Shkruar nga vetë Anita!
Materialet janë autentike të shkruara nga dora e këngëtares e cila po përgatiste librin autobiografik me titull “Rastësia dhe jeta ime”. Po japim disa pjesë të shkëputura.
Telepatia. Në fillim nuk e kam ditur dhe nuk e kam ndjerë se e kam atë dhunti, por me kalimin e kohës, jeta ma ka vërtetuar dhe ndjehem mirë që ajo fuqi,(qoftë dhe e pa vlerë për dikë) jeton te unë. Ndonjëherë pa dashje, mendimet të çojnë larg. Por siç e thashë më lart, diçka që është destini nga Zoti, qoftë edhe ti mos ta pranosh ose ta kuptosh, ose ta ndalosh me forcë, ajo përsëri do të ndodhë, pasi është DESTINI.
Rastësia bën çudira
Rastësia bën mrekullira të gjithë e dimë nga gojëdhanat e të parëve tanë, por dhe nga përvoja e secilit. Por unë dua të ndalem në diçka që mua më ndjek në jetë. E them këtë, pasi jeta ime artistike është e lidhur me rastësit e çastit. Si e vogël, me një temperament të zjarrtë, talent të veçantë në fushën e artit, dashuri dhe respekt për të tjerët, nuk do të mundesha të isha një këngëtare e njohur në Shqipëri, pa një rastësi. Askush nga familja ime nuk mendonte të më shikonte të rritesha dhe të edukohesha me frymën e artit. Për mua imagjinohej ndryshe. Por jo, kur diçka është destini ti s’mund ta ndryshosh. Një ditë të bukur Gushti, atje në gabinat e plazhit xha Muço, Heroi i Punës, Muço Delo Balili ashtu i gjatë, i hollë, i rrezitur nga rrezet e diellit, u ngrit dhe i mori leje babait tim, “Anita dhe unë sot do të shkojmë në një konkurs, ti po deshe hajde dhe shikoje vet”. I tha kështu, mbasi gjithmonë kur më thërriste (artiste e vogël, kur luaja me shoqet), babai im nuk besonte në ato fjalë ose ndoshta nuk e kuptonte atë fushë……….
Shtatori erdhi i bukur dhe klasa e parë filloj. Dita e dytë me gëzim të madh. Në një dorë çantën dhe në tjetrën violinën. Faleminderit, xha Muço, dhe rastësitë ndoshta janë destin në jetën time. Shkolla vazhdonte, violina me tingujt e saj të ëmbël kumbonte, po zemra s’kishte rehat dhe vet nuk e dinte. Pedagogët, dikush nga ata priste të shikonte një dirigjente me emër, tjetri një aktore të famshme, një tjetër më thoshte, priji duart dhe jepja dikujt tjetër, që po lufton të bëhet violinist. Ata të gjithë e dinin se diçka unë do të bëhesha, por jo kjo që jam. Pra dhe unë si çdo fëmijë besoja në opinionet e njerëzve që më rrethonin. Më vjen çudi dhe njëkosisht po qesh me vete, kur mendoj atë kohë, pikërisht atë kohë kur mu ndalua nga familja (babai) që të ndërprisja të gjitha veprimtaritë artistike jashtë shkollore. Në atë kohë nuk kisha forcë mendimi dhe gjykimi dhe mendoja se gjithçka ishte në rregull, mbasi prindi ta do të mirën dhe vetëm atij duhet ti besosh. E ndjeja se me kalimin e kohës diçka më mundonte, por siç thashë dhe më parë në atë moshë, kur vajzat fillojnë dhe shihen më shumë para pasqyrës, e drejtojnë trupin më tepër, provojnë ecjen nëpër shtëpi me dhjetra herë dhe krrihen më shpesh, nuk e dija se diçka shumë e rëndësishme më mungonte. Pra në moshën më delikate 15-të vjeçare më mungonte vetëvetja. Por prapë luftoja që të isha një fëmijë normal si gjithë të tjerët, paçka se gjithmonë jam ndjerë e privilegjuar nga Zoti. E di që çdo njeri ndjehet i tillë, por unë po flas për vete dhe mos harroni se po mendoj të njëjtën moshë kur çdo ngacmim i jashtëm të ndikon në vetvete. Tani po shikoj që gishtat s’po më binden dhe as vetë nuk di, a mos vallë është interesante që pikërisht më vijnë në mendje ato kohë kur unë me