antia me merr ne telefon dhe donte te vinte ketej dhe ta priste dikush. Pa diskutim qe pergjigja ime ishte e padiskutueshme qe do ta prisnim e te rrinte sa te deshironte. Ne bisede e siper tek po flisnim ne telefon Anita nuk kishte harruar per nje minute te me mbante mend me detaje, edhe pse kishim disa vite qe nuk ishim pare dhe me pyet. -“Aurora, je zgjatur me, s’e ke qene shume e gjate kur u largove?” -“Jo, Nita, kam ngelur aq, biles me e shkrutra ne familje”-iu pergjigja me shaka, dhe u habita qe Nita me mbante mend me detaje. -“Me vjen cudi, s’e ju te gjithe ne familje jeni te gjate”-ma kthen dhe qeshi me embelsine qe e karakterizonte. Me vone Antia e kishte rregulluar te shkonte ne New York dhe kjo edhe per shkak te karrieres.
Heren e fundit qe u takova me te ishte rreth 2003 ne nje feste shqiptare ketu ne Boston tek Pier Four(nje nga restorantet e Anthony Athanas) aty ku beheshin shpesh festat e shqiptarve. U cmallem bashke e u perqafuam. Kujtuam disa nga kohet kur ishim ne Shqiperi si edhe kujtuam tim vella(Benin) te cilin e kishim humbur disa vite me pare. Antia si nje njeri teper i prekshem nuk e mbante dot te qaret, pasi na njihte te dyve qe te vegjel, dhe kur me pa mua vetem ate dite, sikur ndjeu nje boshllek qe nuk shikonte tim vella ne krah tim qe nuk ndaheshim kurre. Nuk doja qe te shqetesohej e per me teper te qante, pasi festa ishte ne vazhdim e i duhej te kendonte, dhe e perqafove duke i thene-“Nita te lutem mos, se ke edhe koncertin. Te kuptoj dhimbjen qe ndien” Festa vazhdoi dhe tek po kercenim e Nita po kendonte per te me bere qejfin kur po kendonte, me therret emrin qe ta degjonin te gjithe. Per te une isha ajo Aurora e vogel qe ne Shqiperi, edhe pse tashme e rritur.

Diten qe ndodhi tragjedia ndodhesha ne pune dhe isha pak me larg(me sherbim) nga zyrat ku punoja zakonisht. Me merr nje ish-mikja ime(turke), pasi e dinte qe kisha te beja me Aniten, meqe kishte rrastisur ne nje nga koncertet e saj ketu dhe i kisha folur per te dhe me thote cfare kishte ndodhur. Nuk e di cfare te mendoja ne ato momente, por nje tragjedi e tille me tronditi pa mase, njesoj si per vellane, e aq me teper kur ikin tre gjenerata femrash nga nje familje ne kete menyre! Keta njerez lene gjurme teper te thella si tek ne qe i kemi njohur qe ne vegjeli, por edhe tek ata qe i kane njohur nepermjet ekranit. N.q.s ka vertet nje Parajse, Nita, nene Hazbija dhe Sibora jane atje. Antia dhe Sibora duke kenduar dhe nena Hazbija duke u perkujdesur si gjithmone. Pushofshi ne paqe dhe Faleminderit per kujtimet e bukura dhe mbreslenese qe late tek kushdo qe u njohu nga afer.

Aulona Bushi Capaj

 ***************************************

 Me Anitën kemi qënë në një koncert në Berat.

