Shtypi – Tragjedia

29 Tetor 2004

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i ka dërguar  një mesazh ngushëllimi familjes Bitri në të cilën thuhet:

“Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Anita Bitrit, vajzës dhe nënës së saj na ka pikëlluar të gjithëve. Si prind që e di çdo të thotë kjo, marr pjesë në dhimbjen tuaj, që s’ka ngushëllim.Anita ishte në lulen e moshës dhe në kulmin e shkëlqimit të talentit të saj. Iku e re, tragjikisht, por la pas vetes portretin e qeshur, mallin e pashuar të viteve në mërgim dhe mbi të gjitha këngët dhe zërin e saj të mrekullueshëm plot dritë dhe gjallëri.

Vepra e kësaj artisteje të madhe nga Vlora do të mbetet  përjetësisht në thesaret e shquara të muzikës së lehtë shqiptare”.

*******************************************

Një lajm i hidhur erdhi përtej oqeanit, krejt i pabesueshëm. Ndёrroj jetë  Anita Bitri një nga koloseot e këngës së lehët shqiptare dhe tragjedia ishte e trefishtё, krahas Anitës vdesin në këtë aksident dhe e bija ëngjёlli që se shijoi jetën, Sibora 8 vjeçare dhe mamaja e mirë dhe e dashur Hazbija, 66 vjeçare.

Shqipëria e mjerё e lënduar gjatë gjithë kësaj kohe nga plagët e emigracionit, e priti me shumë lotë dhe dhimbje këtë gjëmë gati të pabesueshme, nuk kishte familje shqiptare dhe njeri të ndershëm që nuk shprehu keqardhjen dhe sёbashku me Familjen Bitri në këtë fatkeqësi që e pllakosi. Biles për shumë artdashës dhe miq të Anitës kjo tragjedi akoma nuk është  e pranueshme dhe akoma presim që e madhja e muzikës shqiptare të kthehet përsëri në skenat tona dhe të na lumturoj me vokalin e saj të veçantë.

Por do të ishte koncerti i artistëve të diasporës, dhimbja dhe ndihma që dhanë për prehjen e trupave nё tokën mëmë, respekti nga artdashësit dhe nga populli i thjesht që letësuan këtë dhimbje kaq tё madhe.

*******************************************

20 Tetor 2004
Tragjedi e Rёndё nё New York
Ndahet nga jeta kёngёtarja Anita Bitri bashkё me vajzёn dhe nёnёn e saj

Tashmë mbetet vetëm një hidhërim që të këput shpirtin prej kësaj tragjedie familjare. Të martën rreth orës 8.30 të mëngjesit zjarrfikësit zbuluan nënën, vajzën dhe mbesën të helmuara nga monoksidi i karbonit. Kur njësitë e emergjencës hynë në shtëpinë që ndodhet në bulevardin Ocean Avenue, ata konstatuan se niveli i gazit CO (monoksidit të karbonit) në ajër ishte më i lartë se njëmijë për milion, ndërkohë që niveli normal konsiderohet nga 0 deri 9 për milion. “Me shifra të tilla, mjaftojnë disa frymëmarrje që njeriu të humbë ndjenjat”, thotë shefi i zjarrfikësve, Thomas Haring.

Ngjarja

Një nga viktimat ishte 38-vjeçarja Anita Bitri, një këngëtare e njohur  në vendin e saj, Shqipëri, e cila kërkoi të fitonte famë në SHBA. Bashkë me të, humbën jetën edhe nëna e saj 60-vjeçare dhe vajza Sibora, shtatë vjeç. Familja ishte transferuar në Staten Island rreth dy vjet më parë për t’u vendosur në këtë rrugë të qetë të seksionit South Beach. Për fqinjët anëtarët e familjes ishin njerëz aktivë dhe të dashur. “I takoja përditë. Pinim kafe bashkë. Akoma nuk arrij ta besoj atë që ka ndodhur”, thotë mes lotëve fqinja Leonora Ruçi.