dashamirësinë time, gjë që e kam të lindur dhe mendoj se jam me fat për këtë veti, shpesh i vlerësoja shoqet e mija nga bukuria e tyre fizike apo dhunti të tjera të tyre dhe asnjëherë nuk mendoja për veten, atë që njerëzit e tjerë më vlerësonin. Më vinte çudi në atë kohë kur dëgjoja qoftë edhe nga pedagoget e mija dhe vlerësimet e tyre duke më përcaktuar si të “bukur”dhe nuk kuptoja pse, mbasi bukurin unë e shikoja tek të tjerët. Që në atë moshë pa dashje po me një dëshirë të madhe, fillova fshehurazi të mësoj për Zotin dhe të besoj në të. Ndjeja një fuqi të madhe dhe besim në vetvete. Dhe nga ai moment kur e gjykoja jetën në këndvështrimin e Tij fillova të besoj tek vetvetja se isha e privilegjuara e Tij dhe vërtet i meritoja komplimentet që dëgjoja, mbasi vetëm Ai e dinte se çfarë kishte krijuar në qënien time. Sa herë më kujtohej kur kisha replika me nënën time mbas çdo diskutimi e mbyllja duke i thënë: Zoti më ka krijuar, pastaj ti. Ajo sa herë habitej me thëniet e mija, mbasi vetë në atë kohë se pranonte qoftë dhe ta përmendte me zë të lart emrin e Tij. Por unë isha tani më kompletuar në vetevete dhe me forca të reja për të nesërmen. Më vijnë edhe mbas kaq viteve ethet dhe ndjesia e veçantë kur kujtoj ato momente të paharrueshme, kur dilja para pasqyrës dhe imitoja të madhen Vaçe Zela. E ndjeja që kisha pasurinë më të madhe, kur kisha mundësi të mbyllesha në dhomën e gjumit të prindërve të mi dhe askush mos të më shqetësonte dhe unë të këndoja, ti lija zërin dhe shpirtin të më gurgullonin nga kënaqësia. Në këto çaste e imagjinoja veten time si ajo. Mu kujtua fëmijëria, është bukur kur je e qetë dhe kthehesh në kohë. Asnjë njeri nuk e kupton kur jeton në këtë moshë, se cila do të jetë rruga e vërtet që do të ndjeki dhe do ta udhëheqi në jetë. Në të shumtën e rasteve prindërit ose më të mëdhenjtë, (të afërmit e familjes), ose ata që dinë më shumë nga jeta, japin opinione të ndryshme për fatin e më të vegjëlve. Dikush niset nga dëshira, dikush nga mos arritja e realizmit të një ëndërre të ndrydhur, dikush nga intuita e mpreht, por në përgjithësi të gjithë ata që rrethojnë vogëlushet, mendojnë për një të ardhmesa më të mirë të tyre. Dhe ne të vegjëlit i dëgjojmë në heshtje dhe me botën tonë të pastër, por të pa ditur shpresojmë shumë në thëniet e tyre. Pra dhe unë si çdo fëmijë besoja në opinionet e njerëzve që më rrethonin.
Nëna
Tani përveç jetës shkollore u caktova të përfaqësoja “orkestrinën e shkollës”. Isha e lumtur, por edhe shumë e lodhur mbasi duhet të përballoja mësimet, studimet e violinës dhe orët e gjata të provave. Sa herë më kujtohet, kur e lodhur dhe e këputur kthehesha në shtëpi. Me një ndjenjë të veçantë, që veç shpirti jotë ta di hyja në pragun e derës me një buzëqeshje të sforcuar nga lodhja e tepërt dhe nëna ime më priste dhe ma hiqte violinën nga duart dhe më zinte gjumi në krevat pa e kuptuar. Kishte momente kur sytë hapeshin pa dashje dhe shikoja nënën që më hapte gojën dhe më ushqente. Ndjehesha mirë, por lodhja s’më linte ti thoja asnjë fjalë nënës sime. Gjithmonë shpirti të ka falenderuar nënë, por tani dua me fuqinë e penës sime të them edhe një herë: Të faleminderit nëna ime e dashur, për gjithçka që ke bërë dhe po bën për mua. Ndonjëherë pa dashje mendimet të çojnë larg, por siç thash më lart, diçka që është destini nga Zoti, qoftë edhe ti mos ta pranosh ose ta kuptosh, ose dikush me forcë ta ndaloj ajo përsëri do të ndodh, mbasi është DESTIN.