Ka qënë muaji Qershor, mbaj mend ku Anitën e dashur e ftuam në një koncert me grupin e estradës së Beratit të jepte një shfaqje për punëtoret e kombinatit tekstileve Berat. Ka qënë ditë e shtunë. Rreth orës 14:00, shoqet e punës më thërrasin dhe më thotë që Anita ka ardhur në Berat. U mblodhëm që të gjitha shoqet dhe shkuam tek salla ku po bëeshin provat për koncertin që do të shfaqej po atë mbrëmje. Unë merrja pjesë në atë kohë në korrin e estradës së beratit. Filluam të bënim provat dhe Anitës i duheshin dy vocaliste për ta shoqëruar në disa nga këngët e saj. Anita dhe drejtuesi i estradës na dëgjoj në prova dhe ata zgjodhën mua dhe një shoqen time për shoqëruese kompleksi të Anitës. Si tani më vjen në mendje kur Anita me atë buzëqeshjen e saj karakteristike më afrohet dhe më thotë: -“Të lutem Monda ka mundësi të shoqërosh sot dy këngët e mia pasi ke një zë të bukur dhe me vocalitet të lartë, dhe këto këngë duan zërin tënd në kompleks”. Unë e pranova me kënaqësi kërkesën e saj dhe ishte një nder për mua të shoqëroja këngëtaren time të adhuruar. Provat vazhduan deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Dy këngët që do shoqëroja ishin dy këngë që unë i njifja shumë mirë dhe që unë me kënaqësi i këndoja sa herë, dhe nuk patëm asnjë problem për të bërë kordinimin. Në orën 21:00 po të asaj nate filloj koncerti. Ishin mbledhur të gjitha punëtoret e kombinatit, biles kishin ardhur dhe vajzat nga krahinat përreth. Salla ishte mbushur plotë sa nuk kishte më vend sado që ishte një sallë gjigante. Koncerti filloi. Anita shpërtheu me zërin e saj të bukur dhe me lëvizjet e saj energjike dhe elegante, ishte një kryvepër. Salla u ngritë në këmbë dhe duartrrkitjet s`pushonin. Të gjitha vajzat e kombinatit të emocionuara filluan të këndonin së bashku me Anitën dhe ta shoqëronin atë në këngët e saj. Po mendoja sa çudi ku i dinë këto goxa të gjitha këngët e Anitës. Ajo sallë ishte mbushur plotë me emocione dhe muzikë hyjnore. Zëri i bukur Anitës përhapej në atë atmosfer gëzimi. U habita se sa e donin Anitën beratasit. Publiku ishte si dehur nga këngët plot rritëm dhe bukuri. Ndenjëm gjatë atë natë edhe pse koncerti mbaroj pas dy orësh, njerëzit nuk deshën të largoheshin edhe pse ishte vonë. Por Anita mori mikrofonin dhe pranoj kërkesën që të jepte një tjetër shfaqje të nesërmen në të njëjtën sallë, pasi ishte e diel dhe kombinati ishte pushim. Do ti kujtoj ato dy ditë unë dhe ata që u ndodhën në atë sallë, si dy ditët më të bukura të jetës sime, pasi Anita me këngët dhe zërin e saj na largoj të gjitha hallet dhe lodhjen. Nuk do ta harroj kurrë para se të largohej, erdhi dhe na takoj gjithë trupën e estradës. Anita ishte jo vetëm një këngëtare e shkëlqyer por edhe një person jashtëzakonishtë i mirë. E dashur, e qeshur dhe e respektuar, kështu do të mbetet në kujtesën time, këngëtarja dhe bukuroshja Anita Bitri.
Monda AgoAnetare e grupit Anita Bitri – Gjithmon Pran Jush!

 ***************************************

 Ngjarje e jetuar!!!

Ka qënë dhjetor i vitit 1995. Jetoja në Itali në atë kohë. Mëngjez rreth orës 10. Anita më merr në celular dhe më thotë se do të ishte shumë e lumtur të vija në Shqipëri për të ndjekur festivalin se do të këndonte një këngë shumë të bukur. Me kënaqësi pranova ftesën dhe duke ditur merakun e Anitës për veshjen, e pyes se si do paraqitej. Filloj të qeshte dhe filloj të më përshkruante se me çfarë veshje dëshironte që të paraqitej në këtë festival, e deshte ngjyrë të zezë, pak të shkurtër përpara dhe të vazhdonte si me bishtë, siç më tha, si ato të principesave. Ndoshta rastësi apo çudi të njëjtën tip fustani që po më përshkruante në telefon e pashë të ekspozuar në vitrinën e një dyqani gjatë rrugës që po kaloja. Ndalova. Parkova makinën, gjithë kohën duke biseduar në telefon me Anitën futem në dyqan dhe pyes shitësen se çfarë size ishte fustani. E pabesueshme, size e Anitës dhe çudia vazhdoi që fustani shoqërohej me një palë këpucë të kuqe, po i njëjti numër i këmbës së Anitës. Dhe sot e kësaj dite qesh me vete kur kujtoj atë habi të Anitës kur veshi fustanin, i cili sikur të ishte prerë apostafat për Anitën.
Dhe me këtë fustan aq të bukur u paraqit në Festivalinë e RTSH me këngën “Besoj në Dashuri”.