Helmimi nga kaldaja

Shkaku i tragjedisë ka qënë kaldaja e ndodhur në bodrumin e shtëpisë ngjyrë rozë të këngëtares shqiptare. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Ndërtimit, Llyse Fink, kohët e fundit ishin kryer disa punime rikonstruksioni në shtëpi. Bllokimi i kaldajës ka bërë që gazi CO (monoksid karboni) i lëshuar nga lënda djegëse që përdoret brenda saj të depërtojë gjatë natës në shtëpi duke i kapur në befasi në gjumë banorёt e saj. “Bllokimi i kaldajës ishte një aksident, që solli është këtë tragjedi”, deklaroi zëdhënësi Fink. Sipas autoriteteve, monoksidi i karbonit krijohet gjithnjë në rastet kur digjet benzinë, naftë, dru ose gaz propan. Shifrat zyrtare flasin për rreth 300 vetë që vdesin çdo vit në këtë mënyrë në SHBA.Për fat të keq, familja e këngëtares shqiptare nuk kishte dedektorë të monoksidit të karbonit. Kjo pajisje funksionon njësoj si dedektorët e tymit, duke lëshuar alarm zanor sapo konstatohet prania e gazit.Një aparat të tillë mund të kishte evituar në kohë tragjedinë.


Zihni Sulaj: Si ndodh vdekja nga gazi

Një vdekje e shpejtë dhe e pashmangshme nëse përqëndrimi i gazit të helmët, monoksid karboni është shumë i madh në ajër. Helmimi vdekjeprurës ndodh edhe kur monoksidi i karbonit çlirohet më pak, veçse në këtë rast proceset e pakthyeshme që ndodhin në organizëm dhe konkretisht në venat e gjakut janë më të ngadalta. Njeriu vdes në gjumë, pa ndjerë asgjë. Kryetoksikologu Zihni Sulaj sqaron se në raste të tilla të helmimit me gaze, monoksidi i karbonit zhvendos oksigjenin në gjak dhe bashkëvepron me hemoglobinën, duke formuar një substancë të qëndrueshme, karboksihemoglobina. Qelizat “vuajnë” pasi nuk transportojnë më oksigjen. Ky proces bëhet gjithnjë e më i pamundur deri në humbjen e jetës.
Pak javë më parë Anitës i vdiq bashkëshorti

Fati i keq nuk i është ndarë familjes së Anita Bitrit. Vetëm pak javë më parë, sëmundja e kancerit i kishte marrë asaj bashkëshortin. Gjatë vizitës së saj në korrik, Anita kishte programuar një turne të madh në të gjithë vendin. Për këtë ishin gjendur edhe sponsorët, kryesisht në vendlindjen e saj Vlorë. Por gjithçka është shkatërruar për shkak të lajmeve të këqija që vinin nga pjesa tjetër e familjes në SHBA. Bitri u detyrua të lërë pas dore planin për koncertin dhe të kthehej në New York, për t’i qëndruar pranë në grahmat e fundit bashkëshortit të saj të sëmurë.


Flasin kolegët shqiptarë: Pengu i fundit dhe koncerti më 28 nëntor

Ende nuk jepen detaje për përcjelljen që do t’i bëhet këngëtares. Artistët shqiptarë në New York shprehen se lajmi ka qenë befasisht tronditës dhe është përhapur në mënyrë kaq të rrufeshme saqë s’u ka lënë atyre kohë të mendojnë për shërbesën e fundit. “Nuk kemi menduar për organizimin e funeralit. S’ka shumë që ndodhi, por çdo gjë është përhapur me kaq shpejtësi. S’mund t’u them detaje për ceremoninë”, tha në linjë telefonike publicisti i njohur Pëllumb Kulla, ndërsa rrëfeu momentet kur ishte njoftuar për tragjedinë dhe eksperiencën me këngëtaren, njohjen, koncertet. “Më telefonuan nga gazeta Iliria duke kërkuar dhe ata informacion për tragjedinë. S’e kisha marrë vesh. Ishte herët akoma, pa u përhapur lajmi. Kjo gjë më ka tronditur jashtëzakonisht shumë për arsye se sapo kishim biseduar me Anitën dy ditë më parë dhe sot po matesha përsëri për ta marrë në telefon”. Regjizori Kulla ka qenë organizator i mjaft koncerteve të këngëtares. “Këngët e saj kishin mjaft sukses. Publikut sidomos i ka mbetur në mendje Anita e Festës së Vitit të Ri, katër vjet më parë me këngën arbëreshe me violinë. Tani së fundi kishim një koncert ku ishte e ftuar dhe ajo. “Ne me Anitën prisnim koncertin e Bostonit më 28 nëntor”, tha Edmond Kushi, një tjetër muzikant-koleg i këngëtares. “Kjo që ndodhi ishte shumë tragjike. Unë u lajmërova nga një kolegu im në telefon, sot paradite”, tregoi ai. Kushi tha më tej se familjarisht kishin hyrje-dalje me këngëtaren Bitri, meqë jetonin dhe në një qytet. “Kohët e fundit Anita po përgatiste një disk”. “Ajo ishte një fenomen i shkëlqyer i muzikës pop në Shqipëri”, thotë producenti i regjistrimeve të saj, James Avatar, që shton se këngëtarja shqiptare e adhuronte ëndrrën amerikane, i pëlqente Aretha Franklin dhe yje të tjerë të muzikës…..