Shkolla
Në çdo aktivitet duhet të prezantohesha si violiniste në orkestrinën e shkollës së mesme të muzikës “Naim Frashëri”. Mbaj mend, kur unë ngjitesha në skenat e qytetit tashmë si violiniste dhe jo si këngëtare. Të them të drejtën nuk më mundonte shumë ky fakt dhe nuk e shihja ndryshimin. Unë isha e lumtur që isha përsëri në skenë, kjo kishte rëndësi…. Vitet kalonin dhe ndryshimet në jetën time ishin më të mëdha. Fillova të jem pjestare e Orkestrës Simfonike të qytetit të vlorës dhe ulesha me shokët e mi përkrah pedagogëve tanë. Fillova të ndjehem më e lirë dhe më e zonja.
Gjithmonë më kujtohen fjalët e profesor Bertit, ato fjalë që unë tani ia edukoj vajzës sime, se në art të duhet një përqind talent dhe 99 përqind punë. Pra unë për të isha nga ato raste që kisha 99 përqind talent dhe më duhej vetëm një përqind punë, për të fituar dhe të dilja gjeni në violinë, sipas intuitës së tij. Unë nuk e kuptoja në atë kohë vlerën e punës. Më tepër më tërhiqte fakti real dhe rrëmbehesha nga dhuntitë e mia natyrore, nuk e mendoja se talentin vërtet ta fal i madhi Zot, por ti duhet t’i jesh mirënjohës dhe ta vlerësosh atë. Mos harroni se po mendoj të njëjtën moshë, kur çdo ngacmim i jashtëm të ndikon në vetvete. Për mua më interesante ishte kur krahas mësimeve, violinës, provave të vazhdueshme të shkoja në palestrën e qytetit dhe të isha në grupin e gjimnasteve. Nuk i harroj ato çaste kur ashtu e vogël në moshën 10-vjeçare mezi prisja të mbaronte ora e mësimit dhe të futesha në tjetër botë kur hyja në sallën e palestrës së qytetit. Akoma më pëlqen dhe sot e kësaj dite të demostroj diçka nga ato vite në gjimnastikë. Ndonjëherë Sibora ime bëhet pa dashje xheloze që si mundem unë, mami i saj ta bëj një ushtrim gjimnastikor dhe ajo jo. Dhe ajo si unë, në kohën time, akoma nuk e kupton se çdo gjë që të arrihet do shumë punë dhe shumë vullnet. Ajo ndryshon nga unë, pasi ka talent, por ka dhe shumë vullnet dhe ambicje të mirë për të arritur atë që duhet. Shumë shpejt, në një moshë më të re se unë, po kupton se sa me vlerë është puna…….. Pra kam qenë e gjithanshme, pa përmendur se kam ndjekur disa kohë krahas klasave sportive të shkollës edhe orë të gjata praktike në basketboll. Oh, sa shumë e doja sportin në atë kohë. Në klasën time isha model në fizkulturë dhe topin e kisha pasion. Më kujtohen disa ditë të bukura vere, kur kisha mundësi të luaja volejboll në bregun e detit ose në rërën e nxehtë të plazhit. Vërtet nuk do të isha më e gjata, po topi im asnjëherë nuk binte në tokë. Për këtë vërtet e kisha talentin në gjak. Mbaj mend kur me vëllanë e madh, Lulin, i cili ishte vërtet i lindur për top, loznim dhe nuk lodheshim me minuta të tëra pa mbarim, të apasionuar të dy mbas lojës dhe kur topi na binte në tokë, veçse dëgjonim shuplaka të duartrokisnin për ne. Por jeta s’ka vetëm ëndërra të realizueshme, duhet të mësohemi edhe me anën tjetër të medaljes, pra vetëm një ëndërr e bukur por pa lulëzim. Por vjen një moment, koha kalon dhe as vetë nuk do më ta besosh për atë ëndërr që ke pas njëherë e një kohë………..