Ka qënë dhjetor i vitit 1995 dhe Anita ishte e ftuar e në Tiranë në Festivalin e RTSH me këngën “Besoj në Dashuri”, por këtë rrallë jo si konkurruese por si e ftuara e nderit e këtij Festivali.
Unë erdha nga Italia vetëm për të ndjekur këtë debutim të Anitës. Atë ditë që do të zhvillohej festivali, së bashku me mamanë time Hazbijen u nisëm drejt Tiranës me makinën time personale. E kishim lënë me Anitën të takoheshim para se të fillonte koncerti. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, pikërishtë kur u futa në të hyrë të qytetit të Fierit, afër fshatit Driz, filloj një shi shumë i madh si ditë dimri që ishte. Në kohën që po shkëmbesha me një autobuz udhëtarësh, pashë në anë tjetër të rrugës, pra në të majtë të saj, një gjyshe që mbante për dore një vajzë të vogël, rreth 6 vjeçe. Sapo autobuzi kaloj, fëmija e vogël u shkëput nga dora e gjyshes dhe pa menduar gjatë, si gjithë fëmijët, vrapoj dhe kërkoj të kalonte rrugën, pikërishtë në kohën që makina ime po kalonte. Pamja ishte shumë e kufizuar nga shiu i rrëmbyer, pjesa e parë e makinës ishte e lartë dhë fëmija shumë e vogël, gjithashtu koha dhe distanca ishte e shkurtër për çdo lloj manovre. Pashë si në mjergull që diçka lëvizi përpara makinës dhe instiktivisht frenova fort dhe përpak sa nuk dolëm nga rruga, pasi manovrova në të djathtë dhe aty rruga është shumë dishes dhe e rrëshkitshme nga balta, imagjinoni gjëndjen e rrugëve në ato vite. Ndalova dhe zbrita nga makina thjeshtë për tu bindur se çfarë ishte ajo si hije që më kalojë para makinës. Mbeta i shtangur kur në anën e rrugës pashë trupin e vajzës së vogël, që ishte zhytur në baltën anës rrugës. Vrapova, e morra në krahë, i pastrova gojën nga balta, dhe i mata pulsing. Asnjë shenjë jete, shumë i shqetësuar shkova drejtë makinës dhe ja dhashë në dorë mamasë time Hazbijes e cila ka qënë ndihmës – mjeke. Fëmija vazhdonte të ishte pa asnjë shenjë jete. Mamaja filloj ti bënte frymëmarrje artificiale dhe CPR. U nisëm me gjithë shpejtësin drejtë spitalit të Fierit, ndërkohë mamaja ime vazhdonte të bënte CPR fëmijës së vogël. Nuk do ta harroj kurr atë moment gëzimi dhe çlirimi që ndjeu shpirti im kur pas shumë përpjekjeve që bëri mamaja ime e shtrenjtë, nga gjoksi pa jetë i fëmijës doli një ofsham qarjeje. Mamaja me atë shpirtin e saj të pastër i dha shancinë e dytë kësaj fëmije të pafajshëm. Arritëm në spital dhe direkt e mora fëmijën dhe e çova në emergenci ku një doctor e mori fëmijën që vazhdonte të qante në vëzhgim dhe filloj ta vizitonte. Nuk më hiqet nga mendja kur babai i fëmijës erdhi në spital dhe pa ditur si ishte puna, sapo morri vesh që unë isha shoferi që bëra aksidentin deshte të më godiste, por doktori e mbërtheu direkt nga fyti dhe me një zë të ashpër i tha: – “Turp të kesh, ky zotnia i shpëtoj jetën kësaj fëmije, ti nuk e di se sa raste kam parë, kur shoferat i lënë fëmijët në mes të rrugës pas aksidentit. Dil përjashta nga kjo dhomë”. Ndihesha fajtor, pasi vajza e vogël nuk ka asnjë koncept për rregullat e qarkullimit rrugor, por edhe i qetë në ndërgjegjen që me