Nga New York – Marcus Solis -BallkanWeb

*******************************************

Vdekja e trefishtё nё New York, ka nxitur bashkinё tё marrё masa tё forta ligjore
Nga BEQIR SINA (Nju Jork SHBA)

STATEN ISLAND NY:  Nxënësit e shkollës fillore PS-R, Staten Island, e filluan sot herët në mëngjes orën e parë të mësimit, me një minutë heshtje. Ndërsa një lutje korale sipas traditës së shkollës amerikane në kujtim të shoqes së tyre, e cila, humbi jetën nga një aksident tragjik, doli nga goja e çdo nxënësi. Tek klasa e parë, pikërishtë mbi bankën aty ky dy ditë më parë, ka ndenjur Sibora Bitri, nxënësja e kësaj klase, ishte vendosur një fotografi, një tufёme trandafila dhe disa qirinjë të ndezur si dhe një “baby doll”. E ndërsa klasa këndonte një lutje “Even before we call on your name to ask You,O God…You hear our prayer… dy shoqet e Siborës së vogël  kishin ulur kokat e qanin në heshtja, na tha mësuesja e kësaj klase, Kety Mayer.

—- Pas shkollës sot gjithçka gjatë gjithë ditës, pothuajse kishte kaluar vëmëndjen pranë shtëpisë, në rrugën Oqean ave.. Aty ku miq dhe dashamirës të këgëtares shqiptare Anita Bitri, vendosnin njёri pas tjetrit buqeta me trandafila të freskëta, ndiznin qirinjë, qanin e luteshin. Kjo pamje zije, e shoqëruar kudo me një hije të rëndë dhimbje, u përcoll me pas deri në mbrëmje, në shtëpinë mortore “A. Azzara Funeral Home”, në rrugën “Sand Lane” në Staten Island, shumë pranë shtëpisë së saj. Muzikantë, këngëtar, admirues të këngëtares, miq, shokë e shoqe, fqinjët, grupe nxënësish me prindërit, në shenjë nderimi për artisten e njohur, vendosnin edhe këtu tufa me lule, luten, për këngëtaren shqiptare Anita Bitri, e cila, humbi jetën tragjikisht së bashku me tëëmën, vajzën e saj Sibora 8 vjeçare.

—- Paraprakishtë, ekspertët dhe hetimet e para të policisë njujorkeze, megjithëse nuk kanë nxjerr ende ndonjë raport zyrtar, kanë sqaruar në mediat e ndryshme, se shkak i vdekjes ka qënë asfiksimi nga mbiniveli monoksidi i karbonit. Shefi Tomas Haring, specialist i njohur i këtyre problemeve në New York, ka thënë se me këtë nivele të monoksidit të karbonit- mbi 100, mjaftojnë vetëm disa frymëmarrje për të humbur ndjenjat e mbetur vdekur në vend.