Gjithmonë nuk dua të kthehem në kohë, po ja që kjo histori është kaq spontane dhe po rri në mendjen time për kaq kohë, sa nuk dua ti imponoj mendimet e mia, po e lë dorën të shkruaj çfarë ndjenë dhe thotë shpirti im. Vëllezërit janë jeta ime dhe bota ime është e lidhur me ta. Ndjehem mirë kur sjell në mend ato kohë të bukura, kur ne të tre të veshur bukur kishim mundësi të dilnim në fotografi dhe të habiteshim më vonë kur shihnim veten tonë. Më kujtohet një ditë e shtunë, kur babai na tha se do të dilnim në fotografi të nesërmen. Mua s’më zinte gjumi nga gëzimi, (po flas për vitet 75, kur unë isha akoma shumë e vogël), si tani e mbaj mend në korridorr kishim një pasqyrë dhe pa pyetur njeri mora gërshërët dhe preva baluket. Kuptohet, një fëmijë nuk mund të gjykoj drejt dhe unë pa e kuptuar, duke menduar se vetëm do t’i rregulloja, arrita ti shkurtoj aq shumë sa vetëm mbaj mend se ja plasa të qarit dhe u futa pa folur asnjë fjalë në shtrat. E nesërmja erdhi, me gjithë çudinë e njerëzve të shtëpisë kur më panë. I pari babi filloi të më pyeste me tonin e tij të thellë, por unë nuk mundja të nxirrja asnjë fjalë nga goja. E dija që kisha bërë diçka që s’duhet ta bëja dhe, e dyta, s’isha më e bukur për të dalë në fotografi. Oh, tani më kujtohet, ishte 5 Maji dhe ne do të shkonim në Varrezat e Dëshmorëve. Si tani e mbaj mend atë fotografi. Ne të tre më të bukur se kurrë, të veshur si për festë, unë në mes të vëllezërve me atë qeshjen që ta detyronte fotografi. Nuk e di ku ndodhet ajo fotografi, ndoshta në shtëpi në Shqipëri, por si tani e kujtoj atë moment magjik, kur e pata në dorë dhe m’u duk vetja si ajo që u përpoqa të isha dhe të dukesha: një kukull e madhe mes vëllezërve. Shumë kujtime kam nga fëmijëria ime, shumica të bukura. Por tani do të kujtoj një moment të vështirë, që kurrë s’do të më hiqet nga mendja. Mund të isha në klasën e parë fillore dhe shtëpia ime në Vlorë ndodhej përballë një shkolle 8-vjeçare. Ajo kishte një fushë të madhe ku luanin top djemtë e lagjes. Të gjithë e dimë gjendjen e përgjithshme të jetesës në ato vite. Unë dhe familja ime kemi pas një mirëqënie të mirë fal inteligjencës së babait dhe punës së mirë të nënës sime si infermiere. Babai më sjell ato ditë një top të bukur ngjyra-ngjyra, që unë e shikoja për herë të parë. E mbaja në duart e mia, e prekja dhe nuk e lëshoja nga frika se mos e bëja pis. Shoqet i mora në shtëpi dhe ato u kënaqën bashkë me mua, por shumë shpejt e kuptuam se topi duhet të jetë i lirë që ta ndjesh kënaqsinë e tij. Pa u vonuar, të gjitha futemi tek oborri i shkollës, jo nga ana e asfaltuar, ku luanin djemtë dhe vëllai im i madh Luli, por nga ana tjetër e fushës, që ishte e pashtruar. Në anësore të fushës kalonte një kanal i thellë i ujërave të zeza, që shkolla do ta mbyllte nga dita në ditë. Siç thashë më parë, a mund të ketë kufij topi në një fushë të hapur?! Vjen një moment dhe topi na ikën nga duart dhe bie brenda në kanalin e zi. Unë, e dashuruar pas topit e ndjek duke u hedhur pas tij në kanalin e zi. Nuk e di as vetë se ç’ndodhi, vetëm më kujtohet se pashë veten si nëpër filmat që shohim çdo ditë me njerëz që mbyten dhe përpiqen të dëshpëruar të shpëtojnë. Shoqet e mia ulërinin, por më kot, askush s’ua vinte veshin. Dikush, për sekondë, më pa nga ana tjetër dhe thirrjet u bënë më të fuqishme, por unë përpëlitesha në kanal, ndërsa fuqitë po më linin dhe pak e nga pak po fundosesha. Me sytë të llahtarisur nga frika e vdekjes, që deri në atë moment nuk ia dija kuptimin, arrita të shikoja shumë afër, në buzë të kanalit, vëllain e vogël, Benin, që ulëriste emrin e Lulit dhe kërkonte ndihmë si dhe shumë fytyra kureshtare, që ashtu në këmbë më dukeshin aq të mëdhenj dhe të pa arritshëm. Si tani e mbaj mend që në sekondat e fundit Beni u hodh në kanalin e zi dhe ashtu si edhe unë, pa ditur të notonte arriti të më nxirte nga fundi i kanalit ku isha fundosur. Të dy, mbas mbërritjes së prindërve dhe alarmit që u krijua në lagje u puthëm fortë dhe filluam të qanim sa nga gëzimi aq edhe nga frika. Beni që nga ai moment ishte heroi im. Më vinte keq për Lulin që ndjehej aq fajtor dhe më vonë e kuptoi seç fare kishte bërë, por unë në shpirt e dija dhe ia falja si motër gjithçka. Që nga ai moment të dy me Benin vendosëm të mësonim notin. Si tani i kujtoj ato ditë të bukura vere, kur të dy shkonim aq larg, sa gati na dukej sikur u afroheshim anijeve dhe ktheheshim të lodhur e të kënaqur. Beni e vazhdoi gjatë rrugën e notit dhe e praktikonte në Vlorë me kilometra të tëra, pasi iu fut rrugës së sportit dhe të krijimit të muskujve. Unë notin pak nga pak fillova ta largoj nga pasionet e mia dhe e shikoja vetëm si një mjetdomosdoshmërie.