të gjitha përpjekjet që bëm, mamaja dhe unë shpëtuam jetën e kësaj fëmije. Policia erdhi, më morrën në rajonin e policisë. Pas 1 ore erdhën të dy gjyshërit e fëmijës, dy burra fisnik dhe të thyer në moshë, të cilëve si duket ata që panë ngjarjen u treguan rrethanat si ndodhi. Ata kërkuan prej kryetarit të degës të më linin të lirë pasi skisha asnjë faj. Erdhën më përqafuan dhe më kërkuan ndjesë për sjelljen e babit të fëmijës. Akoma sot i falenderoj nga zemra këta njerëz bujar dhe të ndershëm që dinë të vlersojnë të mirën. Policët më lanë të lirë pas pak, dhe së bashku me mamanë vazhduam rrugën drejt Tiranës. U takuam me Anitën para koncertit, por për mos ta shqetësuar nuk i treguam se çfarë ndodhi……. Debutimi i Anitës në këtë koncert ishte brilant dhe akoma më kujtohen duartrokitjet e publikut pasi ajo mbaroj këngën dhe mua më duhej njëkosishtë të ndaloja shuplakat e mamasë time që spushonin së duartrokituri edhe pse kënga kishte mbaruar. Ishte krenare për fëmijën dhe këngëtaren e saj të adhuruar. Pas koncertit së bashku me disa këngëtar dhe miq të Anitës, mamaja dhe unë shkuam të hanim darkë në një restorant luksoz dhe të festonim këtë triumph të Anitës. Darka filloj, dhe Anita që më njifte shumë mirë më pyet se kishte diçka që nuk shkonte. Prapë kërkova që most ja prishja gëzimin dhe i thashë që jo, çdo gjë është në rregull, por mendja gjithmonë ishte tek shëndeti i fëmijës së aksidentuar. Anita përsëri inzistoj dhe mamaja i tha të vërtetën se çfarë ndodhi. Anita menjëhërë u ngrit në këmbë, u kërkoj ndjesë miqëve dhe kolegëve të saj dhe po atë natë rreth orës 01:30 të mëngjezit Anita, mamaja dhe unë, jemi nisur drejtë spitalit të Fierit. Gjetëm dhomën që ishte fëmija dhe ju nuk mund të imagjinoni habin dhe sytë e mbushur me lotë të mamasë së fëmijës që ndodhej pranë shtratit të fëmijës, kur pa këngëtaren e saj të adhuruar Anita Bitri. Nuk i besonte syve. E përqafoj Anitën dhe i uroj për përformancën në festival, duke harruar për një moment se çfarë kishte ndodhur. Çfarë fisnikërie kemi ne shqiptarët. Anita vajti tek vajëza e vogël që flinte si një ëngjëll dhe e puthi. Ndenjëm gjatë në atë dhomë spitali ku dashuria, respekti dhe mirësia mbushte atmosferën. Vajza u zgjua e qeshur atë mëngjez, gjyshërit dhe babai i fëmijës erdhën dhe na falenderuar dhe njëherë për atë gjest sa të vogël por human që mbush shpirtrat e këtij populli të vuajtur por me karakter madhështor. Kjo ishte Anita Bitri, artiste por edhe njerëzore, këngëtare por edhe e dashur, e famëshme por edhe thjeshtë, që mund të linte ngallnjimin e një festivali të rëndësishëm për të respektuar një fëmijë të vogël……. Mamaja dhe unë për shumë herë me rradhë e kemi takuar dhe vizituar këtë fëmijë, e cila ishte aq e gëzuar kur na shikonte, por pa e ditur që ajo na jepte më shumë lumturi dhe krenari mua dhe mamasë sime të shtrenjtë, kur e shikonim kur luante me lodrat dhe dhuratat që i kishim sjell. Pas kaq viteve që kaloj në mendje këtë histori të ndodhur në fshatin Driz të Fierit, mendoj që ajo fëmijë është tani e rritur ndoshta nënë ….