—- Të gjitha të përditshmet njujorkeze e amerikane, papërjashtim e kanëpasqyruar ngjarjen me artikuj të zgjeruar e ilustruar me fotot e këngëtares shqiptare Anita Bitri dhe të se bijës Siborës, marr këto pas tragjedisë ku humbi jetën familja Bitri. Të gjitha, pothuajse citojnë se hetimet, lidhen me punimet rinovuese të banesës gjatë muajve të fundit, bërë nga një kompani ndërtimi. Këngëtarja e njohur shqiptare, Anita Bitri, vajza e saj 8-vjeçare dhe mamaja e saj 66 vjeçare, shkruajnë ato, u gjetën të vdekura në shtëpinë e tyre në rrugën Oqean ave, të martën në mëngjes, viktima të helmimit prej monoksidit të karbonit. Vdekja e tyre ka nxitur autoritetet njujorkeze dhe vetë majorin e Nju Jorkut, të dalë në konferenc shtypi sot, e të thotë, se pas kësaj tragjedie, të vendoset në fuqi njëligj i cili detyron vendosjen nëpër banesa të apartaveve (dedektorve) sinjalizuesve të monoksidit të karbonit, ato do të vendosen në çdo shtëpi prej sot menjëherë. Ajo shtëpi, që do të gjendet pa aparat sinjalizues do të gjobitet rëndë, thotë majori i qytetit, Michael Bloomberg, duke ju referua gjithmonëtragjedisë në familjen shqiptare Bitri në Staten Isalnd.

 

Të shtunën mbahet koncert recital përkujtimor

—- Një grup intelektualësh, në bashkëpunim me të afërmit, Enverin, Aleksadrin dhe vëllain e Anitës, i cili pritet të mbërrijë sot nga Italia, miq dhe shokë, do të organizojnë ceremonin mortore. Dy pedagogët e njohur shqiptarëQemal e Kozeta Zylo, duke njoftuar me keqardhje të madhe, komunitetin tonë për humbjen tragjike të Pop-Starit shqiptar Anita Bitri, e ëngjëllit të saj të vogël, Sibora, si dhe nënës së saj, thonë se Homazhet do të bëhen të shoqëruar me një koncert përkujtimor recital, ku janë të ftuar të gjithë artistët e komunitetit, të shtunën në orën 4 mbasdite, me orën e New Yorkut. Ata kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në New York e rreth tij, që të bashkohen në këtë fatkeqësi të madhe që ndodhi në komunitetin shqiptarë, për t’i dhënë nderimet e duhura, tre gjeneratave shqiptare dhe të ofrojnë ndihma. Homazhet dhe koncerti, thanë bashkëshortët Zylo, do të mbahen në adresën 6501 – 6th Avenue në Kishën “First Evangelical Free Church” në Brooklyn – New York

*******************************************

Tirana Observer. E Enjte, 17 Janar 2008.

1
Tani një ligj me emrin Anita
Shkruar nga Aulona Kadillari   

Para se Bashkia e Vlorës të vendos emrin rrugës “Anita Bitri”, qeveria e New Yorku-t, ku këngëtarja ka humbur jetën, i ka vendosur emrin një ligji. “Ligji Anita”, është ai ligj ku çdo familje në SHBA duhet të vendosë detyrimisht dedektorin kundër monoksidit të karbonit. Sipas agjencisë “Hermesnews”, vdekja e Anitës, nënës së saj, Hazbijes si dhe vajzës së saj, Siborës, nga monoksidi i karbonit, ka “detyruar” qeveritarët që të përpilojnë një ligj, i cili duhet të detyrojë të gjitha familjet të vendosin alarmin në shtëpitë e tyre për të sinjalizuar rrjedhjen e gazit. Kjo sjell më pas edhe shpëtimin e jetës së tyre nga monoksidi i karbonit, i cili më 19 nëntor të 2004 i mori jetën këngëtares shqiptare, vajzës dhe nënës së saj.

“Ligji Anita”

Në SHBA ka nisur të vihet në zbatim ligji me emrin Anita. Kështu me anë të këtij ligji të gjithë familjet duhet që patjetër të vendosin në shtëpinë e tyre një detektor, i cili duhet të japë alarmin nëse në godinë ka rrjedhje gazi. Pikërishë ky ligj është iniciuar nga vdekja e Anitës, nënës dhe vajzës së saj 8-vjeçare, Sibora, të cilat humbën jetën nga monoksidi i karbonit.