Telepatia
Në fillim nuk e kam ditur dhe nuk e kam ndjerë se e kam atë dhunti, por me kalimin e kohës, jeta ma ka vërtetuar dhe ndjehem mirë që ajo fuqi, (qoftë dhe pa vlerë për dikë) jeton tek unë. Po flas për atë moshë që përmenda më parë, dhe doja aq shumë të isha dikush tjetër dhe shikoja vetveten në skenat e mëdha, kur në të njëjtën kohë imitoja publikun dhe duartrokitjet e tij me zë të fshehtë, por me shpresë të madhe. Unë shikoja vetveten nga ajo pasqyrë e bukur dhe e vogël, por që mbante një botë të madhe për mua dhe fantazinë time, të vinte një ditë dhe të takohesha me Vaçe Zelën. Unë isha ajo që ëndërroja me botën time fëminore dhe përkulesha para publikut tim të imagjinuar. Imagjinata veçse jetonte dhe rritej brenda meje, por pa forcë realizimi. Si mund të arrihej një gjë e tillë, kur unë një vajzë e thjeshtë e një qyteti, pa një taraf të fort ndërsa miqësitë vlenin vetëm për veshjen ushtarake. Si mundet, kur babai im ishte i dashuruar me armën e tij dhe unë edukohesha vetëm me atë ndjenjë, ëndërra e tij ishte që unë të bëhesha një oficere si ai ose vëllai im, pavërisht se unë po shpenzoja vitet e jetës sime në muzikë. Si mundet, kur babai im, që ishte shtylla kryesore e shtëpisë nuk i bënte shumë përshtypje talenti im dhe asnjëherë nuk u përpoq dhe nuk më ndoqi në jetën time artistike të asaj moshe? E di, i dashur baba, se tani e di edhe ti, që unë doja të bëhesha siç doje ti, por s’munda. Si mundet, kur violinën e kisha vetëm shtytje nga xha Muço, pavarësisht se talenti im s’donte fjalë dhe gjykime? Tani jam duke qeshur dhe më pëlqen të qesh, kur kujtoj atë pjesë të jetës sime. E qetë tani kaloj në kohë, duke sjellë nëpër mend të gjitha momentet më të bukura dhe më të rëndësishmet në botën e artit. Përmenda pak më parë të madhen dhe të paharruarën Vaçe dhe telepatinë time. Do të vij shumë shpejt aty……..
*******************
Në këtë shkrim Anita ka renditur disa nga evenimentet e jetës së saj artistike.
Shkrimi është autentik.
Në moshën 7-vjeçare kam dhënë koncertin e parë në skenë, para qindra njerëzve si violiniste, në shtëpinë e Kulturës në Vlorë, në duet me pedagogun tim, Robert Papavrami. Gjatë kësaj kohe mund të përmend edhe aktivitetet e tjera si “Festivali i Fatosave dhe Pionerëve”, ku kam qenë pjesëmarrëse e rregullt e asaj moshe.