 ***************************************

 Kanali “hajdut” dhe këpuca

Isha i vogël atë kohë ndoshta 7 ose 8 vjeç, por si tani e kam parasyshë atë kanal të ujёrave të zeza, që si një gjarpër i mallkuar zvarritej pranë lagjes dhe fushës së vetme tё futbollit, ku ne fëmijët mund të loznim top.
Sapo kishim ardhur në Vlorë nga Saranda në lagjen 29 Nëntori ose “Tre racat” që përdorej në zhargonin e përditshëm, ndoshta nga një skulpturë që ndodhej në lulishten e kësaj lagjeje. Vendi ku morrëm pallatin ishte i pabonifikuar akoma.
Atë mëngjez dimëri të së shtunës, babai me atë zërin e tij të rëndë më thotë që të vishesha dhe të shkoja me të. Pa shumë fjalë u vesha dhe e ndoqa.
Pasi kaluam “Sheshin e Flamurit” të qëndrës së Vlorës, u futëm në një mapo të madhe dhe babai pasi bisedoi me një shitëse më dha në duar një palë këpucë të zeza me lidhëse dhe më thotë:
– Provoi, se duhet të jenë tamam për këmbën tënde”?
I provova, por dhe tani më vjen për të qeshur ato këpucë ndoshta ishin dy numëra më të mëdhenj se këmba ime, por ngaqё nuk kisha veshur ndonjëherë kёpucё me llustёr mё pёlqyen jashtzakonishtё shumё.
Por sado që i shtrëngova lidhëset deri në fund, prapë këmba ime shkonte sa majtas-djathtas në këpucë.
Isha gati të thosha që janë shumë të mëdhaja kur zëri i shitëses më ndalojё.
– “Nuk kemi asnjë numër më të vogël se ky numër”: – tha ajo:
– “Po deshët kthehuni javës tjetër”. I tmerruar dhe duke parë këpucët e vjetra që dukeshin aq të shëmtuara ndoshta dy vjet më parë i thashë babait: – I kam shumë mirë nuk më vrasin fare. Shitësja qeshi dhe tha:
– “Po janë shumë të mëdha për këmbën tënde”.
Por babai ju përgjigj se do të rritesha dhe këto këpucë do ti përdorja dhe vitin tjetër. Përfytyroni se si ishte ekonomia jonë e bukur “socialiste” në atë kohë. Dollapi i bukës ishte gjithmonë plotë dhe me bukë gruri dhe me bukë misri, “babanace” siç i thashim, por dollapi i rrobave ishte pothuaj boshë. Ho jo!!!!!! të më falni se gabova, harrova se gati 90 përqind të tij e mbushnin veshjet ushtarake të babait tim, që shteti ja japte falas çdo vit. Nejse, shumë i gëzuar dhe i lumtur, nuk ecja por vrapoja pranë babait tim dhe shtrëngoja fortë se mos më binte nga dora kutia me këpucët e reja.
Sa i lumtur isha dhe s`pushoja ti tregoja Anitës dhe Lulit për ato këpucë aq të bukura që më kishin blerë. Nuk më kujtohet nqs kam përdorur kutinё e këpucëve në vënd të jastëkut apo jo? Aq shumë i lumtur ndjehesha. Me gjithë urdhërinë e babait që ato këpucë të mos i përdorja kurrё për të lozur, por vetëm për në shkollë, të nesërmen pasi ishte e djelë dhe ishim pushim, pasi mbaruam mësimet së bashku me Lulin dhe Anitën dolëm për të luajtur tek fusha e zezë, ku natyrishtë ndodhej edhe kanali me ujёra të zeza. S`ma do mendja që luaja futbollё atё ditё, se kisha shumë frikë se më bëheshin me pëlhurë këpucët e zeza që më dukeshin aq të bukura saqë….
Në një moment topi kalon në anën tjetër të kanalit dhe unë nga që s`luaja futboll dhe për tu dukur u them shokëve: – “Mos kini merak se vete e marr unë”. Kalova në anën tjetër të kanalit nga një si shtyllё trari që kishin vendosur për të kaluar nga njëra anë në tjetrën dhe pasi morra topin dhe e fshiva mirë e mirë me kujdes, pasi kisha frikë se më bënte pisë këpucët, shikoj në drejtim të shokëve të cilët bërtisnin emrin tim dhe më luteshin që ta hidhja topin në drejtim të tyre. Marr shenjë dhe “BAM” një të goditur të fort të topit dhe kurr shikoj së bashku me topin fluturoj dhe këpuca ime e re e cila së bashku me gëzimin time, përfundoj në kanal. Ho moj God. Jo, Jo nuk është e mundur ti kanal i zi, ti kuçedёr e keqe, të ma marrësh këpucën time të dashur. Por lotët dhe thirrjet e mija nuk ma kthyen këpucën e dashur. Si tani më kujtohet që mora një kallam të gjatë dhe me shumë mundim se isha shumë i vogël, dhe kallami ishte i gjatё pasi mundohesha qё nga ana e kanalitë tё kërkoja këpucën e zhytur në kanalin “hajdutё”. Si tani kam para syve që dhe motra ime Anita, la lojën dhe me një shkopë të vogël dhe ajo mundohej të kërkonte në brendësi të kanalit.
Ky kanal i zi ka mbetur në kujtesën time të fëmijërisë si një kujtim i hidhur pasi me këtë kanal kam dhe një kujtim tepër të keq ku unë dhe motra ime e dashur Anita për pak sa nuk kemi humbur jetën. Por këtë rradhë unë dola fitimtar dhe trumfova sado i vogël dhe pa eksperiencë noti, ja dola mbanё të nxjerr nga fundi i tijë, Anitën motrën e vogël që ra në të….