Ngjarja

Anita Bitri, një këngëtare e njohur, humbi jetën ditën e 19 tetorit të viti 2004 bashkë me nënën e saj 66-vjeçare dhe vajzën Sibora, 8 vjeç. Shkaku, të mbytura nga monoksidi i karbonit. Familja ishte transferuar në Staten Island për t’u vendosur në rrugën “South Beach”. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Ndërtimit, Llyse Fink, kohët e fundit ishin kryer disa punime rikonstruksioni në shtëpi dhe si rrjedhojë ishin vendosur disa qese plastike në tubin e shkarkimit të bolierit pёr tё mos lejuar futjen e çimentos gjatё ndёrtimeve nё kёtё tub shkarkimi. Bllokimi i tubit ka bërë që gazi CO (monoksid karboni) i lëshuar nga lënda djegëse që përdoret nga bojleri i ngrohjes, të depërtojë gjatë natës në shtëpi, duke i kapur në befasi në gjumë tre pjesëtaret e familjes Bitri.

Fakte nga ngjarja

– Për të bërë një shtëpi sa më të mirë, Anita Bitri, e cila jetonte prej disa kohësh në SHBA, ka menduar të bëjë disa rregullime.

– Rregullimet në shtëpinë e saj në rrugën “South Beach”, në “Staten Island” në SHBA i janë marrë përsipër nga një sipërmarrës shqiptar me emrin Petrit Salillari.

– Për të bërë rregullimet, sipërmarrësi shqiptar ka marrë në punë një punëtor italian dhe një spanjoll.

– Pasi kanë përfunduar punimet, Anita ka kërkuar punime shtesë për ndërtimin e një ballkoni anësorё te shtëpia.

– Ngritja e ballkonit ka bërë bllokimin e tubit që nxirrte jashtë monoksidin e karbonit të kaldajёs ngrohjes së shtëpisë.

– Mbyllja e tij ka bërë që ndezja e bolierit nga Anita të mos nxjerrë jashtë monoksidin e karbonit, por në shtëpi.

– Monoksidi i karbonit i ka sjellë vdekjen e Anitës, Hazbijes, nënës dhe Siborës, vajzës së këngëtares.


Bekimi i Anitës:

Mirënjohje për të gjithë ata që dëgjojnë këngën time, ju falënderoj të gjithëve. Zoti bekoftë gjithë shqiptarët!


Ishte thjesht një tragjedi

Tragjedia ndodhi si pasojё e neglizhencës dhe e injorancës teknike nga ana e punëtorëve gjatë kryerjes së punimeve ndërtuese tek shtëpia e Anita Bitrit. Ky nuk është një aludim, por përgjigjia ka ardhur nga tre ekspertiza të njëpasnjëshme dhe një pune shumë të gjatë për qartёsimin e tragjedisë së familjes Bitri nga ana e policisë nё New York. Që të treja këto ekspertiza nxorrën një konkluzion të vetëm: “Për shkak të kohës së ftohët u vu në përdorim sistemi i ngrohjes(boljeri). Ky sistem ngrohje(boljeri), funksionon me një lloj gazi, qё gjatë djegies në kaldajë, prodhon monoksidin e karbonit,CO2, i cili është gaz helmues dhe vdekjeprurës për ambiente të mbyllura. Për këtë arsye përdoret tubi i shkarkimit, i cili bën të mundur daljen në atmosferё të këtij gazi helmues. Mirëpo bllokimi i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni në pjesën e majtë anësore të shtëpisë, bëri të mundur që në brendësi të shtëpisë, të krijohej një sasi monoksidi karboni e barabartë me 762 mijë për centimetërëcub. Tragjedia ishte aksidentale”.

Pra sasia e lartё e monoksidit të karbonit 762 mijë për centimeter/kub, brenda ambienteve të brendëshme të shtëpisë bëri që të shuhen njëkohësisht tre jetë të pafajshme, kur mjaftonte vetëm një sasi prej 6 mijë për centimeter/kub, për vdekjen e çdo qënieje të gjallë..

Konkluzioni është i qartë dhe i pakundërshtueshëm bazuar në teknologjinë më moderne amerikane. Tragjedia ishte aksidentale.

*******************************************

Anita Bitri shuhet me gjithë familjen!
Saturday, October 23 2004.
Contributed by: toniweb

2

 

 

Këngëtarja e muzikës së lehtë shqiptare është mbytur në shtëpinë e saj nga monoksidi i karbonit…
Ened Janina

Anita Bitri kongëtarja e muzikës së lehtë shqiptare vdes në një aksident tragjik në Nju Jork. Ajo së bashku me të ëmën 60- vjeçare dhe vajzën shtatëvjeçare Sibora, kanë humbur dje jetën në shtëpinë e tyre. Shkaku i vdekjes ka qenë një rrjedhje e gazit gjatë natës, e cila nuk është ndjerë nga tre banoret e shtëpisë. Lajmi i vdekjes së Anita Bitrit ka shokuar jo vetёm të gjithë komunitetin shqiptar në New York por edhe të gjithë Shqipërinë.

Mëngjesin e djeshëm kur zjarrëfikësit hynë në apartamentin e Bitrit në rrugën “Ocean Avenue” menjëherë kuptuan shkaqet e vdekjes. Ata identifikuan nivelin e lartën të monoksidit të karbonit që kishte shkaktuar vdekjen e tre personave. Analizat e bëra në orën 8.30 të mëngjesit, me orën lokale, treguan se nivelet e monoksidit të karbonit ishin shumë të larta. Sipas ekspertizës zyrtare të bërë në apartamenin e Bitrit, nivelet e monoksidit të karbonit ishin aq të larta sa askush nuk kishte pasur mundësinë që të mbijetonte. Mjeku ligjor tha se tre viktimat kishin vdekur qetësisht në gjumë. Ndërkohë, komandanti i zjarrfikësve Thomas Haring pohoi se “Me ato nivele që ishte gazi, tre gratë kanë humbur ndërgjegjen dhe më pas kanë vdekur”. “Nëse do të përdorej detektori i monoksiodit të karbonit, kjo ngjarje mund të ishte parandaluar. Në një nëntor do të hyjë në fuqi ligji që të gjitha familjet të kenë një matës të monoksidit të karbonit në shtëpi. Kjo shtëpi nuk e kishte”, – ka thënë një prej zjarrfikësve.

*******************************************

Miqtë përkujtojnë këngëtaren Anita Bitri
Ilir Ikonomi
20 tetor 2004

Miq dhe dashamirës të këngëtares shqiptare Anita Bitri u mblodhën mbrëmë  në Staten Island të New Yorkut pranë shtëpisë së saj, në shenjë nderimi për artisten e njohur e cila humbi jetën tragjikisht. Artistë shqiptarë me banim në New York dhe dashamirës të tjerë ndezën qirinj dhe u lutën në shenjë respekti për këngëtaren, zëri i së cilës do të mbetet i paharruar si për ata që e kanë njohur kur këndonte në Shqipëri ashtu edhe për shqiptaro-amerikanët e shumtë që e kanë parë në dhjetra koncerte në New York, Washington dhe shtete të tjerë të Amerikës. Anita gjendej kudo në festat e shqiptarëve të Amerikës, zëri i saj do të ishte patjetër i pranishëm në festat e flamurit, të 8 marsit apo në festat e tyre private. Kohët e fundit Anita kishte regjistruar një album të ri me titull “Çdo gjë është e mundur” dhe kishte në plan të bënte një turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për ta promovuar atë. Ajo po punonte edhe për një album në anglisht.  Raif Hyseni kujton se si njeri ajo ishte shumë optimiste. Anita i shkruante vetë këngët që interpretonte dhe këto ishin këngë të muzikës së lehtë ku gërshetohej muzika tradicionale shqiptare me muzikën pop amerikane. Në këngët e Anitës gjeje një kombinim interesant të fjalëve shqip me fjalët anglisht dhe ajo kishte filluar të punonte për të regjistruar disa video klipe me muzikën e saj.

*******************************************

Njё kurorё e veçantё nga Edi Rama

Njё kurorё e veçantё, nё nderim tё kёngёtares Anita Bitri, ishte dje ajo e kryetarit tё bashkisё sё Tiranёs, Edi Rama. Kur kortezhi ka pёrshkruar rrugёn drejt varrezave tё Babicёs, kurora e dёrguar nga Tirana ishte nё ballё tё korteut mortor. Veç tij kurora dhe buqeta me lule tё freskёta kanё vendosur edhe pёrfaqёsues tё bashkisё sё Vlorёs, tё shkollёs sё muzikёs “Naim Frashёri”, kino-Teatrit “Petro Marko”, etj…

**********************************************

Sali Berisha ngushëllon familjarët e këngëtares së njohurё

“Vdekja e Anitës, humbje tmerrësisht e dhimshme”

Nё emёr tё qeverisё shqiptare dhe tё tijat personale zoti Sali Berisha, ka përcjellë ngushëllime për familjarët  dhe të afërmit e këngëtares së njohur shqiptare Anita Bitri.

Në telegramin e tij, ju shkruan familjarëve se:

“Lajmi i vdekjes tragjike të Anitës, vajzës së saj ёngjëll dhe nënës së saj, më ka pikëlluar thellë mua, bashkëshorten, fëmijët e mi, si dhe të gjithë demokratët dhe shqiptarët, që prisnin me admirim dhe dashuri rikthimin e saj”.

Më tej, në telegramin e kryetarit të PD thuhet se:  “vdekja e Anitës, vajzës dhe nënës së saj, janë një humbje  tmerrësisht e dhimbshme jo vetëm për familjen tuaj, por për tërë botën kulturore, shpirtërore tonën,  publikun artdashës, që po priste me padurim albumin e saj të ri, rikthimin e saj në skenën shqiptare”.

Në fund të telegramit, drejtuar familjarëve dhe të afërmve të këngëtares së njohur Anita Bitri, Berisha shkruan se:  “Duke ndarë me ju pikëllimin e thellë dhe zinë për këtë humbje të madhe, i lutem Zotit që shpirti i Anitës, vajzës së saj engjëll dhe nënës së saj, të gjejnë paqen e merituar dhe ju të gjeni forcën për të përballuar  këtë dhimbje dhe humbje të pazëvendësueshme”.

**********************************************

Limoz Dizdari sensibilizon deputetët shqiptarë
Qeveria të mundësojë kthimin e turpave ë atdhe

Deputeti Limoz Dizdari në një deklaratë të lexuar në parlament,  ka kërkuar që qeveria të çlirojë një fond nga buxheti i shtetit për të mundësuar kthimin e trupit të këngëtares Anita Bitri në Shqipëri.

Sipas tij, “Bitri ishte një nga zërat më të bukur të Vlorës, ndaj ajo meriton një vëmendje më të madhe nga shteti shqiptar”.  Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Limoz Dizdari ka dhënë ngushëllimet familjes Bitri, duke shprehur dhe dhembjen për humbjen e madhe. Deklarata e Dizdarit është mbështetur nga të gjithë deputetët në parlament, ndërsa është kërkuar ndërhyrja sa më e shpejtë e qeverisë si me fonde ashtu dhe me anë të diplomacisë.

**********************************************

Topalli: Qeveria të angazhohet për sjelljen e trupit të Anitës, vajzës dhe nënës së saj  

Këtë kërkesë drejtuar qeverisë dhe organeve kompetente të shtetit, e ka bërë dje nënkryetarja e parlamentit, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Pasi i ka shprehur ngushëllimet familjes së Anitës, Topalli ka kërkuar angazhimin e qeverisë për sjelljen e trupave për t’u prehur në vendin e tyre, si dhe organizimin e një ceremonie mortore me të gjitha nderimet që i takojnë kësaj figure që, me zërin e saj, i dha aq shumë repertorit  të muzikës së lehtë shqiptare, si pasuri e çmuar e kombit.

***********************************************

  • 1
    2
    3
  • 4
    5
    6
  • 7
    8
    9
  • 10
    11
    12
  • 13
    14
    15
  • 16
    17
    18
  • 19
    20
    21
  • 22
    23
    24
  • 25
    26
    28
  • 29
    30