Prezantimi im i parë, përsëri në një edicion të gjerë dhe në një sallë koncertale, ka ndodhur në fillim të vitit 1986, ku unë isha maturante në shkollën e muzikës “Naim Frashëri”. Ishte krejt rastësisht, pasi në këtë koncert unë isha me violinë shoqëruese e orkestrinës së shkollës, ku ishim caktuar të shoqëronim disa nga këngët e tij. Të gjithë ndodhinë e kam përshkruar në autobiografinë time në librin e ardhshëm që do të dalë së shpejti, “Rastësia dhe jeta ime”. Mbas këtij koncerti kam kënduar, duke prezantuar qytetin e vlorës në “Festivalin e Interpretuesve të Klasës Punëtore” në Elbasan. Në këtë festival me ndihmën e publikut të mrekullueshëm elbasanas, u vlerësova me çmim nderi dhe kam kënduar këngën “Eja” nga Osman Mula.
7 qershor 1987, pranimi im si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit dhe të Estradës së qytetit të Vlorës. Menjëherë më bëhet ftesë në qershor të vitit 1987, që të marr pjesë tashmë në një garë kombëtare në “Festivalin e Interpretuesve” në RTSH. Jam prezantuar në festival me këngën “Hartimi dhe Dëbora” kompozuar nga shoqja ime e klasës, Laureta Çuku, dhe jam vlerësuar me çmim. Pas suksesit tim për herë të parë në Tiranë, në po të njëjtin vit, pra 1987, përsëri më bëhet ftesë për të marrë pjesë në “Festivalin e Këngës”në RTSH, ku edhe kësaj here kënga “E vogla mes shoqesh” e kompozitorit, David Tukiqi më sjell një tjetër çmim të rëndësishëm.
1987-1988, fituese dy herë në Anketat Muzikore, me këngët e kompozuara nga A. Xhunga dhe Th. Çaçi.
6 marsi 1988 do të sillte prezantimin tim në Koncertin e Pranverës. Në bashkëpunim me Aleksandër Vezulin dhe Alqi Boshnjakun do të vij në skenë kënga “Mos u nxito, mos u gabo”, një nga perlat e repertorit tim, (që akoma edhe mbas 16 vitesh është kënga më e kërkuar nga njerëzit në prezantimet e mia artistike), ku vlerësohem me çmimin e parë.
Dhjetor 1988, në “Festivalin e Këngës” jam prezantuar me këngën “Fotografia”, e kompozuar nga David Tukiqi, ku kam qenë e shoqëruar nga këngëtarët Gëzim Çela dhe sopranoja Lindita Lole Mezini. Me këngën “Lulet e majit i çel në janar”, shoqëruar dhe nga kompleksi i Pallatit të Kulturës, prezantohem në vitin 1989 në “Koncertin e Pranverës”. Këtë këngë akoma edhe sot, pas 15 vjetëve, vazhdoj ta këndoj dhe është gjithashtu një nga perlat e repertorit tim.
Vazhdimi i viti 1989, koncerti im i parë recital, që mbante emrin “Anita”. Të ftuar, parodistët e Vlorës dhe shoqëruese kompleksi këngëtarja Aurela Gaçe. Ky koncert është xhiruar dhe transmetuar nga TVSH. Koncertet e mia recitale të shoqëruara nga parodistët e Vlorës, kanë qenë një nga evenimentet e rëndësishme të jetës sime artistike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk lë pa përmendur dhe Koncertet e Verës, që zhvilloheshin nga Ministria e Kulturës, ku unë isha pjesmarrëse e rregullt. Këto koncerte janë shfaqur gati në të gjithë Shqipërinë. Të ftuar specialë kanë qenë edhe çiftet e Ansamblit të Shtetit, të shoqëruar nga orkestra e Estradës së Vlorës.
“Festivali i Këngës” në dhjetor të vitit 1990, do të sillte bashkëpunimin tim të parë me kokat e muzikës së lehtë shqiptare, Flamur Shehu dhe Jorgo Papingji.
Në këtë festival edhe një herë vlerësohem me çmimin e parë.
Viti 1991, në “Koncertin e Pranverës” përsëri bashkëpunimi Bitri-Shehu-Papingji sjell në skenë këngën “S’ka formulë në dashuri”.
Vazhdimi i vitit 1991 do të sjellë para publikut në “Festivalin e Këngës” përsëri një bashkëpunim me Flamur Shehun dhe Jorgo Papingjin. Prezantohem me këngën “Fat dhe jetë”, ose siç e mbajnë mend njerëzit, “Filxhani i kafesë”.
Koncerti i Pranverës 1992, përsëri do të sillte në skenë trinomin Bitri-Shehu-Papingji. Kësaj rradhe kënga ishte kushtuar për një pjesë së jetës sime. Në “Festivalin e Këngës”, në dhjetor të 1993-shit, do të sillte prezantimin tim me këngën e kompozitorit vlonjat, Artur Dhamo. Vlerësohem me çmim. Nuk dua të lë pa përmendur e pa falenderuar publikun e atij viti në pritjen e interpretimit tim.
Viti 1994, sjell mos paraqitjen time në “Festivalin e Këngës”, për arsye largimi nga atdheu. Por veprimtaria ime artistike vazhdoi në disa shtete të europës si në Zvicër, Itali dhe Gjermani ku kam interpretuar jo vetëm këngë të lehta të muzikës shqiptare por edhe ato botërore. Në këto aktivitete kam qënë e ndjekur jo vetëm nga emigrantët shqiptar por edhe nga spektatori i huaj.
Viti 1995 do të më sillte një tjetër sukses të rëndësishëm në jetën time artstike. Në koncertin recital para spektatorit vlonjat, u ndoq nga 4000 spektatorë për dy ditë me rradhë. Të ftuar në këtë koncert, ishte e mrekullueshmja Silvana Braçe dhe i madhi Met Bega, si dhe çiftet e baletit të ardhur nga kryeqyteti.
Ky koncert u filmua nga TVSH-ja.
“Festivali i këngës” 1995 do të ishte prezantimi im i fundit në Festivalin e këngës. Në këtë festival, prezantohem si e ftuara e nderit e festivalit me këngën “Besoj në dashuri”.
Vazhdimësia e koncerteve të mia recitale “Anita” do të kapte dhe kufijtë e Veriut. Gjatë koncertit 2-ditor mbajtur në Tropojë, me të ftuar këngëtaren Fatmira Breçani, pata dhe kërkesën për të udhëtuar në SHBA.
Gjatë qëndrimit në SHBA, aktiviteti im artistik ka qenë i pandalshëm dhe në rritje. Pjesëmarrja në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato të bamirësisë kanë qenë vazhdimësia e rrugës sime si artiste.
Viti 1999 solli daljen e albumit tim “Malli”, realizuar në “Electric Planet Sound” studio, në New York. Promovimi i këtij albumi u bë në mjediset e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara po në New York.
5 prilli i vitit 1999 përkoi me paraqitjen time në skenat e Brodoway-it si e ftuar në një koncert të organizuar nga një prej organizatave më të njohura në SHBA, “Madre”. Në këtë koncert paraqitja ime si artiste ishte e dyanshme, pasi për herë të parë unë do të prezantohesha jo vetëm si këngëtare por edhe si violiniste. Aty pata rastin e nderin të njihem me disa nga yjet e Hollivudit si Tom Robinns, Susan Sarandow, Vanesa Redgrave, Danny Schechter, Eve Essler, Nenad Bach etj, ku gjatë përshtypjeve që më dhanë më përshkruan si një element shumë të denjë në artin muzikor dhe më uruan mirëseardhjen në botën amerikane.
12 gushti 1999 është gjithashtu edhe prezantimi im në darkën e organizuar nga Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara për nder të Ambasadorit, zotit Peter Burleigh. Misioni im në këtë mbrëmje ishte të shpalosja vlerat e muzikës popullore dhe moderne shqiptare. Të gjithë ambasadorët e Botës patën rastin të kënaqen me muzikën tonë të mrekullueshme. Falënderimi i ambasadorit Burleigh në letrën drejtuar ambasadorit tonë, zotit Agim Nesho, ishte një vlerësim i madh për mua.
Dhjetori i vitit 1999 përkoi me fitimin e konkursit të zhvilluar nga kompania amerikane C.P.V. për të kënduar 2 këngë në programet e tyre televizive, që do të transmetoheshin të përkthyera në shqip.
Më 10 prill 2000, do të kisha rastin të takohesha personalisht me Presidentin e Shqipërisë, zotin Meidani dhe zonjën e tij në një koncert bamirësie për fëmijët e Shqipërisë, ku zonja Meidani më shoqëroi gjatë interpretimit tim në sallë, duke kënduar së bashku disa këngë të vjetra korçare.
Vera e vitit 2000 do të ishte e shoqëruar me koncertet e mia recitale bashkë me aktorin dhe regjizorin e njohur, Koço Devole në disa shtete të Amerikës. Në një nga këto koncerte, me dëshirën e tij vjen prej së largu edhe një nga figurat shqiptare më të njohura, zoti Antoni Athanas, i cili e vlerësoi shumë muzikën tonë të lehtë.
12 Nëntori 2000 sjell Koncertin e madh në New York me artisten me famë botërore, Inva Mula dhe bashkëshortin e saj, Piro Çako, Silvana Braçen, Pali dhe Zerina Kuken etj, organizuar nga i madhi me famë botërore, Fadil Berisha (kam fatin që fotografitë e albumit të ardhshëm janë të bëra prej tij). E veçanta ime në këtë koncert ishte prezantimi im live si këngëtare dhe violiniste. Përshtypjet dhe suksesi im në këtë koncert ishte i padiskutueshëm
26 Nëntori 2000 shënoi edhe pjesëmarjen time në një nga koncertet më të shënuara të komunitetit të përbashkët shqiptaro-amerikan, 9-vjetori i gazetës “Illyria”. Në këtë koncert prania ime do të ishte e dyanshme; këngëtare dhe violiniste. Një moment prekës ishte interpretimi me violinë i potpurisë arbëreshe (e përpunuar prej meje) dhe lotët e arbëreshit të ftuar nga Italia, zotit Antonio Bellusci.
Viti 2001 fillon me një tjetër sukses në jetën time artistike: Më bëhet një ftesë për të prezantuar muzikën e repertorit shqiptar në një koncert të përbashkët amerikano-shqiptaro-turk, ku do të shpaloseshin vlerat artistike të këtyre tre vendeve. Një nga ditët më të gëzuara në fushën e artit ka qenë prezantimi im me një nga kompozitoret më të njohura në Amerikë, Tina Shaffer, e cila e cilësoi zërin tim si “zë ëngjëllor që zbret nga qielli”. Shaffer është kompozitore e Celine Dion, Donna Summer, Bette Midler etj. Vlerësimi i saj më dha shtytje të futem më thellë në artin amerikan.
Viti 2002 ishte viti i një pune të madhe për gjetjen e muzikës sime në gërshetim me muzikën amerikane.
24 Janari i vitit 2003 do të niste me një nga koncertet e mëdha të mbarë komunitetit, ku përkrah këngëtarëve kosovarë dhe maqedonas do të më bëhej ftesa për të prezantuar muzikën e lehtë shqiptare. Të ftuar nderi ishin ambasadori William Walker dhe Drejtori i projektit të Evropës Lindore në CSIS, zoti Janusz Bugajski.
Shkurti i vitit 2003 do të vendosi dhe kontratën me një kompani amerikane “An’Km records@Enterteiment” për realizimin e një albumi amerikan.
Në vitet 2003-2004 aktiviteti im vijon në veprimtaritë më të rëndësishme, ku shpreheshin vlerat e artit dhe muzikës shqiptare në kufijtë e Amerikës. Në këtë kohë shënohet gjithashtu edhe fillimi i punës si kantautore e albumit “Çdo gjë është e mundur”.
Viti 2004 do të vazhdoj në dy drejtime: me muzikën shqiptare dhe atë amerikane. Kontrata me producentin James Avatar në maj të këtij viti mbaroi për prodhimin e albumit shqiptar.
Viti 2004 shënoi realizimin e 3 videoklipeve, të cilët do të shihen nga teleshikuesit shumë shpejt.
Viti 2005 po fillon në kalendarin tim me një ftesë nga Kanadaja për të dhënë një koncert recital në Toronto.
Malli
Nga syri, pikon një lot
Është i nxehtë, përvëlon
Nga buza, një plagë rënkon
Puthjen tënde e kërkon
Ho ho ho Sytë e mi vajtojnë në lot
Rri e mbyllur o në këtë botë
Ah, kjo jetë e shkret o pa gëzim
Pa dashuri, pa dashuri
E di se ti ku je, e di se ti ku pret,
E di se më thërret
E ndjej se ti më do, E ndjej se më kërkon
Emigrim unë të mallkoj
Një ditë do të kërkoj, unë ty të takoj
Dhe me thinja do t’shijoj
Je mall në shpirtin tim, je këngë në zërin tim
Kurbet unë të mallkoj
I them diellit, mos më ngrohë
I them hënës, mos ndriço
I them detit, mos valëzo
I them shpirtit, ti këndo
ANITA BITRI
New York