Por këtë ngjarje vetë Anita e ka lënë të shkruajtur në kompjuterinë e saj dhe unë me shumë dëshirë dëshiroj ta ndaj me ju.

Ngjarja: – Shkruar nga vetë Anita! Materiali ështё autentike, shkruara nga dora e Anitës e cila po përgatiste librin autobiografik me titull “Rastësia dhe jeta ime”.

Shumë kujtime kam nga fëmijëria ime, shumica të bukura. Por tani do të kujtoj një moment të vështirë, që kurrë s’do të më hiqet nga mendja. Mund të isha në klasën e parë fillore dhe shtëpia ime në Vlorë ndodhej përballë një shkolle 8-vjeçare. Ajo kishte një fushë të madhe ku luanin top djemtë e lagjes. Të gjithë e dimë gjendjen e përgjithshme të jetesës në ato vite. Unë dhe familja ime kemi pas një mirëqënie të mirë fal inteligjencës së babait dhe punës së mirë të nënës sime si infermiere. Babai më sjell ato ditë një top të bukur ngjyra-ngjyra, që unë e shikoja për herë të parë. E mbaja në duart e mia, e prekja dhe nuk e lëshoja nga frika se mos e bëja pis. Shoqet i mora në shtëpi dhe ato u kënaqën bashkë me mua, por shumë shpejt e kuptuam se topi duhet të jetë i lirë që ta ndjesh kënaqsinë e tij. Pa u vonuar, të gjitha futemi tek oborri i shkollës, jo nga ana e asfaltuar, ku luanin djemtë dhe vëllai im i madh Luli, por nga ana tjetër e fushës, që ishte e pashtruar. Në anësore të fushës kalonte një kanal i thellë i ujërave të zeza, që shkolla do ta mbyllte nga dita në ditë. Siç thashë më parë, a mund të ketë kufij topi në një fushë të hapur?! Vjen një moment dhe topi na ikën nga duart dhe bie brenda në kanalin e zi. Unë, e dashuruar pas topit e ndjek duke u hedhur pas tij në kanalin e zi. Nuk e di as vetë se ç’ndodhi, vetëm më kujtohet se pashë veten si nëpër filmat që shohim çdo ditë me njerëz që mbyten dhe përpiqen të dëshpëruar të shpëtojnë. Shoqet e mia ulërinin, por më kot, askush s’ua vinte veshin. Dikush, për sekondë, më pa nga ana tjetër dhe thirrjet u bënë më të fuqishme, por unë përpëlitesha në kanal, ndërsa fuqitë po më linin dhe pak e nga pak po fundosesha. Me sytë të llahtarisur nga frika e vdekjes, që deri në atë moment nuk ia dija kuptimin, arrita të shikoja shumë afër, në buzë të kanalit, vëllain e vogël, Benin, që ulëriste emrin e Lulit dhe kërkonte ndihmë si dhe shumë fytyra kureshtare, që ashtu në këmbë më dukeshin aq të mëdhenj dhe të pa arritshëm. Si tani e mbaj mend që në sekondat e fundit Beni u hodh në kanalin e zi dhe ashtu si edhe unë, pa ditur të notonte arriti të më nxirte nga fundi i kanalit ku isha fundosur. Të dy, mbas mbërritjes së prindërve dhe alarmit që u krijua në lagje u puthëm fortë dhe filluam të qanim sa nga gëzimi aq edhe nga frika. Beni që nga ai moment ishte heroi im.
Që nga ai moment të dy me Benin vendosëm të mësonim notin. Si tani i kujtoj ato ditë të bukura vere, kur të dy shkonim aq larg, sa gati na dukej sikur u afroheshim anijeve dhe ktheheshim të lodhur e të kënaqur. Beni e vazhdoi gjatë rrugën e notit dhe e praktikonte në Vlorë me kilometra të tëra, pasi iu fut rrugës së sportit dhe të krijimit të muskujve. Unë notin pak nga pak fillova ta largoj nga pasionet e mia dhe e shikoja vetëm si një mjet domosdoshmërie.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *