Udhёtimi nё Tiranё 2004

Anita Bitri-Këngëtarja e njohur vlonjate sjell albumin e ri, pas 9 vitesh në Shqipëri.

Anita Bitri u zhyt në heshtje. Nëntë vjet radhazi përtej Atlantikut ajo hidhte hapat drejt ëndrrës së saj amerikane, ndërsa mendonte dhe thoshte me zë të lartë: “Çdo gjë është e mundur”. Dhe kështu ndodh. Tani Anita kthehet.

Pas nëntë vitesh, vjen në Shqipëri, ku kishte kohë… Që nga vitet e para të nëntëdhjetës, kur ajo këndonte: “Mos u nxito, mos u gabo”, “Abra-kadabra” e “Dashurinë e parë, kush nuk e provoi”. Një aventurë e çoi drejt tokës së ëndrrave dhe atje Anita sërish këndoi nëpër koncerte, mes atdhetarëve, në mbrëmje miqsh dhe për mallin dhe familjen e saj. Por si do të vijë Anita në Shqipëri?

Kthimi i Anitës

Tashmë ajo ka përfunduar një album të ri, të cilin e ka titulluar “Çdo gjë është e mundur”, i cili vjen si një ditar i artistes vlonjate. Pikat më të forta të tij janë, mbase, tre videoklipet, që janë fryt bashkëpunimi me artistë amerikanë, dhe një duet, një këngë me titullin e albumit, mjaft e veçantë, që këngëtarja e këndon me vajzën e saj, Siborën. Sepse Anita thotë: “Çdo gjë është e mundur: të prekësh suksesin, të bëhesh nënë e të “rilindësh” sërish artistikisht, edhe pse në një tokë e cila nuk është e jotja”. Titulli që shkruhet në kopertinë, “Çdo gjë është e mundur”, nuk është vetëm titulli i albumit të saj të ri, por dhe një fakt të cilin këngëtarja ka dashur ta theksojë në të gjitha etapat e jetës së saj. Një zë i veçantë, virtuoz, i fortë dhe i mbushur me ngjyrat e folkut. I këtillë, zëri i saj i përshtatet një repertori këngësh me shije qytetare, të cilat i pëlqejnë çdo gjenerate. Edhe 14 këngët e albumit të saj të fundit shkojnë tërësisht në këtë linjë; këngë që të godasin që në dëgjimin e parë, të tjera që të kthejnë prapa në kohë, që të ngjallin emocion për nga forca interpretuese.

Arsyet e mungesës

Anita thotë se ky është një album, të cilin ia ka dedikuar krejtësisht publikut. Ai i ka munguar për gati një dekadë. “Arsyeja e vetme, që unë nuk jam rikthyer në Shqipëri, ka qenë problemi i dokumenteve. Tashmë, me zgjidhjen e tyre, asgjë nuk më pengon nga rikthimi im si artiste në Shqipëri”, thotë këngëtarja, e cila për herë të parë në albumin e ri shfaqet edhe si kantautore. “Ky album ka larmi, pasi përfshin të gjitha sferat e jetës sime, duke përfshirë vajzën time, nostalgjinë, dashurinë, pasionin e jetës, dhimbjen e mërgimit”.

“Çdo gjë është e mundur”

Pjesa më e madhe e këngëve janë në shqip. Por ka edhe disa këngë që Anita i këndon në anglisht. “Çdo gjë mund të ndodhë” është realizuar në bashkëpunim me producentin amerikan të Bitrit, James Avatar, i cili ka orkestruar pjesën mëtë madhe të këngëve. Këngët janë inçizuar në studion e kompozitorit dhe producentit kosovar, Floren Boshnjaku.Dhe në këtë album janë përfshirë edhe ritmet hip-hop, të cilat shfaqen përmes këngës “Muzika dhe ne”, ku Bitri shoqërohet nga njëri prej pjestarëve të grupit amerikanё. Këngët për të janë të gjitha të bukura, pasi gjithsecila përfaqëson një pjesë të jetës së saj.

Këngë nënash

Janë dy këngë të këtij albumi ku ajo shprehet me gjuhën e nënës. Një duet me të bijën, Siborën, dhe një këngë për dhimbjen e nënave. “Frymëzimi i kësaj kënge (dueti me Siborën) është dashuria, lidhja midis fëmijës dhe prindit. Ndjenjës sime si nënë, por në përgjithsi të gjitha nënave, i përgjigjet ndjenja e fëmijës. Një shkëmbim dhe ndërthurje e tillë është diçka e mrekullueshme, që merret nga kjo botë”, thotë këngëtarja. Ndërsa kënga tjetër, “Na jep bekimin”, është mjaft e dashur për të. Në të përshkruhet shpresa e viteve ´90-´91. “I kushtohet dhimbjes së të gjitha atyre nënave, që prisnin lajme për fëmijët e larguar. I kushtohet të gjithëve atyre, që të larguar nga vendi i tyre, edhe pse kanë kushte më të mira, janë gjithnjë me mendjen e zemrën te familjet, te vendi i tyre”. Kështu thotë Anita, ndërsa flet për këto dy këngë që janë mbështjellë fort pas të njëjtit bosht. Albumi në anglisht pritet të dalë së shpejti, ndërkohë që do të paraprihet nga ai në shqip, realizmi i të cilit ka përfunduar më 30 qershor 2004 dhe pritet të shpërndahet në tregun muzikor shqiptar.

Videoklipet, së shpejti në Tiranë

Një nga qëllimet kryesore të Anitës është që këngët t´i paraqesë me videoklipe. Dy prej tyre kanë përfunduar tashmë, ndërkohë që pritet të përfundojë dhe i treti. Ato titullohen: “Na jep bekimin”, “Nostalgjia” dhe “Mundem të kem”. “Në këto momente jam në proces pune për videon e tretë, “Mundem të kem”, e cila është kompozim i këngëtarit të famshëm amerikan, Chico Debarge, (familja Debarge është e dyta pas familjes Xhekson, në biznesin e muzikës amerikane)”. Kështu shpjegon këngëtarja, ndërsa rrëfen se këtë këngë e ka blerë dhe e ka përpunuar për t´i ardhur sa më afër publikut shqiptar. “Kjo është një nga videot më të vështira. Do të jetë një punë kolosale për mua, pasi do të më duhet të kërcej me një koreografi të caktuar”,- thotë ajo.

Një kasetë vetëm për miqtë

Dikur, para pesë viteve, Anita Bitri incizoi një kasetë me këngët e saj më të njohura dhe krijime të reja që mbajnë firmën e saj në poezi dhe muzikë. Por ajo ishte një kasetë që u incizua vetëm për miqtë e saj. Në kopertinë janë shënuar 10 këngë dhe titulli i saj, “Malli”. Në fakt, ky titull vjen prej këngës së parë, vargjet e së cilës i ka shkruar ajo vetë. Më tej renditen këngë si “Mos u nxito, mos u gabo”, “Abra-kadabra”, “Dashuria e parë”, “Zemra fal”, “Për ty ëndërroj” (kjo është një këngë ku Anita Bitri shfaqet si kantautore. Ajo i shkruan vetë vargjet, si dhe muzikën), “Lulet e majit”, “S´ka formulë në dashuri”, “Dashuria s´njeh sekret” dhe kënga që, mbase ishte e fundit që ajo këndoi në skenën shqiptare, “Unë nuk të dua”. Kjo kasetë e këngëtares është incizuar në vitin 1999.

© 2003 Gazeta Panorama

*********************************

Intervist me Anita Bitrin. “Amerikan stori nuk ekziston”

– Ndoshta të gjithë pyesin përse tani……

– Ardhja në Shqipëri më dukej si një ëndërr shekullore, por tani që jam këtu, më duket se nuk jam larguar asnjëherë. Arsyeja pse rikthehem pas kaq kohësh, është sepse vetëm tani kam fituar të drejtën që të udhëtoj jashtë Amerikës. Kisha të drejtën të jetoja atje, por jo të udhëtoja. Tashmë jam rikthyer me dy pikësynime: së pari për të kontaktuar me publikun e dashur shqiptar që më ka munguar aq shumë dhe së dyti të promovoj albumin tim.

– Ç’përfaqëson ky album në karrierën tuaj muzikore?

– Albumi “Çdo gjë është e mundur” ka një frymë shumë moderne. Këtu mund të gjesh Anitën e lënë në mes në vitet `90 me “Mos u nxito, mos u gabo” dhe atë të viteve 2000. Por këto këngë kanë ritme më modern dhe Anita rikthehet me një potencial më të fuqishëm nga ana artistike e vokale. Ata që më kanë dashur do ta duan edhe këtë album, por mendoj se edhe të rinjtë do ta pëlqejnë.

– Çfarë e bën të veçantë albumin?

– Të veçantat e këtij albumi qëndrojnë në faktin që unë paraqitem si kantautore, pra me krijimet e mia. Këndoj edhe me vajzën time 8-vjeçare, Siborën. Ndërkohë që një tjetër veçanti është bashkëpunimi im me një kompani amerikane dhe këngëtarë amerikanë që këndojnë rap. Përveç dy orkestracioneve të realizuara nga ish-kompozitori i grupit “Djemtë e detit”, të gjitha të tjerat janë realizuar prej muzikantëve amerikanë, ndërsa të gjitha regjistrimet janë bërë në studion e Florenc Boshnjakut, që për mendimin tim është një nga artistët më të mirë shqiptarë. Por një vend të veçantë në realizimin e këtij albumi ka edhe producenti James Avatar. Tashmë ekipi amerikan po bën remiksimin e këngëve të mia në stilin dancë, për pub-et e diskotekat.

– Cilin do të konsideronit “hitin” e këtij albumi?

– Këngët janë të gjitha të veçanta, pasi prekin shumë sfera të jetës, si emigracioni, malli, dashuria, nostalgjia, etj. Por ndër to unë do të veçoja këngën “Korveta”. Në të vërtetë unë nuk kam një makinë të tillë, por më pëlqen që të marr makinën e të iki larg, për të harruar problemet, apo streset e ditës. Një tjetër këngë është “Com’on, com’on”, e cila mendoj që do të jetë hit dhe do të pëlqet nga të rinjtë. Ajo është një këngë diskoje dhe i kushtohet të gjitha vajzave shqiptare. Më kujtohet rinia ime, kur isha një vajzë e mbyllur dhe mendova të bëj një këngë për to.

– “Çdo gjë është e mundur”. Përse ky titull!?

– Sepse asgjë nuk është e pamundur. Jam e bindur që në jetë gjithçka është e mundur, mjafton pak kurajo, besim dhe shumë, shumë punë.

– Ç`është amerika për ju?

– Amerika është një shtet i civilizuar dhe me hapësira të tilla që të jep mundësinë për të realizuar gjithçka që unë kërkoj nga vetja dhe nga jeta. Përsa i përket “american story”, apo historisë amerikane, unë nuk di ku e kemi parë, ndoshta në filma, por të siguroj që ajo nuk ekziston. As vetë amerikanët nuk janë të kënaqur me Amerikën e tyre. Vetëm ata që kanë shkuar atje, e dinë se ç’është historia amerikane. Pa punë nuk mund të bësh asgjë.

– Po Tiranën, si e gjetët?

– Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Sapo kam mbërritur kam marrë emocione pa fund. Njerëz që më takonin, më uronin… por mbi të gjitha nuk e prisja që Tirana të kishte ndryshuar kaq shumë. Gjeta një Tiranë të bukur me qarkullim, me fasada të larta me ngjyra, me drita. Lana e gjelbëruar…

– Por ndoshta e dini se ç’ndodh në tregun muzikor?

– Kam vënë re që në tregun muzikor mbizotëron muzika popullore. Nuk mendoj se publiku ka nevoj vetëm për këtë lloj muzike. Muzika popullore i përket një populli, del prej shpirtit të tij dhe është diçka që nuk mund ta shkëpusësh prej andej, por duhet të ruajmë dhe të konservojmë dhe muzikën e lehtë. Mbaj mend që në vitet 70 dhe 90 në Shqipëri ka pasur këngëtarë shumë të mirë, mbaj mend këngët e Vaçe Zelës, Anita Takes, serenatat korçare, këngët e festivaleve… Ndoshta një fenomen i tillë, vjen si rrjedhim i problemeve financiare. Këngëtarët nisen për të bërë një album me këngë popullore, pasi kjo është muzika që shitet më tepër dhe vetëm nëpërmjet saj mund të fitojnë të ardhura, pra thjesht për arsye komerciale. Duhet të përpiqemi për të modernizuar muzikën dhe jo të kthehemi mbrapa.

– Është e vërtetë se do t`iu ktheheni festivaleve të këngës?

– Do të doja shumë të kthehesha sërish në festival, por më parë duhet të më bëjnë ftesën. Nëse do të marr pjesë, nuk do të jetë një këngë e shkëputur nga albumi, pasi në të janë hedhur emocione, që unë kam përjetuar në Amerikë dhe që tashmë ndodhem në Tiranë, jam e përshkuar prej të tjera emocionesh. Do të doja që të kisha një ofertë, sa me të shpejtë, që edhe përgatitja ime të ishte shumë më e mirë. Megjithatë në skenë do të jem sërish unë, me atë ritëm, me atë potencial, me atë zë, por më e fuqishme.

– Cili është programi i qëndrimit tuaj në Shqipëri?

– Nesër do të shkoj në qytetin tim të lindjes në Vlorë. Kam mendimin për të bërë një koncert, por ende nuk është vendosur gjithçka përfundimisht. Të dielën do të nisem sërish drejt Amerikës, ku më presin të tjera impenjime. Jam duke realizuar një tjetër album, i cili do të sjellë të tjera ritme disa këngë janë në gjuhën angleze, kështu që do të futem në studiot e regjistrimit për producione të reja…..

Alma Mile (Gazetare)

*********************************

“Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë”

RRËFIMI I KËNGËTARES: KJO ËSHTË HISTORIA IME AMERIKANE

Anita Bitri: Tani nuk nxitohem më

Anita Bitri shkeli sërish Tiranën, pas nëntë vjetësh. Gjeti pallate të pikturuara, rrugë të bukura dhe të ndriçuara, një lumë të pastër në mes të qytetit, dhe asnjë kioskë. Iu duk një qytet i bukur. Dhe njerëzit nuk e kishin harruar. Që në aeroport e ndalonin, e përshëndesnin dhe e pyesnin: “Ku ke qenë? Ka kohë që nuk të shohim!” Ka ardhur të prezantoj albumin e saj të ri “Çdo gjë është e mundur”; ka ardhur të shohë gjërat që kanë ecur me një vrap të çmendur; të takoj miqtë e hershëm e të tregoj historinë e ikjes së saj. Tashmë ajo mendon se është pikërisht një ndërthurje: Anita e viteve ´90, të lëna në mes, dhe ajo e viteve 2000. Dikur i këndonte nxitimit, tani mendon se është ndryshe. E takojmë në hotel “Mondial” dhe i marrim një intervistë.

– Anita, ju sjell në Shqipëri albumi juaj i ri  “Çdo gjë është e mundur”. Veçoni diçka prej tij?

– Në këtë album unë shfaqem si kantautore, këndoj me vajzën time, Siborën, e cila tani në gusht bëhet 8 vjeçe. Këto janë për tu veçuar, apo jo? Po ashtu, për këtë album bashkëpunoj me një kompani amerikane dhe këndoj me këngëtarë amerikanë. Stafi amerikan i këtij albumi ka nisur tanimë të punojë remikset e këngëve të mia, për stilin dans, për në klubet e Shqipërisë. Këngët janë shumë të veçnata, pasi përfshihen të gjitha sferat e jetës: janë gëzimet, dhimbjet, emigracioni, nostalgjia, dashuria, mbase një dashuri e humbur, por e fortë, një dëshirë për t´ia mbathuar me korvetë…

– Ju thoni se gjithçka është e mundur. Çfarë është e pamundur për Anita Bitrin?

– Asgjë nuk është e pamundur. Nëse dikush i vë një synim vetes së tij, çdo gjë është e mundur. Me pak besim, kurajo, dhe shumë, shumë punë, gjithçka është e mundur.

– Çfarë është Amerika për ty?

– Amerika është një shtet shumë, shumë i civilizuar, me një hapësirë shumë të madhe krijuese, ku çfarëdo që mund ti kërkosh vetes, atje mund ta gjesh.

– Pas kaq kohësh, mendoni se ekziston vërtet ajo historia e famshme e “ëndërrës amerikane”?

– Historia e “ëndërrës amerikane” nuk ekzisiton. Ajo shfaqet veç në ekranet e kinemasë, në filmat ku çdo gjë duket si ëndërr. Sepse “ëndërrën amerikane” nuk e kanë jetuar as amerikanët e vërtetë. As ata nuk janë të kënaqur me Amerikën e tyre. Pa punë nuk mund të prekësh asgjë, asnjë ëndërr.

– Dikur ju këndonit “Mos u nxito, mos u gabo”. A është nxituar Anita Bitri?

– Unë nuk e di në ka vallë ndonjë njeri që nuk nxitohet. Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë. Pra, e shoh; e di që është e kaluara ime, por nuk është rruga ku do të doja të ecja sërish. Nëse do të kisha rast për një rinisje, nuk do të ecja nga ajo rrugë.

– Jeni shprehur se do të merrni pjesë edhe në festivalin e dhjetorit.

– Kam, në fakt, shumë dëshirë, por pres që të më bëjnë një ftesë për pjesëmarrje. Kënga, besoj, nuk do të jetë nga CD-ja, pasi ajo ka ato emocione që unë kam pasur dikur. Tani unë jam në Tiranë dhe kam emocione të tjera. Unë jetoj me momentin. Madje, dhe suksesin tim e shoh në raport me momentin e jetës. Por jam e sigurt që do të kthehem në atë skenë, me po atë zë, me po atë ritëm dhe potencial, por shumë, shumë herë më fuqishëm.

“Publiku nuk më ka harruar”

Atë ditë që preku tokën, kur sapo zbriti në aeroportin e Rinasit, Anita Bitri e kuptoi se askush nuk e kishte harruar. Shihte ngado njerëz që e thërrisnin ose e pyesnin për mungesën. Dhe, ndërsa harrohet pas detajeve, tregon befasinë, përplasjen e saj me ndryshimet në Tiranë. “Tirana ka ndryshuar e gjitha. Nuk e kisha pritur një Tiranë me rrugë të bukura, me fasada të larta dhe ku ishin zhdukur kioskat. Kur ika prej këtej, lashë kioska gjithandej. Tani e gjeta Lanën të pastër dhe piktura në pallate. Më kanë pëlqyer shumë të gjitha këto ndryshime”. Por arsyeja e këtij kthimi është, në fakt, muzika. Ajo e ka ndjekur që andej, përtej Atlantikut dhe e shqetëson kjo rrëmuj në muzikën shqiptare, tendenca e vulgut dhe kopjimet. “E shoh se në Shqipëri janë futur, më tepër seç duhet, rrymat e muzikës popullore. Por unë besoj se ky publik nuk meriton vetëm muzikën popullore. Po të sjellim ndërmend muzikën e bukur të festivaleve të viteve ´70, ´80, ´90 të Vaçe Zelës, Anita Takes etj…, mendoj se duhet të punojmë pak më shumë me muzikën tonë, muzikën moderne shqiptare dhe të shmangim sa më shumë tendencat e këngëve të huaja”, – thotë ajo.

Admirina Peçi (Gazetare)

*********************************

Këngëtarja u kthye në Shqipëri tre muaj më parë për të promovuar albumin e saj të ri “made in USA”

“Çdo gjë mund të ndodhë”, pas 9 vjetësh….

“Çdo gjë mund të ndodhë”, ky ishte titulli i albumit që e riktheu edhe një herë në Shqipëri, këngëtaren Anita Bitri dhe duket se parandiente fundin e saj të papritur. Këngëtarja vlonjate u largua nga Shqipëria 9 vjet më parë dhe për të parën herë u kthye në Shqipëri, në korrikun e këtij viti. Përveçse për të vizituar vendlindjen e saj, Bitri u kthye në Shqipëri, për të promovuar albumin e saj të ri “Çdo gjë mund të ndodhë”, ku përfshiheshin 14 këngët e saj më të reja. Pasi kishte plotësuar gjithë dokumentacionin e duhur të qëndrimit të saj në Amerikë dhe ishte e lirë të udhëtonte në të gjithë botën, dëshira e saj e madhe ishte të vinte sa më shpesh në Shqipëri dhe pse jo, t’u rikthehej edhe një herë festivaleve dhe çmimeve. Ardhja e saj në muajin korrik, nuk mund të qëndronte larg vëmendjes së mediave, të cilat për ditë të tëra folën për Anitën, jetën e saj amerikane dhe kthimin e saj në tregun e muzikës shqiptare. E larguar nga Shqipëria me një ëndërr të madhe, këngëtarja dëshironte të rigjente edhe një herë veten, atje ku e kishte lënë në skenën shqiptare, në vitin 1996.

Një vajzë vlonjate në Nju Jork

Këngëtarja Anita Bitri ka lindur në qytetin e Vlorës, ka studiuar për violinë në qytetin e lindjes dhe i është futur krejt rastësisht rrugës së këngës. Fillimisht ajo është shfaqur në Koncertet e Pranverës, për t’u bërë më pas një nga emrat më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare në fillimvitet ’90 dhe pretendente e çmimeve të para në festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Disa nga këngët më të njohura të saj janë “Fajin e ka kjo borë”, “Mos u nxito, mos u gabo”, “Abra kadabra”, etj. Në vitin 1996, së bashku me një grup këngëtarësh popullorë të ansamblit “Tropoja”, shkon për një turne koncertesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit të saj në Amerikë, i lind vajza e saj Sibora, e cila menjëherë merr nënshtetësinë amerikane. Lindja e vajzës, trazirat në Shqipëri dhe problemet që ajo ka pasur me dokumentet e mbajtën 9 vjet larg Shqipërisë. Ndërkohë ajo rindërton jetën e saj në Nju Jork, martohet dhe rigjen veten në fushën e muzikës. Rikthehet në Tiranë dhe në Vlorë pas 9 vitesh, në korrik të vitit 2004. Vetëm pak javë më parë, pas një sëmundjeje të gjatë, ajo humbet të shoqin, gjë që e pengoi të hidhte në tregun shqiptar albumin e saj të fundit “Çdo gjë mund të ndodhë”.

A.Mile

*******************************************

Për Anitën

Një zhurmë gjigande çau qiellin e nxirë. Ishte rrufe, a ndoshta apokalips?! E gjithë njerëzia u përul. Kudo lutej për shpëtim…Më në fund, dëgjohet një zë. Oh, nuk është zë i zakonshëm, por një e qarë fëmije. Zemërimi i kohës, stepet. Ngjyra e zezë zbehet kudo, duke u shndërruar në agim. Drejt detit rikthehen pulëbardhat. Toka dhe qielli bëjnë paqe. Zoti solli në këtë botë përgjigjien e lutjeve, Anita Bitri. Sarandë, 8 janar 1968. Një vogëlushe do të ndryshonte jetën e shumë njerëzve. Mbase, mbase edhe të një kombi. Ajo nuk dinte të ecte, por vetëm të vraponte bashkë me erën. Kërkonte të gjente misionin, për të cilin ishte bekuar. Ngre kokën lart. Një rreze hyjnore i sjell lajmin: Anita ka lindur për të bërë art. Ka ardhur në këtë botë për të shenjtëruar muzikën. Do të triumfojë përjetësisht për këngën. Vrapimi ndalon përkohësisht në Vlorë. Sërish në bregdet, sërish pranë valëve. Ajo që e thërriste ishte kënga. Tashmë nuk mund të kuptonte veten dot pa të. Ishte e destinuar që zëri i saj të mrekullonte. Përpara Anitës qëndronte pasqyra. Mori krehërin dhe e afroi afër flokëve. I preku pakëz dhe e ndaloi te baluket e shkurtëra. Dalëngadalë e uli poshte e më poshtë. Pa dashje, ceku paksa dhe hundën. Stop! Tani ishte momenti. Duhej vetëm të provonte zërin. Kurajua nuk i mungonte. Po ashtu dhe mikrofoni prej krehëri. E vetmja gjë që i kishte mbetur, ishte të përpiqej. Pasqyra e madhe i tregonte spektatorët që prisnin me padurim vogëlushen të këndonte. Mbylli sytë fort dhe shtrëngoi “mikrofonin”. Tashmë nuk kishte mbetur gjë tjetër veçse të bindte zërin. Më në fund guxoi. Ishte vetëm një refren i këngëtares së madhe Vaçe Zela. Një refren, që e bëri të mos ndalonte kurrë më së kënduari. Asgjë nuk mund ta pengonte më tani. Krehëri dhe pasqyra do të ishin dy kritikët më të aftë, por edhe dy miqtë e saj më të mirë, të cilët nuk do t”i  ndante dot nga vetja. Provat sekrete në dhomën e gjumit do t’i vazhdonte, derisa një ditë gjeti një njeri, me të cilin i bashkonte diçka e përbashkët; etja për të bërë art! Quhej Robert Papavrami. Nuk ishte më tepër se 7 vjeç, kur mjeshtri i violinës kërkoi të bindte gishtat e vogëlushes mbi telat e violinës. E çuditshme…Profesor Berti që kishte bredhur botën, nuk kishte parë kurrë fëmijë tjetër që të “skllavëronte” në atë mënyrë violinën. Gjithnjë kishte dashur që të ushtronte njerëz me 1 përqind talent dhe 99 përqind punë. Por kësaj here, ai kishte gjetur dikë që kishte 99 përqind talent. Ajo quhej Anita Bitri. Tashmë, nuk i duhej veçse 1 përqind punë. Ata dolën para spektatorëve në një duet tepër special, duke u prezantuar si mjeshtra të violinës. Një sukses për t’u patur zili. Tashmë violina kishte gjetur duart e merituara, por…Anita donte që zëri i saj të dilte jashtë dhomës së gjumit. Donte që ta dëgjonin që dinte të këndonte, po aq bukur, sa ç’dinte të nënshtronte violinën. Vendosi të kujdesej për zërin në fshehtësi. Ngadalë u mësua me sekretin e saj. Kur prekte telat e violinës, në mendjen e saj ishin vargjet. Këndonte nën zë. Dashje pa dashje, por me një dëshirë të madhe, Anita fillon të mësojë rreth zotit dhe të besojë në të. Që nga ai moment, nisi ta ndjejë veten e privilegjuara e Tij. Ishte DESTINI që e kishte kompletuar lidhjen mes Anitës dhe Zotit. Ishin detaje të vogla, por që do të ndryshonin “kursin e lundrimit”.

Festivali i Interpretuesve të Klasës Punëtore në Elbasan fton Anitën të konkurrojë. Ishte veçse një maturante për nga mosha, por jo për nga zëri. Osman Mula i kishte besuar këngën “Eja”. Por nuk mjaftonte kaq. Anita nuk kishte mbushur moshën që të merrte pjesë në këtë festival. I duheshin dhe pak muaj që të bënte 18 vjeç. Lufta filloi, për të mbaruar shumë shpejt me fitoren e Anitës. Ishte publiku elbasanas, që jo vetëm e ndihmoi që të marrë pjesë në festival, por edhe u bë aleat i fuqishëm, duke ndikuar në juri, që ajo të merrte çmimin e tretë. Ky ishte Destini, që aq shumë e lidhte jetën e saj, Anita. Hapat filluan të shtoheshin drejt këngës. Tani kishte vetëm ngjitje. Sekretet morën fund. Anita dinte të këndonte po aq bukur sa ç’i binte violinës. Qershor 1986, ajo bëhet fituesja e çmimit të parë në Festivalin e Interpretuesve në Vlorë, me një kompozim të Arben Zhezhës. Rrugët ishin të hapura. Destini kishte bërë punën e tij, tashmë ishte radha e Anitës për t’ia shpërblyer atij. Vetëm 6 muaj më pas, Anita rrëmben një tjetër çmim të parë po në Vlorë, por kësaj here në festivalin e Këngës, edhe pse më të njëjtin kompozitor.

Dimri trokiti sërish. Anita më në fund mbushi 18 vjeç. Ajo mund të çante në mes të të rriturve në moshë, por edhe mes të të rriturve të këngës. Ajo ëndërronte që zëri i saj të depërtonte në çdo shtëpi të Shqipërisë. Ishte qershori 1987, që do t’i plotësonte asaj këtë dëshirë. “Hartimi dhe Dëbora”, që u krijua nga shoqja e klasës Laureta Çuku, i dha ngadhënjimin e dytë në Tiranë. Ky ishte veçse fillimi, pasi fundin kishte vendosur mos ta mendonte kurrë. Do të përmbushte misionin. Destini dhe talenti i saj do ta ndihmonin. Viti 1988. “E vogla mes shoqesh”, e kompozitorit David Tukiqi i dha çmimin e tretë të jurisë, por të parin për spektatorin. Ndërrimi i viteve shpalos një tjetër sukses me duetin Bitri-Ndoci, “Shikomë në sy”. Ndërsa “Mos u nxito, mos u gabo” në Koncertin e Pranverës 1988, në bashkëpunim me Alqi Boshnjakun dhe Aleksandër Vezulin, nuk ishte më një këngë që i dha çmimin e parë Anitës, por një perlë për gjithë muzikën e lehtë shqiptare. Pranverë 1989, Anita shpërthen sërish teksa këndonte “Lulet e majit, i çel në janar”. 3 muaj më pas, rrëmben çmimin e dytë në koncertin e Këngës me “Era përcjell fjalën të dua”, të kompozitorit Gjergj Leka, e cila mori çmimin e dytë. Recitali “Anita” bën që këngëtarja vlonjate të kalojë kufijtë e Shqipërisë. Turqia i dhuron vendin e dytë në Festivalit Ballkanik në mars 1990. Anita rikthehet në Shqipëri gjithnjë e më ngadhënjyese. Flamur Shehu dhe Jorgo Papingji nuhasin te vajza vlonjate madhështinë e të interpretuarit. Në dhjetor 1990, ata i besojnë asaj dhe shpërblehen me çmimin e parë. Bashkëpunimi Bitri-Shehu-Papingji vazhdon të sfidojë. “S’ka formulë në dashuri” vlerësohet e dyta. Treshja e muzikës rishfaqet prapë bujshëm me këngën “Fat dhe dashuri”. Kjo bën që Anita të prezantojë zërin e saj edhe nëpër Evropë. Rikthehet me çmimin e tretë në dhjetor 1993, në Festivalin e Këngës me anë të kompozitorit vlonjat Artur Dhamo.

Megjithatë, Anita kishte shumë etje që zëri i saj të dilte nga kilometrat që përbëjnë Shqipërinë. Edhe pse kishte bërë disa tentativa, ishte kthyer gjithmonë për festivale. I druhej mungesës në skenën shqiptare. Pas shumë lëkundjesh vendosi që të paktën për një vit të shfaqte zërin e saj nëpër Evropë. Nuk u zhgënjye, ashtu siç nuk u zhgënjye edhe publiku jashtë kufijve shqiptarë. Por festivali ishte pika e dobët e Anitës. Në vitin 1995 ajo zotëron sërish skenën jo si konkurrente, por si e ftuara e nderit të festivalit. Kërkesat e shumta të publikut bënë që vetëm pak muaj më pas, ajo të zhvillonte koncertin e dytë recital në Vlorë. Për dy ditë me radhë ajo e ndjeu veten e privilegjuara e Zotit dhe e publikut. Duartrokitjet e vlonjatëve arritën nga jugu në veri. Pasi këndoi për shumë qytetete të vendit, në Tropojë merr ftesë që zëri i saj të dëgjohej dhe në Amerikë. Destini ishte sërish me të. Po ashtu edhe Zoti. Viti 1996.Shqipëria po vuante nga arti gjithnjë e më i dobët. Kritikët mungonin, ndërsa Anita kërkonte majën e ajzbergut të muzikës. E dinte që Amerika përkthehej si vendi i realizimit të ëndrrave. E dinte që fama e priste edhe në perëndim. Më në fund arrin në “tokën e premtuar”.
Dielli shqiptar filloi t’i mungojë menjëherë.

E kishte ditur që nga fillimi që do ta kishte të vështirë, por jo kaq. Ishte
hera e parë që lutej për Destinin. Duke qenë se për momentin, ai nuk u përgjigj, atëherë Anita vendosi që ta kërkonte vetë. E vetmja gjë që duhet të bënte, ishte të këndonte. I vuri detyrë vetes që të mos harronte kurrë misionin e saj që nga lindja. Për tre vite me radhë, harroi së qeni Anita, por vajza e këngës.

Më në fund, Destini u kthye. Në mars 1999 ajo nxjerr albumin e parë më SHBA, me titull “Malli”. Këngët e saj promovohen në ambjentet e Misionit të Ambasadës Shqiptare në Nju- Jork. Miss Albania, U.S.A. e bërë sërish që të ishte e ftuara speciale. Agjensia amerikane C.P.V, e cilëson si këngëtare profesioniste gjatë një konkursi mes dhjetra këngëtarëve shqiptarë. Emri Anita nisi të marrë shumë kuptim edhe në anglisht. Më 7 dhjetor 1999, ajo ftohet nga organizata ndërkombëtare “Madre”, si përfaqësuesja më e denjë e këngëtarëve shqiptarë. Pas shumë vitesh, Anita pregatit edhe një surprizë. Loja me violinë kishte nisur ta tërhiqte sërish. Duke ndërthurur këngën me violinën, ajo arriti që brenda 3 minutash të tërhiqte vëmendjen e yjeve të Hollivudit, si Tom Robbins, Susan Sarandoë, Vanesa Redgrave, Danny Shechtler, Eve Essler, Nenad Bach, etj. Kjo ishte “mirëseardhja” amerikane për Anitën. Ata e ftuan në botën perëndimore të muzikës, duke e vlerësuar si pop-singer. Sa mirë që Perëndia ishte sërish me të. Anita u bë emri që bashkonte të gjithë shqiptarët e Amerikës. Anita u bë vajza që mblodhi rreth një tryeze gjithë ambasadorët e botës në gusht 1999. Ata nuk dinin shqip, por arritën të ndjejnë shqip vetëm nëpërmjet zërit magjepsës të këngëtares vlonjate. Vetëm 24 orë më pas, ambasadori i U.N. i drejtoi Misionit Shqiptar një letër falenderimi për ambjentin e krijuar dhe muzikën e bukur shqiptare të interpretuar nga Anita Bitri. Viti 2000 nxjerr sërish atë si të privilegjuarën e këngës. Një koncert me përmasa tejet të mëdha, ku merrnin pjesë, Inva Mula, Pirro Çako, Pali dhe Zerina Kuke, apo i famshmi Fadil Berisha, nuk mund të ishte kurrë i plotë pa Anitën. Ajo sfidon me një serial koncertesh recitale, duke çuar gjithnjë publikun në këmbë. Tashmë Anita kishte bërë një pakt me dashamirësit e saj. Ajo do të këndonte për to dhe publiku do ta deshte për këtë. Të adhuroje muzikën e Anitës u kthye në një ëndërr, nga e cila nuk dëshironte të zgjohej asnjeri. Përkundrazi, po u pëlqente bota e re me emrin “Anita”. Kështu, ndodhi. Ajo vazhdoi udhëtimin e saj me koncerte në shumë qytetete të SHBA-së. Ditë pas dite, ajo lartohej gjithnjë e më shumë. Sa më shumë këndonte, aq më shumë ngrihej. Në këto ditë triumfi, ajo takoi edhe kompozitoren e famshme botërore të Celin Dionit, Tina Shaffer. “Zëri i Anitës është shumë i kompletuar dhe ëngjëllor që zbret nga qielli”, do të thoshte e mahnitur Tina amerikane. Viti 2002 sjell një Anitë këngëtare gjysmë shqiptaro-amerikane. Këndonte, shkruante dhe kompozonte. Tashmë ajo shfaqet si një kantautore e mahnitshme. Në janar të vitit 2003, prezanton një koncert me këngëtarë shqiptarë, kosovarë dhe maqedonas, ku nderohet nga ambasadori Uilliam Ualker dhe drejtori i projektit të Evropës Lindore në CSIS, zoti Janusz Bugajski. Një muaj më vonë Anita nënshkruan një kontratë për një album të ri me një kompani amerikane “An’Km records@Enterteiment”. Tashmë “Toka e premtuar” i dha gjithçka kishte ëndërruar, por jo atë për të cilën e kishte caktuar destini. Kishte ardhur finalja. Anita duhej të ndryshonte fatin e një kombi. Do të kthehej në Shqipëri. “Anita, kjo është Anita Bitri. Është kthyer Anita!”. Nuk e kishte dashur kurrë emrin e saj aq shumë sa atë ditë të nxehtë korriku. Ngado që lëvizte kokën, kishte njerëz që e vështronin me admirim. Luku dhe veshja “made in USA”, vetëm sa e zbukuronte, pasi ajo ishte e gjitha shqiptare në tokë shqiptare. “Çdo gjë është e mundur”. Bashkëpunimi me producentin amerikan, James
Avatar në 14 këngët e këtij albumi befasuan menjëherë publikun shqiptar. Ata e adhuronin Anitën. Planet ishin të mëdha. Megjithatë, duhej të kthehej edhe njëherë drejt Amerikës, për të ardhur më vonë përgjithmonë në Shqipëri………

Avioni ndërroi qiell. Tetori sa vinte dhe bëhej më i egër, duke i shpallur luftë brishtësisë. Donte të sfidonte dimrin. Orë pas ore ditët vjeshtake bëheshin gjithnjë e më të plogështa. Ah, po bien disa këmbana. Dikush po pregatitet për udhëtim të largët. Perëndia po e thërret. Njerëzit kureshtarë dalin të shohin. 19 tetor. Nënë Tereza po shenjtërohet. Të gjithë përkulen para saj. Të gjithë e lusin Nënën e Madhe që ta shoqërojnë në “aventurat” e saj qiellore. Dhe ajo nuk di kë të zgjedhë. I duhet dikush tepër e veçantë dhe tepër e pastër. Dikush që të ketë diçka hyjnore. Vështron fytyrat me radhë. Anita i përgjërohet që të jetë ajo e zgjedhura e saj. Nënë Tereza e kuptoi se atë e kishte caktuar destini. I zgjat dorën dhe e fton në udhëtim. Por Anita nuk mund të nisej pa të dashurat e saj. I lutet që të marrë me vete Siborën e vogël dhe nënën. Shenjtorja u bind.

Tashmë suita qiellore po i priste me të gjitha nderimet. Nënë Tereza i caktoi misionin e ri Anitës: Të këndonte përjetësisht për engjëjt…………

Elisabeta Ilnica, Tiranё, 2004

  • 1
    2
    3
  • 4
    5
    6
  • 7
    8
    9
  • 10
    11
    12
  • 13
    14
    15
  • 16
    17